“dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre…”

Komentim i Fjalës së Allahut “Sigurisht, Ne i ringjallim të vdekurit dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre. Ne e kemi llogaritur çdo gjë 0.” Jasin 12.

-Më përpara është thënë që të vdekurve t’iu këndohet “Jasin” duke u mbështetur në hadithin: “Këndojuani të vdekurve tuaj suren jasin!”, mirëpo ky hadith sipas dijetarëve të hadithit është i dobët dhe nuk argumentohet me të. Edhe nëse e marrim për bazë, atëherë dijetarët komentojnë se është fjala që Jasin t’i këndohet njeriut të gjallë, i cili është në prag të vdekjes (që e di arabishten dhe përfiton nga ky lexim), ngase në këtë sure përkujtohet vdekja (si në ajetin që sollëm, apo në fund të sures), trajtohet çështja e vdekjes dhe ringjalljes etj. Aty gjen përkujtime lidhur me ringjalljen (për atë që vjen pas vdekjes) njeriu që është në prag të vdekjes.

-Në këtë ajet, Allahu flet për tri çështje, që janë: Ringjallja, shënimi i veprave dhe se çdo gjë është e ruajtur në një Libër të qartë.

Ringjallja– Pejgamberët të gjithë pa dallim, pavarësisht ku apo kur janë dërguar, kanë folur për ringjalljen. Realiteti të cilin njerëzit kurrë nuk mund ta mohojnë është vdekja (asaj nuk mund t’i shmanget askush), “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen”, qoftë i ri, i moshuar, i varfër, i pasur, i dobët, i fortë, i pushtetshëm, i pa pushtetshëm etj. Mirëpo, njerëzit e kontestojnë ringjalljen (se do të dalin para Allahut, se me vdekjen nuk përfundon çdo gjë).

Shënimi i veprave dhe i gjurmëve të (veprave) të tyre– Allahu shkruan veprat e mira që veprojnë njerëzit (namazin,, agjërimin, zekatin, haxhin, mirësjelljen ndaj prindërve, urdhërimin në të mirën e ndalimin nga e keqja, leximin e Kuranit, mbajtjen e lidhjeve farefisnore, respektimin e komshiut etj.). Gjithashtu shkruan veprat e këqija, mëkatet (qoftë braktisja e obligimeve, siç është mos falja e namazit, mos agjërimi etj., apo veprimi i punëve të ndaluara, si: konsumimi i alkoolit, imoraliteti, kamata, mashtrimi etj.). Mirëpo, shkruhen edhe veprat për të cilat janë bërë shkak (kanë nis një vepër të mirë apo të keqe dhe të tjerët i kanë pasuar pastaj).

Ndërsa, komentimi tjetër për këtë ajet për pjesën “dhe gjurmët e tyre” është fjala për gjurmët konkrete, lëvizjet, hapat, drejt veprave (si: hapat në xhami për të falë namazin etj.). Allahu shkruan çdo gjë që bën njeriu.

Është mirë që personi të kujdeset për atë se çfarë do të lërë pas vdekjes së tij, çfarë gjurmë do të lërë. Duhet të preokupohet të lërë gjurmë të mira, të jetë prej atyre që nisin vepra të mira dhe të tjerët i pasojnë, apo të nisë edhe vepra të mira të cilat nuk është duke i bërë askush përveç tij. Ky duhet të jetë preokupimi, pra përveç veprave të mira që bën, të lërë edhe gjurmë pas vdekjes (në mënyrë që t’i vijnë shpërblimet pas vdekjes).

-“në një Libër të qartë” – dijetarët kanë dy mendime: Leuhi Mahfudh, 2. Regjistrat e veprave tona.

 

Hoxhë Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.

Madhësia e tekstit