Disa çështje të tjera që ndërlidhen me aktin e kurorëzimit

Disa çështje të tjera që ndërlidhen me aktin e kurorëzimit

– Martesa me nijetin e ndarjes: Njeriu kur të martohet synon dhe shpreson që ajo martesë të zgjasë deri në fund të jetës së tij. Andaj, i ndalohet njeriu të martohet me nijetin që të ndahet pas një kohe. Dhe dijetarët këtë nijet e kanë trajtuar si tradhti në zemër. Allahu e trajton tradhtinë në Kuran e Sunet si një ndalesë dhe prej punëve më të ulëta që veprojnë njerëzit. Ky veprim nuk i përkon besimtarit.

– Hapja e aktit (ceremonisë) të martesës: Është e preferuar/sunet që ceremonia e aktit të martesës të hapet me fjalët profetike hutbetul-haxheh. Me ato fjalë zakonisht Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka hapur hytbet dhe ligjëratat e tij.

– Duaja e maresës: Pas aktit të martesës preferohet ky urim dhe lutje për të sapomartuarit: “بَارَكَ اللَّهُ لَكَ، وَبَارَكَ عَلَيْكَ، وَجَمَعَ بَيْنَكُمَا فِي خَيْرٍ – Allahu iu begatoftë ju dhe pasardhësit tuaj e ju bashkoftë në mirësi!”[1] Dhe lutje të ndryshme e urime për çiftin.

– Obligimi financiar ndaj gruas: Nuk është obligim për burrin që ta mbajë (kujdeset për) gruan e tij financiarisht nëse ajo qëndron te babai (kujdestari) i saj pas aktit të martesës dhe nuk kanë kryer ende marrëdhënie intime. Burrit i bëhet obligim mbajtja (përkujdesja) financiare prej momentit kur ka kontakt intim me të, ose kur e merr në shtëpinë e tij dhe hyn dhëndër.

Familja e vajzës (ose vetë vajza) mund t’ia bëjë obligim dhëndrit që të mos ketë kontakt intim derisa ta marrë (transferojë me banim) në shtëpinë e tij. Kjo gjë mund edhe të jetë adet/zakon i vendit. E kur kjo gjë është adet i vendit, është mirë të rrespektohet ai adet, edhe pse (në parim) me aktin e martesës lejohet kontakti intim. Pra, gruaja ka të drejtë të mos pranojë të ketë kontakt intim me burrin e saj derisa ai ta dërgojë (transferojë me banim) në shtëpi. Por, nëse ajo dhe familja e saj e pranon këtë, atëherë fuqizohen të gjitha obligimet, si: përkujdesja për sigurimin e vendbanimit, shpenzimet materiale të saj etj.

– Çështje tjetër: Kur të kalojë gruaja në shtëpinë bashkëshortore, atëherë para kujt i lejohet të qëndrojë pa mbulesë? Fjalën e kemi për zbulimin e kokës, zbulimin e duarve deri në bërryla e pak mbi atë, zbulimin e fytit e pak nën të dhe zbulimin e këmbëve deri në nyje e pak mbi to. Femra e martuar ka të drejtë të qëndrojë pa mbulesë para babait të burrit, para gjyshit të burrit, qoftë gjyshi i shtëpisë apo i dajave të tij, para fëmijëve të burrit[2] dhe para nipave të burrit nëse ka (d.m.th.: para fëmijëve të djemve/vajzave të burrit). Ndërsa, para dhëndrit ka të drejtë të qëndrojë pa mbulesë nëna e gruas, gjyshja e gruas, vajza e gruas dhe mbesa e gruas nëse ka.

– Mahremi: Me aktin e martesës, përveç burrit, mahrem (kujdestar) për nusen është edhe vjehrri i saj, djali i burrit dhe të gjithë ata para të cilëve nusja mund të qëndrojë pa mbulesë. Kështu që cilido prej tyre mund ta shoqërojë në ndonjë udhëtim, e të ngjashme. Po ashtu, edhe dhëndri është mahrem për nënën e gruas, vajzën e saj dhe për të gjitha ato femra të cilat para dhëndrit munden të qëndrojnë pa mbulesë.

– Trashëgimia: Me aktin e martesës hyn në fuqi ligji i trashëgimisë. Me rastin e vdekjes së njërit prej çiftit, atë e trashëgon tjetri, me hisen/pjesën që Allahu e ka përcaktuar në Kuran.

[1] Titmidhiu, Ebu Davud dhe Ibën Maxheh.

[2] Fëmijët të cilët burri i ka pasur me një martesë tjetër.

Hoxhë Bajram Sefedini – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit