Shkaqet për arritjen e ëmbëlsisë së besimit
Shkaku i dytë: Dashuria vëllazërore për hir të Allahut
Prej bazave të besimit është dashuria për hir të Allahut dhe urrejtja për hir të Tij. Pra, të duash Pejgamberët dhe besimtarët e mirë e të devotshëm, të urresh armiqtë e Allahut dhe të Pejgamberëve. Kjo fe na ka nxitur të duam njëri-tjetrin për Allahun, të jemi vëllezër, të jemi të bashkuar dhe të kemi pajtim mes veti, në anën tjetër na ka ndaluar të bojkotohemi mes veti, të përçahemi, të kemi kundërshti dhe çdo gjë që shkakton çarje e plasaritje.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush ka tri tipare do të shijojë ëmbëlsinë e besimit: të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më të dashur për të sesa çdokush tjetër, mos ta dojë tjetrin për asgjë tjetër veçse për hir të Allahut…” Po ashtu, kur përmend shtatë kategoritë e njerëzve të cilat do të jenë nën hijen e Arshit të Allahut në Ditën e Gjykimit thotë: “Dy persona që e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut, janë bashkuar për hir të Tij dhe janë ndarë për hir të Tij”. Gjithashtu na ka treguar për ngjarjen e personit i cili ka shkuar të vizitojë një vëlla të tij për hir të Allahut në një vend të largët, dhe Allahu ka dërguar një engjëll në formë të njeriut që ta presë në rrugë dhe kur janë takuar e ka pyetur: “Ku je duke shkuar?” Thotë: “Jam duke shkuar te një vëlla i imi në filan vend për ta vizituar.” Engjëlli e pyet: “Për ndonjë nevojë (përfitim)?” –“Jo, jam duke shkuar vetëm për hir të Allahut.” Atëherë engjëlli i thotë: “Unë jam i dërguar i Allahut (engjëll) tek ti për të treguar se Ai të do ty ashtu siç ti e do vëllain tënd.” Muslimi.
Për të qenë një vëllazëri e pastër dhe me synim kënaqësinë e Allahut, duhet t’i përmbahet besimit dhe devotshmërisë. Nuk ka vëllazëri pa besim, “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër” Huxhurat 10. Dhe nuk ka shoqëri pa devotshmëri, “Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun” Zuhruf 67.
Pozita e lartë e dashurisë për hir të Allahut
Kanë ardhur argumente të shumta prej Kuranit dhe sunetit që tregojnë se çfarë pozite të lartë ka dashuria për hir të Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit Allahu do të thotë: “Ku janë ata që janë dashur për hir të madhërisë Sime? Sot do t’i strehoj nën hijen Time në këtë Ditë ku nuk ka hije tjetër (përveç saj).” Enes ibn Maliku ka treguar se një ditë ka ardhur një njeri te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe e ka pyetur: “O i Dërguar i Allahut, kur do të ndodhë Kiameti?” Ka thënë: “Çfarë ke përgatitur për të?” Ai ka thënë: “Dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.” Atëherë i ka thënë: “Ti do të jesh (në atë Ditë) me ata që i do.” Muadh ibn Xhebeli radijAllahu anhu ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem duke thënë: “Allahu ka thënë: “Për ata që duhen për hir të Madhërisë Time, do të ketë minber prej drite në Ditën e Gjykimit, të cilëve u lakmojnë Pejgamberët dhe dëshmorët.” Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Koka e besimit është të duash për Allahun dhe të urresh për Atë. Andaj, kush do e urren për Allahun dhe jep e nuk jep për Allahun, e ka plotësuar besimin e tij.”
Rrugët e forcimit të kësaj dashurie
Nëse u përmbahemi këtyre rrugëve (mjeteve, shkaqeve) dhe i ndjekim ato, në çdo vend dhe çdo kohë, atëherë do të thellojmë dashurinë vëllazërore për hir të Allahut. Prej tyre:
─ T’i tregosh tjetrit se e do për hir të Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur dikush e do vëllain e tij për hir të Allahut, atëherë le t’i tregojë.”
─ Të lutesh fshehtas për të.
─ Ta takosh me fytyrë të buzëqeshur. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos nënvlerëso asgjë prej veprave të mira, qoftë dhe takimin e vëllait tënd me fytyrë të buzëqeshur!” Dhe: “Buzëqeshja në fytyrën e vëllait tënd është lëmoshë (sadaka).”
─ T’ia japësh dorën kur e përshëndet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sa herë që takohen dy muslimanë dhe e përshëndesin njëri-tjetrin me duar, do t’iu shlyhen mëkatet (para se të ndahen).”
─ Ta vizitosh herë pas here. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e viziton të sëmurin apo vëllain e tij (të pa sëmurë) për hir të Allahut, thërret një thirrës (engjëll): “Ke bërë mirë dhe je i mirë, hapat që ke hedhur kanë qenë të mirë dhe ia ke përgatitur vetes një vend në xhenet.” Ndërsa një ether thotë: “Vizitoji herë pas here vëllezërit e tu! Kështu do të shtohet dashuria (mes jush).”
─ Ta urosh, lumturosh e gëzosh. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e takon vëllain e tij me diçka që e gëzon, atëherë Allahu do ta lumturojë/gëzojë në ditën e Gjykimit.”
─T’i bësh dhuratë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shkëmbeni dhurata, se kjo sjell dashuri dhe largon urrejtjen, pakënaqësitë, zilinë (veset e zemrës).” Dhe: “Shkëmbeni dhurata, që t’iu shtohet dashuria mes jush.”
─Përmbushja e të drejtave të ndërsjella. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e çliron vëllain e tij prej një brenge të kësaj jete, Allahu do ta çlirojë atë prej një brenge të botës tjetër. Kush ia lehtëson vëllait vështirësinë (borxhin),[1] Allahu do t’ia lehtësojë çështjen në këtë jetë dhe në botën tjetër. Kush ia mbulon të metat vëllait të tij musliman, Allahu do t’ia mbulojë atij të metat në këtë botë dhe tjetrën. Allahu do ta ndihmojë robin e Tij përderisa ai e ndihmon vëllain e tij.” Dhe: “Të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit janë gjashtë: kur ta takojë t’i japë selam, kur ta ftojë t’i përgjigjet, kur t’i kërkojë këshillë të jetë i sinqertë (çiltër) me të, kur të teshtijë dhe thotë “elhamdulilah” t’i thotë “jerhamukellah”, kur të sëmuret ta vizitojë dhe kur të vdesë t’ia përcjellë xhenazen.” Ibn Xheuzi ka thënë: “Në të kaluarën (te selefi) vëllai është kujdesur për familjen e vëllait të tij të vdekur për 40 vite rresht.”
Raste të dashurisë për hir të Allahut
─ Muhamed ibn Is’haku ka thënë: “Njerëzve (të varfërve, nevojtarëve etj.) në Medine u vinte rrizku dhe nuk e dinin se kah u vinte (dikush ua sillte në shtëpi). Mirëpo, kur vdiq Zejd ibn Abdin ibnul Husejni, Allahu e mëshiroftë, atëherë munguan ato ushqime dhe njerëzit kuptuan se ai i sillte gjatë natës tek ta. Kur ia kanë larë xhenazen, kanë gjetur shenjat/gjurmët bartjes së thasëve (ngarkesës) në trupin e tij.”
─ Lejth ibn Sadi ka pasur të hyra 70.000 dinarë në muaj (pasuri të madhe). Mirëpo, aq shumë jepte lëmoshë (e shpërndante pasurinë) saqë nuk i bëhej obligim zekati. Një ditë kishte blerë një shtëpi, dhe pasi ka dërguar një person të autorizuar për të marrë shtëpinë prej pronarit, ai ka gjetur në të fëmijë jetimë të cilët e kanë lutur t’ua lë shtëpinë për hir të Allahut. Kur ka marr lajmin, përveç që ua ka lënë shtëpinë (ua ka dhuruar), gjithashtu ka marrë përsipër t’iu ndihmojë çfarë kanë nevojë.
─ Muavije ibn ebi Sufjani ia ka dërguar Aishes radijAllahu anha 80.000 dërhem, e cila në atë ditë kishte qenë agjërueshëm dhe me një rrobë të vjetër, e megjithatë këtë pasuri e kishte shpërndarë tek të varfrit e nevojtarët e Medinës. Shërbëtorja i ka thënë: “Pse nuk le disa dërhem për të blerë mish për të bërë iftar?” Ajo i ka thënë: “Po të ma kujtoje do ta bëja (e kishte harruar veten).”
─ Adeviu ka treguar se në betejën e ashpër të Jermukut (në të cilën janë vrarë shumë prej muslimanëve) ka shkuar të kërkojë djalin e xhaxhait dhe me vete kishte ujë, që nëse është prej të plagosurve t’i japë të pijë. Pasi e gjen dhe afrohet t’i japë ujë, dëgjohet dikush tjetër duke rënkuar dhe ai (djali i xhaxhait) ia bën me kokë që të shkojë tek i plagosuri tjetër t’i japë të pijë (e vetë nuk pi). Pasi shkon te ky dhe afrohet t’i japë, dëgjohet dikush tjetër duke rënkuar dhe ia bën me kokë që të shkojë t’i japë atij ujë (e vetë nuk pi). Por, kur shkon tek i treti sheh se kishte vdekur. Pastaj kur kthehet tek i dyti edhe ai kishte vdekur, pastaj njëjtë dhe me të tretin (djalin e xhaxhait të tij).
─ Umer ibn Khatabi radijAllahu anhu ka përgatitur 400 dinarë në një qese dhe i ka thënë shërbëtorit që t’ia dërgojë Ebu Ubejd el Xherrahit, por të mos largohet menjëherë pa parë se çfarë po vepron me to. Pasi shërbëtori vepron kështu, sheh se ai e porositë shërbëtoren që t’ia dërgojë filanit e filanit derisa nuk i mbetet asgjë në qese. Pastaj Umeri kishte përgatitur edhe 400 dinarë të tjera për t’ia dërguar Muadh ibn Xhebelit, i cili vepron njëjtë, ndërsa gruaja e tij i thotë: “Edhe ne jemi të varfër.” Dhe ia jep dy dinarët e fundit që kishin mbetur.
Kjo ishte vetëm një pikë prej oqeanit të madh të cilin ka regjistruar historia, në bujari, fisnikëri, altruizëm, bamirësi, virtyte të lavdishme etj. Ata (gjeneratat e para) e kanë shijuar siç duhet ëmbëlsinë e vëllazërisë dhe dashurisë për hir të Allahut. Ata kanë pasur shembull dhe model të Dërguarin e Allahut. Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Selami i Allahut qoftë mbi këta shpirtra e mbi këta njerëz!”
[1] Ia shtyn afatin, ose ia fal një pjesë të borxhit, ose ia fal borxhin tërësisht.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.