Vlerat e mëdha të teuhidit

Vlerat e mëdha të teuhidit

Dijetari i madh islam Es Sadi në komentin e Librit të teuhidit përmend disa vlera madhështore të teuhidit, ai thotë:

“۞ Teuhidi është prej shkaqeve më madhështore për largimin e vështirësive të kësaj bote dhe të botës tjetër dhe për mbrojtjen nga dënimi në të dy botët.

۞ Ai e pengon njeriun që të mbetet përjetësisht në zjarrin e xhehenemit, edhe nëse në zemrën e tij gjendet sasia më e vogël e teuhidit. Kur teuhidi është i plotë në zemrën e njeriut, atëherë bën që ai të mos futet fare në zjarrin e xhehenemit.

۞ Nëse njeriu e ka teuhidin ashtu siç kërkohet, atëherë do të udhëzohet me udhëzim të plotë dhe do të ketë siguri të plotë në të dy botët.

۞ Teuhidi është shkaku i vetëm për arritjen e kënaqësisë së Allahut dhe shpërblimin e Tij. Njeriu i cili do t’i gëzohet më së shumti ndërmjetësimit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në ahiret, siç tregon ai vetë, është: “Ai i cili thotë La ilahe ilAllah sinqerisht nga zemra e tij”. (Hadith).

۞ Çdo fjalë e vepër, qoftë e jashtme apo e brendshme, nuk pranohet, nuk përsoset dhe nuk shpërblehet përveçse nëse te personi ka teuhid. Andaj, sa më shumë që forcohet teuhidi dhe sinqeriteti në zemrën e njeriut, po aq Allahu ia plotëson këto vepra dhe bën që ato të shpërblehen më shumë dhe të jenë më të plota e më të mira.

۞ Ai e ngushëllon njeriun gjatë fatkeqësive.

۞ Teuhidi lehtëson rrugët drejt mirësisë, lehtëson braktisjen e të këqijave dhe gjynaheve. Atij i cili është i sinqertë në teuhidin e tij, në adhurimet e tij dhe në besimin e tij, i lehtësohet kryerja e veprave të mira, kjo sepse ai shpreson shumë në shpërblimin e Allahut, shpreson se do të arrijë kënaqësinë e Tij, po ashtu e ka të lehtë të braktisë ndalesat dhe gjynahet ngase frikësohet prej Allahut dhe ndëshkimit të Tij.

۞ Kur teuhidi plotësohet në zemrën e njeriut, atëherë Allahu bën që atij t’i plotësohet edhe besimi në zemrën e tij, bën që t’i hijeshohet ai dhe bën që ai të urrejë mosbesimin, mosbindjen, gjynahet e shthurjet. Ai e bën të udhëzuar dhe të qëndrueshëm në rrugën e drejtë.

۞ Teuhidi lehtëson dhimbjet e shkaktuara ne jetën e kësaj bote dhe gjërat e urryera te personi. Varësisht sesa ai e plotëson teuhidin dhe besimin atëherë me dhimbjet, shqetësimet dhe gjërat që i urren, do të përballet me zemër të hapur, me shpirt të qetë dhe me dorëzim e pajtim ndaj Caktimeve të dhimbshme.

۞ Teuhidi liron nga robërimi ndaj krijesave, lidhja për ta, frika ndaj tyre, shpresa tek ta dhe nga vepra e bërë për hir të tyre, e pa dyshim kjo është krenaria reale dhe nderi më i lartë që arrihet në jetën e kësaj bote. Kjo ndodhë kur njeriu adhuron vetëm Allahun, shpreson vetëm tek Ai, i frikësohet vetëm Atij e i kthehet me pendim vetëm Atij. Vetëm në këtë mënyrë do të ketë sukses dhe shpëtim në të dyja botët.

۞ Kur teuhidi plotësohet në zemrën e njeriut dhe realizohet siç kërkohet, me sinqeritet të plotë, atëherë kjo bën që edhe nëse personi ka vepra të pakta e të vogla, Allahu ia shumëfishon ato, pa masë. Po ashtu fjala e sinqeritetit La ilahe ilAllah do të peshojë shumë rëndë në ditën e Gjykimit, më shumë se qiejt e toka. Transmetohet në hadithin e përcjellë prej Ebu Sejid el Hudriut radijAllahu anhu i cili përmend se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se në Ditën e Gjykimit Allahu urdhëron të vendoset në njërën anë të Peshores një skedë ku shkruan La ilahe ilAllah, ndërsa në anën tjetër vendosen 99 regjistra të personit, të mbushura më mëkatet e tij, aq sa sheh syri i tij. Megjithatë fjala e teuhidit (që e ka thënë) rëndon më shumë se ato 99 regjistra të mbushura me mëkate. Mirëpo, kjo ndodh atëherë kur njeriu këtë fjalë e ka thënë me sinqeritet të plotë, pastaj ka vepruar me kushtet e saj. Sa e sa njeriu e thotë atë me gjuhë, por nuk e arrin këtë pozitë madhështore që tregohet në këtë hadith!

۞ Allahu garanton për ithtarët e teuhidit se do t’i ndihmojë e përkrahë, do t’u japë krenari e nderë në të dy botët, garanton se për ta do të ketë udhëzim e lehtësim të gjërave, përmirësim të gjendjeve dhe se do t’iu japë korrektësi e saktësi në fjalë e vepra.

۞ Allahu i mbron ithtarët e teuhidit e të besimit nga të këqijat e jetës së kësaj bote dhe të botës tjetër. Allahu i begaton ata me jetë të mirë e të qetë shpirtërore dhe i begaton me qetësi kur përmendin Allahun.

Për të gjitha këto dëshmojnë shumë ajete kuranore dhe hadithe profetike.”

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

 

Madhësia e tekstit