Dashuria dhe malli për Allahun

Dashuria dhe malli për Allahun

Malli për takimin me Allahun është prej veprave më madhështore të zemrës dhe niveleve të larta që besimtari i arrin në raport me Atë.

Ai që nuk e njeh bukurinë e Allahut, nuk do të qajë kurrë prej mallit për Atë. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu është i Bukur dhe e do bukurinë.” Ibën Kajimi kur flet rreth kësaj thotë: “Prej llojeve më madhështore të njohjes së Allahut, është kur njeriu e njeh Atë përmes Bukurisë së Tij – Cilësi e Tij. Kjo njohje është për njerëzit e veçantë. Të gjithë e njohin Allahun përmes ndonjë Cilësie të Tij, por njohja më e plotë është kur e njeh përmes përsosmërisë, madhështisë dhe bukurisë së Tij. Ai është i lartësuar dhe Atij nuk i shëmbëllen asgjë në të gjitha Cilësitë e Tij.” Dhe thotë: “Allahu është i Bukur në Qenien e Tij, në Emrat e në Cilësitë e Tij dhe në Veprat e Tij.”

Sa i takon bukurisë së Allahut në Qenien e Tij, kjo nuk mund të arrihet të njihet përveçse në Xhenet (kur besimtarët do ta shohin Atë me sytë e tyre). Es Sadi rahimehullah ka thënë: “I Bukuri është Ai të Cilit i përkasin cilësitë e bukurisë dhe bamirësisë. Allahu është i Bukur në Qenien e Tij, në Emrat, në Cilësitë dhe në Veprat e Tij. Krijesat kurrë nuk kanë mundësi të përshkruajnë as dhe një pjesë të vogël të bukurisë së Qenies së Tij. Për këtë, banorët e xhenetit me gjithë përjetimet e kënaqësitë që kanë në xhenet, të cilat janë të përhershme, të mëdha, të papërshkrueshme, kur e shohin Allahun atëherë i harrojnë të gjitha ato dhe kënaqen duke parë bukurinë e Tij dhe dëshirojnë që kjo të zgjasë përherë. Ata kanë mall e dëshirë të madhe të shohin përsëri Allahun në radhën tjetër (në Ditën e Shtesës) dhe i gëzohen asaj dite, gati sa nuk u fluturojnë zemrat prej gëzimit.”

Sa i takon bukurisë së Allahut në Emrat dhe Cilësitë e Tij, atëherë besimtarët këtë mund ta njohin qysh në jetën e kësaj bote, duke hedhur shikimin në Librin e Allahut – Kuranin dhe në sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe duke lexuar fjalët e dijetarëve (që flasin për shpjegimin e Emrave, Cilësive dhe Veprave të Allahut). Dhe njeriu sa më shumë që e shton këtë dije, i shtohet edhe dashuria ndaj Allahut, e si rrjedhojë i shtohet dhe malli për takimin me Atë. Kjo sepse malli ndaj Allahut është rezultat i dashurisë ndaj Tij. Ibën Rexhebi ka thënë: “Malli për Allahun është një gradë e ngritur e cila buron prej forcës së dashurisë ndaj Tij.”

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem është lutur: “O Allah, kërkoj prej Teje të më mundësosh shikimin e kënaqësisë në Fytyrën Tënde dhe mallin për takimin me Ty!“[1] Ahmedi.

Neve na merr malli për njerëzit që i duam dhe qajmë nga malli për takimin me ta. E ku janë zemrat tona në raport me mallin ndaj Allahut? A nuk themi se e duam Allahun më shumë se çdo gjë, ndërkohë që nuk kemi mall për takimin me Atë? Nga ana tjetër, përmallohemi për prindërit, bashkëshorten, fëmijët dhe vëllezërit. Nëse pretendojmë se e duam Allahun më shumë se këta, atëherë ku është malli jonë për takimin me Atë? Andaj, secili prej nesh, kur është duke e përmendur dhe kujtuar madhështinë dhe bukurinë e Allahut, patjetër se do t’i rrjedhin lotët prej mallit për Atë. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka treguar se janë shtatë kategori të njerëzve të cilët Allahu do t’i strehojë në hijen e Arshit të Tij atë Ditë ku nuk ka hije tjetër, dhe prej tyre ka përmendur: “Një person i cili e ka kujtuar Allahun në vetmi dhe prej syve të tij kanë rrjedhë lot.” Imam Kurtubiu ka thënë: “Rrjedhja e lotëve është në varësi të gjendjes së atij që e kujton dhe e përmend Allahun… Kur kujton Cilësitë që kanë të bëjnë me Madhështinë e Allahut, atëherë qan prej frikës ndaj Tij. Kur kujton Cilësitë që kanë të bëjnë me bukurinë e Allahut, atëherë qan prej mallit për takimin me Atë.”

Malli për Allahun në jetën e kësaj bote: Kur ke mall të afrohesh tek Ai, të përjetosh ëmbëlsinë e lutjeve dhe dhikreve, të gjesh prehje në adhurime. Kjo arrihet kur shpejton në kryerjen e adhurimeve të shumta prej dashurisë dhe mallit për Allahun.

Malli për takimin me Allahun në botën tjetër: Kur ke mall të shikosh Allahun në Xhenet dhe të dëgjosh Fjalët e Tij. Allahu thotë: “Kush shpreson takimin e Allahut, ta dijë se Dita e caktuar nga Ai do të arrijë.” Ankebut 5. Dijetarët kanë thënë: “Ky ajet ka zbritur si ngushëllim e lehtësim për ata që kanë mall për Allahun.” Kush ka mall për takimin me Atë, ta dijë se shumë shpejt do të vijë afati i caktuar (për të kaluar në botën tjetër dhe ta shohë Allahun në xhenet).

Nga shkaqet për arritjen e mallit për Allahun

  • Largimi i pengesave, që janë mëkatet (e epsheve dhe dyshimeve) dhe sëmundjet e zemrës. Këto gjëra e mbulojnë zemrën dhe e pengojnë njeriun në arritjen e mallit për takimin me Allahun. Mëkatet e pakësojnë dashurinë dhe mallin për Allahun.
  • Mbushja e zemrës me dituri rreth Allahut, Emrave dhe Cilësive të Tij.

[1] Jo për shkak të sprovës e fatkeqësisë (siç veprojnë njerëzit e dunjasë), apo të ndonjë fitne në fe, por për shkak të dashurisë ndaj Allahut.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit