Disa edukata për besimtarin gjatë Ramazanit

Disa edukata për besimtarin gjatë Ramazanit

Agjërimi i muajit Ramazan nuk mund të jetë ashtu siç duhet e siç kërkohet nga Allahu nëse është i zhveshur nga edukata dhe disa rregulla të caktuara. Ato ia shtojnë hijeshinë agjërimit dhe shfaqin bukurinë që përmban ai. Prej tyre janë:

۞Sinqeriteti për Allahun, el ikhlas. Allahu thotë: “…adhuro vetëm Allahun me përkushtim të çiltër për Të!” Zumer 2. Patjetër agjërimi ynë duhet të jetë me sinqeritet për Allahun, për hir të Tij, jo të agjërojmë sepse po agjërojnë banorët e vendit tonë. Sinqeriteti është kusht për pranimin e çdo adhurimi ndaj Allahut.

۞Besimi dhe shpresa, që do të thotë: të agjërojmë duke qenë të bindur se Allahu e ka bërë obligim muajin e Ramazanit dhe duke shpresuar në shpërblimin e Tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe me shpresë (në shpërblim), atij i falen mëkatet e kaluara.”

۞Nxitimi në vepra të mira. Allahu thotë: “…bëni garë me njëri-tjetrin për punë të mira”. Bekare 148.

۞Ruajtja e gjuhës nga defektet e saj, si: gënjeshtra, përgojimi, bartja e fjalëve etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kushdo që nuk braktisë gënjeshtrën dhe të vepruarit me të dhe injorancën, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai të braktisë ushqimin dhe pijen.”

۞Thënia “Unë jam agjërueshëm!” kur dikush të shan, të ofendon, të lëndon, kur tenton të polemizojë me ty, të ngritët me ty. Kur e thua atë (rrjedhimisht) ia kujton edhe tjetrit, në mënyrë që të dy të zmbrapseni e të mos futeni në gjëra të këqija. Kjo pa dyshim bën që pastaj t’i përmbahesh edukatës dhe qetësisë gjatë agjërimit. Të mos jenë të njëjta ditët e agjërimit tonë sikur ditët e tjera të vitit.

۞Solidarizimi me njerëzit e varfër, t’iu ndihmojmë atyre, t’iu shtojmë iftare etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thoshte: “Kush i jep iftar agjëruesit do ta ketë shpërblimin sikur të tij, pa ia mangësuar shpërblimin e agjërimit.”

۞Shpejtimi i iftarit dhe vonimi i syfyrit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thoshte: “Njerëzit do të vazhdojnë të jenë mirë përderisa e shpejtojnë iftarin…” Posa të perëndojë dielli ta çelim iftarin (mos ta vonojmë). “…dhe e vonojnë syfyrin.” E vonojnë deri pak para se të hyjë koha e namazit të sabahut.

۞Çelja e iftarit me hurma të njoma. Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e çelte iftarin me hurma të njoma para se ta falte namazin e akshamit e nëse nuk kishte, atëherë me hurma më të pjekura e nëse nuk kishte as prej tyre, atëherë pinte ujë.

۞Falja e namazit në kohën e vet. Të mos lejojmë assesi që gjumi të bëhet shkak të na ikë namazi. Allahu thotë: “…namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar”. Nisa 103. Të falim edhe namazin e teravive, të falemi së bashku me muslimanët, të arrimë vlerën e madhe të namazit të natës, të mos tregohemi të shkujdesur ndaj kësaj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush falet me imamin (në namazin e teravive) derisa ai të përfundojë, i shkruhet se është fal gjatë gjithë natës.”

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit