Dashuria ndaj të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem
Dashuria ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem është prej obligimeve kryesore të besimit dhe prej bazave të tij. Ajo është themel i çdo vepre që bëjmë në fenë tonë.
Dashuria ndaj të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem është prej veprave më madhështore dhe më të larta të zemrës. Ai salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Askush nuk ka besuar derisa unë të jem më i dashuri për të sesa fëmijët e tij, prindërit e tij dhe të gjithë njerëzit.”
Transmetohet se Umeri radijAllahu anhu i tha një ditë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “Ti je më i dashuri për mua se çdo gjë tjetër, përveç vetes sime.” Atëherë ai salAllahu alejhi ue selem i tha: “Jo pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, derisa të jem unë më i dashuri për ty sesa vetja jote.” Atëherë Umeri i tha: “Po, prej tash ti je më i dashuri për mua sesa vetja ime.”
Duhet t’ia parashtrojmë një pyetje vetes: “Sa e duam Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem për ta takuar dhe shoqëruar në xhenet?” Nga ana tjetër, ai salAllahu alejhi ue selem ka pasur mall për të na takuar neve. Transmetohet se u ka thënë sahabëve: “Kam dëshirë të madhe t’i takoja vëllezërit e mi!” Sahabët i kanë thënë: “A nuk jemi ne vëllezërit e tu?” Ai ka thënë: “Ju jeni shokët e mi, porse unë kam dëshirë të takoja vëllezërit e mi të cilët ende nuk kanë ardhur (umetin e tij).” Muslimi.
Kur ne e pasojmë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem me të brendshmen dhe të jashtmen tonë, kjo është argument se e duam atë. Sa më shumë që e pasojmë, po aq e duam atë, dhe e kundërta.
Allahu thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua…” Ali Imran 31.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu në botën tjetër do të jetë me atë që e ka dashur.”
Mospasimi ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem bëhet në dy forma:
- Me tejkalim të kufijve.
- Me mangësi në pasim.
Njerëzit në raport me dashurinë ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem janë disa kategori:
» Ata që e kanë tepruar (kanë sjellë bidate në fe). Ata janë dy lloje: 1. Ata që kanë shpikur bidate, si: mewludi, nata 15-e muajit Shaban, dhikret e ndryshme, dhikret me kohë, forma e numra të caktuar etj. Këto bidate nuk nxjerrin nga feja, por nuk pranohen tek Allahu. 2. Ata që kanë shpikur bidate të cilat nxjerrin nga feja, si: lutja ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, apo kërkimi i ndërmjetësimit prej tij, përshkrimi i tij me cilësi të cilat i takojnë vetëm Allahut).
» Ata që janë treguar të mangët. Ata janë dy lloje: 1. Ata që kanë refuzuar sunetin duke i dhënë përparësi mendjes apo inspirimeve të tyre apo opinioneve të njerëzve. 2. Ata që kanë qenë neglizhent duke vepruar mëkate.
» Ata që e ndjekin sunetin me të brendshmen dhe të jashtmen e tyre dhe nuk shpikin bidate, nuk e teprojnë në dashuri ndaj tij dhe nuk tregohen neglizhent.
Pirja prej burimit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në botën tjetër, është e kushtëzuar me pasimin e sinqertë e të vërtetë të sunetit të tij, pa e ndryshuar atë. Jo çdokush prej muslimanëve do të pijë prej burimit të tij, për të cilin Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse njeriu pi një herë prej tij, kurrë më nuk do ta kapë etja në pafundësi.”
Gjithashtu ringjallja dhe tubimi me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem në Ditën e gjykimit (të jesh nën flamurin e tij) kushtëzohet me pasimin e vërtetë të sunetit të tij.
Duhet të kemi kujdes nga neglizhenca në pasimin e sunetit dhe nga teprimi.
Allahu thotë: “dhe shpirtrat të bashkohen” Tekwir 7. Ibën Kethiri ka thënë: “Çdokush do t’i bashkohet grupit të tij. Kështu, nëse ke qenë pasues i vërtetë i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, do të jesh me grupin e tij.” Në të kundërt, do të jesh me ata që kanë shpikur bidate, apo e kanë ndryshuar sunetin profetik.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.