Shkaqet për arritjen e ëmbëlsisë së besimit
Shkaku i parë: Dashuria ndaj Allahut dhe të Dërguarit
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush ka tri tipare do të shijojë ëmbëlsinë e besimit: të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më të dashur për të sesa çdokush tjetër, mos ta dojë tjetrin për asgjë tjetër veçse për hir të Allahut dhe të urrejë të largohet prej Islamit (të hyjë në mohim) ashtu siç urren të hedhet në zjarr.” Muslimi.
Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Dashuria ndaj Allahut është ajo pozitë për të cilën garojnë dhe përpiqen garuesit në vepra të mira, ajo pozitë drejtë së cilës kanë hedhur shikimit të zellshmit dhe për dijen e njohuritë rreth saj përpiqen ata që paraprijnë në vepra të mira. Me prehjen e puhisë së kësaj dashurie freskohen e qetësohen adhuruesit. Kjo dashuri është ushqimi i zemrave dhe shpirtrave dhe kënaqësia e syve. Ajo është jeta nga e cila kush privohet, llogaritet në mesin e të vdekurve. Ajo është drita të cilën kush e humbet, do të vërtitet në oqeanet e errësirave. Ajo është shërimi të cilin kush nuk e ka, do të goditet nga sëmundje. Kjo dashuri është kënaqësi të cilën kush nuk e fiton, e gjithë jeta e tij do të jetë e mbushur me brenga, shqetësime, pikëllime e vuajtje. Allahu thotë: “…disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre).” Bekare 165. Kjo dashuri e vërtetë e nxit njeriun të adhurojë Allahun të vetëm, madje të punojë shumë e të shpejtojë në vepra me të cilat arrin kënaqësinë e të Dashurit të tij (kënaqësinë e Allahut).”
Shejhul islam ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sa më shumë që shtohet kjo dashuri në zemrën e besimtarit, aq më shumë do të shtohet të qenit rob adhurues i Allahut. Dhe sa më shumë që e adhuron Allahun, i shtohet dhe dashuria ndaj Tij dhe lirohet prej krijesave (duke e dashur vetëm Atë).”
Mirëpo, kjo dashuri ka shenjat e saj, dhe ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kjo është kur i jep përparësi dashurisë ndaj Allahut edhe nëse ajo bie në kundërshtim me dëshirat e tua, urren atë që urren Ai edhe nëse ti e dëshiron atë gjë, miqëson ata të cilët e duan Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe armiqëson ata të cilët e armiqësojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, pason Muhamedin salAllahu alejhi ue selem, shkon pas gjurmëve të tij dhe pranon udhëzimin e tij.”
Motivet që nxisin këtë dashuri
Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Dije se ato që bëjnë të lëvizin zemrat drejt Allahut janë tri: dashuria, frika dhe shpresa ndaj Allahut. Më e forta prej tyre është dashuria, sepse ajo është një synim në këtë botë dhe tjetrën, ndërsa frika në botën tjetër do të largohet, “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar.” Junus 62. Qëllimi i pasjes frikë ndaj Allahut është që ajo të na ndalojë prej largimit të rrugës së Allahut. Varësisht se sa e fuqishme apo e dobët të jetë dashuria ndaj Allahut, aq do të jetë rrugëtimi për tek Ai. Ndërsa, shpresa është ajo që udhëheq në këtë rrugë. Andaj, dije se është parim madhështor dhe detyrë për çdo musliman që ta ketë parasysh këtë, ngase pa këtë parim nuk mund të jetë rob adhurues ndaj Allahut. Njeriu e ka për obligim të jetë rob vetëm i Allahut. Nëse dikush pyet: “Njeriu nganjëherë nuk e ka këtë lloj dashurie, andaj cila është ajo gjë që e lëvizë zemrën e tij drejt Allahut?” Përgjigje: Njohja e Allahut (e emrave dhe cilësive të Tij, veprave të Tij, krijimit të Tij) dhe përmendja e Allahut sa më shumë (kështu e lidh zemrën tënde për Atë sa më shumë). Frika nxitet kur kujton ajetet të cilat flasin për frikësimin dhe kërcënimet e Allahut, kur kujton se një Ditë do të dalë para Allahut dhe do të merret në llogari etj. Ndërsa, shpresa nxitet kur kujton bujarinë e Allahut ndaj tij, butësinë e faljen e Tij.”
Ne mund të shtojmë edhe një tjetër që e kanë përmendur disa dijetarë të tjerë, që është vështrimi i të mirave dhe dhuntive të shumta që Allahu t’i ka dhënë, “Kujtoni dhuntitë e Allahut, në mënyrë që të keni sukses!” Araf 69. Dhe: “Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot.” Ibrahim 34. Allahu nënshtroi për njerëzit qiellin e tokën, çdo gjë e bëri të jetë në shërbim të tij, e mbuloi njeriun me mirësi të shumta, të dukshme (të jashtme) dhe të padukshme (besimi, adhurimet e zemrës). Kjo do të ndikojë në zemër që ta dojë Allahun.
Allahu e meriton dashurinë sepse Ai është Krijuesi i Vetëm, i Cili ka krijuar këtë univers, i Cili na ka sjellë neve në jetë, i Cili çdo gjë ka sjellë nga inekzistenca në ekzistencë, e meriton dashurinë për shkak të mirësive të shumta me të cilat na ka mbuluar, e meriton për shkak se universin e ka lënë në shërbimin tonë, për shkak të ligjeve e dispozitave dhe metodave me të cilat na ka mësuar se si të jetojmë jetën, për shkak se i përgjigjet nevojtarit kur e lutë Atë dhe ia largon dëmin e të keqen, për shkak se ne jemi nevojtarë për Atë në çdo gjendje etj.
Nëse besimtari nuk e arrin këtë nivel të dashurisë ndaj Allahut: të ndjejë nevojën e madhe që ka për Allahun, t’i mbështetet vetëm Atij, të kërkojë ndihmë prej Tij, ta falënderojë e të jetë mirënjohës për dhuntitë e Tij, atëherë është vetëm një pretendim i rrejshëm dhe nuk e ka realizuar ende siç duhet dashurinë ndaj Tij.
Dashuria ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem
Krahas dashurisë ndaj Allahut është dhe dashuria ndaj të Dërguarit të Tij. Njeriu nuk është me besim të plotë derisa dëshira dhe dashuria e tij ta pasojë shpalljen me të cilën ka ardhur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, qofshin urdhra, ndalesa etj. Andaj, ai duhet të dojë atë me të cilën ka urdhëruar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe mos ta dojë atë nga e cila na ka ndaluar ai. Allahu thotë: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.” Nisa 65. Dhe: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.” Ahzab 36.
Ndërsa, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Askush nuk ka besuar derisa unë të jem më i dashuri tek ai sesa prindi i tij, fëmija i tij dhe të gjithë njerëzit.” Buhariu dhe Muslimi. Dashuria është tri lloje: ajo në të cilën ka respekt dhe madhërim (si: dashuria ndaj prindit), ajo në të cilën ka mëshirë dhe dhembshuri (si: dashuria ndaj fëmijës) dhe ajo që është e përzier me këto të dyja (dashuria në raport me njerëzit). Këto tri lloje Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka mbledhur në dashurinë (që duhet pasur) ndaj tij.
Rruga përmes së cilës arrijmë këtë dashuri është duke e njohur Allahun, duke e njohur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe duke marrë dituri për të.
Dashuria ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem ka dy nivele:
- a) Dashuria obligative, e cila kërkon t’i bindemi atij duke zbatuar obligimet me të cilat na ka urdhëruar dhe duke u larguar nga ndalesat të cilat na ka ndaluar, kërkon të jemi të kënaqur plotësisht me vendimet e tij (pa ndonjë dyshim a ngushtim), kërkon që udhëzimin mos ta marrim diku tjetër veçse prej dritës së tij dhe mos të kërkojmë të mirat në asgjë përveçse te rruga e tij.
- b) (Shtesë ndaj nivelit të parë) Ndjekja e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në të gjithë sunetin e tij: në edukatë, sjellje, udhëzim, raporte me njerëz, moralet e jashtme (bujari, falje, butësi, durim) dhe moralet e brendshme (përulja e frika ndaj Allahut, dashuria ndaj Tij, malli për takimin me Atë, kënaqja me caktimet e Tij, moslidhja me shkaqet dhe lidhja për Atë, mbështetja tek Ai), në dhikër, në vetmim me Allahun e të tjera.
Motivet që nxisin këtë dashuri
– (Të dish se) Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qenë me personalitet të përkryer, i ruajtur prej gabimeve e gjynaheve.
– Bindja ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue është bindje ndaj Allahut.
– Allahu e ka zgjedhur atë në mesin e të gjitha krijesave për të qenë i Dërguar i Tij (ia ka dhënë këtë pozitë kaq të lartë), me shpalljen e fundit (për njerëzimin), dhe kjo dëshmon se ai është krijesa më e dashur dhe më e mirë tek Allahu.
– Suneti i tij vjen menjëherë pas Librit të Allahut, për shkak se ai është shembulli dhe modeli më i mirë për atë që do të arrijë synimet më të larta.
– Ai salAllahu alejhi ue selem ka pasur shumë butësi e mëshirë ndaj umetit etj.
– Këshilla, çiltërsia dhe bamirësia ndaj umetit të tij.
– Moralet e larta dhe cilësitë e tiparet e lavdëruara. Ai salAllahu alejhi ue selem ka qenë shumë i dashur te njerëzit ende pa u dërguar Pejgamber, për shkak të cilësive të tij, e kjo dashuri është shtuar edhe më shumë pasi është bërë Pejgamber. Abdullah ibn Amër ibn Asi radijAllahu anhu ka treguar se kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka lexuar ajetin ku tregohet se Ibrahimi është lutur: “O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime; ndërsa për atë që më kundërshton mua, Ti, me të vërtetë, je Falës dhe Mëshirëplotë” Ibrahim 36, dhe Fjalët e Allahut kur flet për Isën i cili do të thotë: “Nëse Ti i dënon ata – robërit e Tu janë, e nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti” Maide 118, atëherë i ka ngritur duart (Pejgamberi ynë) e ka thënë: “O Allah, umeti im, umeti im!” dhe ka qarë. Ky hadith tregon për dhembshurinë e madhe dhe kujdesin që ka pasur ai salAllahu alejhi ue selem për umetin e tij.
– Ai është kandil ndriçues për ne e për botën, është mëshirë e dhuruar për njerëzimin.
Disa shembuj të dashurisë së sahabëve ndaj Pejgamberit
-Rasti i Theubanit i cili ka qenë një rob te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Ai për shkak të dashurisë së madhe që ka pasur ndaj tij salAllahu alejhi ue selem, nuk ka mundur të qëndrojë shumë gjatë larg tij. Një ditë ka ardhur te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem me ngjyrë tjetër të fytyrës dhe ai e ka pyetur se çfarë ka ndodhur me të (ka menduar se është sëmurë). I ka thënë: “Nuk kam dhimbje e as sëmundje, por kur nuk të shoh për një kohë të gjatë ndjej një vetmi të madhe (të egër). Mu kujtua bota tjetër dhe më kaploi një frikë se nuk do të shoh në xhenet, ngase ti do të jesh në pozitë më të lartë sesa unë, me Pejgamberët, e unë në pozitë më të ulët.” Dhe Allahu ka zbritur ajetin: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta”. Nisa 69.
-Rasti i Zejd ibn Dethine, të cilin e kanë marrë mushrikët (idhujtarët) duke e nxjerrë prej kufijve të Mekës për ta mbytur dhe gjatë rrugës ka takuar Hubejb ibn Adijj el Ensarin të cilin e kanë marrë edhe atë për të njëjtin qëllim (kanë rënë skllav në duart e tyre). Dhe ata kanë porositur njëri-tjetrin të durojnë e të qëndrojnë të fortë për çfarëdo që u ndodhë prej mushrikëve. Ebu Sufjani (në atë kohë ka qenë ende mushrik) e ka pyetur Zejdin: “A kishe dashur që në këtë moment të ishte Muhamedi në vendin tënd të mbytej nga ne dhe ti të jesh te familja jote?” Ai është përgjigjur: “Për Allahun, nuk dëshiroj që ai të goditet nga një gjemb në vendin në të cilën ndodhet tani e unë të qëndroj rahat në familjen time.” Ata të dy kanë pranuar të vriten dhe nuk kanë dashur që Pejgamberi të goditet as nga e keqja më e vogël. Ebu Sufjani ka thënë: “Nuk kam parë dikë ta duan më shumë sesa Muhamedin shokët e tij.”
-Rasti i Nusejbah bint Kab el Ensarije, të cilës i janë vrarë (kanë rënë dëshmorë) babai, vëllai dhe bashkëshorti i saj në betejën e Uhudit dhe kur ia kanë dhënë lajmin, ajo ka thënë: “Çfarë ka ndodhur me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem?” Mendja i ka shkuar menjëherë tek ai. Kur ka parë se ai është gjallë ka thënë: “Çdo fatkeqësi pas kësaj është e lehtë.”
-Rasti i sahabiut i cili ka pasur në gisht një unazë të arit dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ia ka marrë e ia ka hedhur në tokë (është e ndaluar për burrat të vendosin gjëra prej ari). Pastaj i ka thënë: “A dëshiron ndokush prej jush të vendosë në dorën e tij një gacë prej gacave të xhehenemit?” Kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është larguar, të tjerët i kanë thënë: “Merre unazën e shite (përfito prej saj)!” Mirëpo ai ka thënë: “Jo, pasha Allahun, atë gjë që e ka hedhur Pejgamberi unë kurrë më nuk e marr.”
Bota nuk ka njohur një gjeneratë më të ndershme, më të ngritur, më të lartësuar, më të mëshirshme e më madhështore, sesa gjeneratën e sahabëve. Ata kanë qenë brez unik nga brezat e tjerë. Ata kanë qenë njerëz të dalluar nga njerëzit e tjerë. Ata (ishin të tillë) sepse u edukuan prej shkollës së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Andaj, ishin të sinqertë në bindjen dhe pasimin ndaj tij.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.