Disa rregulla në lidhje me shpërblimin dhe dënimin

Disa rregulla në lidhje me shpërblimin dhe dënimin

Shpërblimi prej Allahut për robin e Tij është kryekëput bujari prej Tij dhe nuk kemi asnjë të drejtë tek Ai. Kështu duhet të kuptohet drejt hadithi në të cilin Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka pyetur Muadhin radijAllahu anhu: “O Muadh, a e di se cila është e drejta e Allahut mbi robërit e Tij dhe e drejta e robërve të Allahut ndaj Tij? E drejta e Allahut mbi robërit e Tij është që ta adhurojnë Atë e të mos i shoqërojnë asgjë në adhurim dhe e drejta e robërve të Allahut ndaj Tij është të mos i dënojë ata të cilët nuk i kanë shoqëruar Atij asgjë në adhurim.”  Të mos keqkuptohet se kjo e drejtë është sikur e drejta e atij që punon te pronari i tij dhe në fund e kërkon të drejtën e tij. Shpërblimi që e merr njeriu tek Allahu nuk është kështu. Allahu ia ka bërë obligim këtë të drejtë Vetes së Tij, e jo që ia kemi bërë obligim me veprat tona. Allahu ka premtuar dhe Ai nuk e thyen Premtimin e Tij. Allahu shpërblen dhe nuk i bën padrejtësi askujt.

Kur njeriu i beson këto tri gjëra, e kupton se ai nuk ka të drejtë tek Allahu me punët e tij që të shpërblehet. E realisht, besimi dhe punët që i ka kryer, janë prej Allahut. Ai e ka krijuar dhe i ka dhënë fuqi e dëshirë dhe e ka udhëzuar. Kjo është me rëndësi të kuptohet: një shpërblim të cilin Allahu ia jep njeriut, Ai këtë nuk e ka obligim, siç e ka obligim njeriu ndaj njeriut.

E mira shumëfishohet, prej dhjetë deri në shtatëqind e më tepër, siç ka ardhur në një hadith për agjërimin, në të cilin Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem tregon se Allahu ka thënë: “Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të.”

Njeriu shpërblehet kur vepron një të mirë dhe kur bëhet shkaktar për të mirën. Ai që ka dert shpirtin e tij, mendon të lërë diçka edhe pas vdekjes së tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur vdes njeriu i mbyllen regjistrat e veprave, përveç për tri gjëra: dituria e dobishme, lëmosha rrjedhëse dhe fëmija i mirë.”

Shpërblimi për një vepër të mirë arrihet kur personi i plotëson kushtet dhe i largon pengesat. Kushtet ishin: të jetë musliman, të jetë i sinqertë (në veprimin e veprës) dhe ta veprojë atë sipas sunetit profetik. Ndërsa, pengesat janë: të mos jetë diçka që i pengon direkt këto kushte, apo të zhvlerësohet kur peshohet në peshore dhe të mundet nga të këqijat.

Edhe në lidhje me veprën e keqe janë disa rregulla:

Allahu nuk i bën padrejtësi njeriut. Allahu thotë: “Vërtet, Allahu nuk dëmton askënd asnjë grimë” Nisa 40, dhe në hadith kudsij thotë: “Allahu ia ka bërë të ndaluar padrejtësinë Vetes së Tij dhe e ka bërë të ndaluar mes jush, andaj mos bëni padrejtësi!”

E cekëm më lartë se vepra e mirë shpërblehet dhjetë deri në shtatëqind fish e më tepër, porse kështu nuk është edhe me veprën e keqe. E keqja dënohet me një dënim, e jo më tepër.

Vepruesi ka shpërblim për veprimin e veprës së mirë, por edhe kur bëhet shkaktar për atë të mirë. Njashtu dhe me të keqen, vepruesi ka dënim për të, por edhe kur bëhet shkaktar për atë të keqe. Për këtë, thuhet: “Lumë për atë me vdekjen e të cilit vdesin mëkatet e tij!” Nuk është bërë shkaktar për një mëkat të cilin ai e ka nisur dhe vazhdon të veprohet edhe pas vdekjes së tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka njëri që e mbyt një njëri tjetër, veçse një pjesë e mëkatit i shkon djalit të Ademit (Kabilit), i cili e ka nisur i pari vrasjen.

 

Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit