Disa nga gjërat e vështira të Ditës së Kiametit

Disa nga gjërat e vështira të Ditës së Kiametit

1.Vendosja e Peshores, për të peshuar veprat e njerëzve. Përmes saj, Allahu do ta shfaqë drejtësinë e Tij absolute dhe çdokush do të shohë veprat e veta duke u peshuar. Do të peshohen edhe veprat që janë sa grimca më e vogël, që janë shumë të imëta. Kur besimtari e kujton këtë, do të përmirësohet dhe do të përgatitet sa është në këtë jetë, që në atë Ditë në peshoren e veprave të tij të vendosen veprat e mira kah të cilat do të anojë peshorja dhe ai do të shpëtojë. Allahu thotë: “Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.” Enbija 47. Dhe: “Peshimi (i veprave), atë ditë do të jetë i drejtë. Ata që u rëndon peshorja me vepra të mira, do të jenë të shpëtuar; kurse ata që e kanë të lehtë peshoren me vepra të mira, do të humbin veten e tyre, për shkak se mohuan shpalljet Tona.” Araf 8-9. Kjo peshore është e vërtetë dhe ka dy anë: në njërën anë vendosen veprat e mira e në anën tjetër veprat e këqija dhe peshohen. Ajo është e madhe dhe i përfshinë të gjitha veprat e të gjitha krijesave, sado që ato (veprat) janë të shumëllojshme e të shumta. Gjërat që peshohen janë tri: veprat e njeriut, regjistrat e veprave të tij dhe vetë njeriu.

2. Leximi i regjistrave të veprave, ku janë të shkruara të gjitha veprat e njerëzve, pa u mangësuar asgjë. Çdo gjë që e vepron njeriu, sa është në këtë jetë, shkruhet në regjistrin e veprave të tij dhe atë do ta lexojë në Ditën e Gjykimit. Engjëjt shkruajnë çdo gjë që ne veprojmë sa jemi në këtë jetë, çdo gjë që e themi, madje dhe nijetet tona. Kur të vdesë njeriu, regjistri i tij mbyllet (më nuk shkruhet në të), por në Ditën e Gjykimit hapet dhe ai do t’i shohë e lexojë veprat e tij, ndonëse i ka harruar, “Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!” Isra 13-14. Hasan el Basriu rahimehullah ka thënë: “Allahu është treguar korrekt dhe i drejtë me njeriun, kur e ka lënë që vetë ta marrë veten e tij në llogari.” Çdo njeri do ta lexojë regjistrin (librin) e veprave të tij, qoftë nëse ka ditur të lexojë në këtë botë apo jo. Ato janë shkruar saktësisht, pa munguar asgjë, “Ky është Libri Ynë, që do t’ju tregojë të vërtetën. Ne i kemi urdhëruar (engjëjt) që të shkruajnë të gjitha ç’keni bërë.” Xhethije 28-29. Njerëzit në këtë Ditë të vështirë, sa i përket regjistrave, ndahen në dy grupe:

  1. Ata që i marrin regjistrin e veprave të veta me duart e tyre të djathta, duke përjetuar gëzim e lumturi të papërshkrueshme, kjo ngase e dinë se kjo është shenjë se pas kësaj do të vijë shpëtimi e fitimi i madh për ta.
  2. Ata që i marrin regjistrat e veprave të veta me duart e tyre të majta, mbrapa shpinës (do t’u dredhohen duart e do t’u vendosen mbrapa shpinës), duke përjetuar poshtërim e nënçmim të madh. Allahu thotë: “Atë Ditë do të mbeteni zbuluar dhe asnjë fshehtësi e juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur: Ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e djathtë, do t’u thotë (njerëzve të tij): “Ja, lexoni librin tim! Vërtet, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari.” Kështu, ai do të ketë jetë të lumtur, në një kopsht të lartë, frutat e të cilit do t’i kapë lehtë. (Njerëzve të tillë u thuhet:) “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!” Por ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e majtë, do të thotë: “Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im dhe të mos e kisha ditur llogarinë time! Ah, të kisha qenë i vdekur (e të mos isha ringjallur)! Pasuria ime nuk më solli dobi dhe më la fuqia ime!” (Do të thuhet) “Kapeni dhe lidheni në pranga, pastaj digjeni në zjarrin përvëlues, mandej lidheni në zinxhirë prej shtatëdhjetë kutësh, sepse ai, me të vërtetë, nuk ka besuar në Allahun e Madhërishëm dhe nuk është kujdesur për të ushqyer të varfrit e shkretë. Prandaj, ai sot këtu s’ka mik të afërt e as ushqim tjetër, përveç qelbit, të cilin e hanë vetëm gjynahqarët.” Hakka 18-37.

3. Errësira e madhe. Aq errësirë e madhe që është saqë askush nuk ka mundësi të shohë dorën e vet. Pas kësaj errësire, ndodhet zjarri i xhehenemit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është pyetur: “Ku do të jenë njerëzit atë Ditë kur qiejt dhe toka do ndryshohen (pas Kiametit)?” Ndërsa ai ka thënë: “Do të jenë në një errësirë të plotë para Urës (së Siratit).” Kjo errësirë pra do të jetë para Urës së Siratit. Në këtë errësirë, disa njerëz Allahu i veçon me dritë, në varësi të besimit që kanë pasur në jetën e kësaj bote dhe veprave të mira që kanë bërë. “Disave u jepet dritë sa një mal i madh. Disave më pak se kaq. Disave sa një palmë e madhe në anën e djathtë të tyre. Disave më pak se kaq. I fundit që do të ketë dritën më të paktë, do të jetë ai të cilit do t’i jepet dritë në gishtin e madh të këmbës. Nganjëherë kjo dritë do t’i ndriçojë e herë do t’i fiket. Kur i ndriçon, ai ecën pak e kur i fiket, ai ndalet (nuk sheh të ecë).” Për të arritur një dritë sa më të plotë duhet të pendohemi për mëkatet dhe të ruhemi prej tyre. Duhet ditur se kjo dritë është dhunti prej Allahut i Cili ia jep kujt të dojë, në këtë botë dhe tjetrën, Ai, të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë më dritë.” Nur 40. Për këtë, duhet t’i kushtojmë rëndësi dy gjërave duke i pasur për synim:

-Kthimin tek Allahu me lutje për të na dhënë prej dritës së Tij.

-Luftimin e vetes duke u munduar t’i përmbahemi dritës së besimit, adhurimeve dhe bindjes ndaj Allahut. Hisja jonë në këtë dritë do të jetë po aq sa kemi hise në besim dhe vepra të mira.

4. Shpëtimi dhe fitimi i madh. Ai është shpëtimi prej zjarrit të xhehenemit. Allahu thotë: “…kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” Ali Imran 185. Para këtij shpëtimi do të kalojnë përjetim të rëndë, “Dhe nuk ka asnjë prej jush që të mos arrijë tek ai (Xhehenemi). Kjo është vendosur prerazi nga Zoti yt. Pastaj do t’i shpëtojmë ata që kanë kishin frikë (prej Allahut) dhe do t’i lëmë keqbërësit të gjunjëzuar në të.” Merjem 71-72. Ky shpëtim nuk arrihet ndryshe përveçse duke kaluar nëpër urën e Siratit, të cilën Allahu e vendos në mes të xhehenemit (mbi të) në Ditën e Gjykimit. Sirati është më i mprehtë sesa tehu i shpatës dhe më e hollë sesa qimja e flokut. Disa njerëz do ta kalojnë më shpejt e disa më ngadalë, do të ketë dallime ndërmjet tyre në këtë gjë (varësisht nga veprat që kanë bërë). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ka prej besimtarëve të cilët këtë Urë e kalojnë sa hap e mbyll sytë, disa e kalojnë si vetëtima, disa me shpejtësi të erës, disa me shpejtësinë e shpendëve, disa me shpejtësinë e kuajve më të mirë apo të deveve; prej tyre ka që shpëtojnë pastër (kalojnë shpejt pa u gërvishtur nga grepat anash saj), e ka prej tyre që gërvishten.” Njerëzit sa i përket kalimit të Urës së Siratit ndahen në tri grupe:

  1. Ata që e kalojnë dhe shpëtojnë pa u gërvishtur.
  2. Ata që e kalojnë duke u gërvishtur (nga grepat e saj).
  3. Ata që hedhen në zjarr (që është poshtë saj).

Njeriu patjetër do të kalojë nëpër Sirat. Porse, ne nuk e dimë se a do të jetë prej të shpëtuarve apo jo. Andaj secili duhet të ndalet e të mendojë për veprat e tij, se a ka vepra të bollshme me të cilat fiton dritë të madhe e të bollshme përmes së cilës do arrijë ta kalojë Urën e Siratit duke shpëtuar kështu nga zjarri i xhehenemit. A jemi duke u përgatitur për këtë ngjarje dhe vështirësi të madhe? Duhet ta lusim Allahun vazhdimisht që të na bëjë prej të shpëtuarve! Kujtimi i gjithë kësaj e nxitë njeriun në shtimin e veprave të mira dhe në largimin prej mëkateve. Allahu edhe në jetën e kësaj bote e ka vendosur një rrugë, një Sirat, dhe i ka urdhëruar njerëzit që ta ndjekin atë. Kalimi nëpër Urën e Siratit në ditën e Gjykimit është në varësi të asaj se si e kalojmë këtë rrugë në dunja. Nëse e kalojnë këtë rrugë shpejt duke qenë të përqendruar e me këmbë të forta, atëherë edhe në Urën e Siratit këmbët tona do të jenë të forta dhe do të qëndrojnë fort gjatë kalimit nëpër të. E nëse këtë rrugë e kalojmë shpejt, me vepra të mira, atëherë edhe Urën e Sirarit do ta kalojmë shpejt. Nëse jemi larguar prej kësaj rruge dhe e kemi hedhur pas shpine, atëherë nga Ura e Siratit do të rrëshqasim dhe do të biem poshtë në xhehenem. Po ashtu, grepat e saj, i kapin njerëzit e i gërvishtin, në bazë të veprave që kanë bërë në jetën e kësaj bote (mëkateve e të këqijave). Edhe në jetën e kësaj bote ka grepa të tillë që i kapin njerëzit dhe i largojnë nga rruga drejt së cilës ka urdhëruar Allahu, siç thamë, e këto grepa janë dyshimet dhe epshet. Andaj nëse lejojmë që epshet dhe dyshimet të na kapin dhe të na largojnë nga rruga e drejtë, atëherë edhe në Ditën e Gjykimit do na kapin grepat dhe do të na tërheqin nga Ura e Siratit.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Disa nga gjërat e vështira të Ditës së Kiametit” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit