Dispozitat e ezanit dhe ikametit
- Ezani përfshin madhërimin ndaj Allahut dhe njëshmërinë e Tij si dhe dëshminë se Muhamedi është i dërguar i Allahut. Ezani të thërret në mirësi. Ai është thirrje e përkryer.
- El edhan gjuhësisht d.m.th. shpallje, njoftim, lajmërim. Allahu thotë: “Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luf.të nga Allahu dhe i Dërguari i Tij.” Bekare 278-279. Dhe: “Ja shpallja e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij drejtuar njerëzve në ditën e haxhit të madh…” Teube 3. Ndërsa, fetarisht d.m.th.: njoftim a lajmërim i veçantë. Përkufizimi i ezanit: adhurim që kryhet për hir të Allahut, me një përmendje (dhikër) të veçantë, kur të hyjë koha e namazit, për të treguar/lajmëruar hyrjen e tij.
- Ezani është adhurim obligativ, ngase Allahu ka dhënë shenjë për të në Kuran, ndërsa Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka urdhëruar për thirrjen e ezanit. Allahu thotë: “Kur thërrisni për namaz (përmes ezanit)…” Maide 58. Dhe: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë)…” Xhuma 9.
- Fjala Ikamet gjuhësisht d.m.th.: ngritje e një gjëje dhe vendosja drejt. Në anën fetare d.m.th.: adhurim që kryhet për hir të Allahut me një përmendje të veçantë të Tij, kur njerëzit ngrihen në këmbë për të falë namazin.
- Dallimi mes tyre: ezani është shpallje apo njoftim për namaz që njerëzit të përgatiten për ta falë atë, ndërsa ikameti është shpallje apo njoftim që tregon për hyrjen në namaz. Dallojnë edhe për nga forma.
- A është më e vlefshme thirrja e ezanit dhe ikametit, apo falja si imam? Sipas mendimit më të saktë, thirrja e ezanit është më e vlefshme se të falësh namazin si imam, kjo për shkak të haditheve të shumta që tregojnë për këtë, si: “Sikur ta dinin njerëzit se çfarë shpërblimi të madh ka në thirrjen e ezanit dhe faljes në safin e parë e pastaj të mos gjenin mundësi tjetër për ta zgjidhur se kush të thërrasë ezanin e kush të falet në saf të parë, veçse duke hedhur short, atëherë do të hidhnin short për këtë.”
- Ezani dhe ikameti janë farz kifaje – obligim kolektiv (nëse e kryen një pjesë atëherë obligimi hiqet për të tjerët). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka urdhëruar të thirret ezani dhe ikameti, ai kurrë nuk ka lënë, qoftë në Medine apo gjatë udhëtimeve. Nuk mund të dihet saktë koha se kur hyn koha e namazit veçse përmes ezanit. Po ashtu njerëzit e ndërprenë syfyrin përmes ezanit të muezinit (kur thirret në kohën e saktë) për të filluar agjërimin, dhe e ndërprenë agjërimin përmes ezanit duke bërë iftar. Me ezanin dhe ikametin lidhen dobitë e muslimanëve në përgjithësi, ngase janë simbole të qarta e të dukshme të muslimanëve dhe të Islamit. Argument se është farz kifaje është hadithi: “Kur të hyjë koha e namazi atëherë njëri prej kush le të thërrasë ezanin.” Ka dhënë urdhëruar, për ta thirrur njëri (e nuk është obligim për ta thirrur secili).
- Është farz kifaje për burrat (që kanë hyr në moshën madhore), përjashtohen: fëmijët, gratë etj. Është obligim edhe për vendasit edhe për udhëtarët.
- Ezani është obligim për pesë kohët e namazit obligativ (me xhemat në xhami). Ezani dhe ikameti bëhen obligim për namaz, e nuk janë obligime brenda namazit. Këtu hyn edhe namazi i xhumas, sepse siç e dimë zë vendin e drekës. Ezani nuk thirret kur personi do të falë vitrin, apo namazin e eklipsit, apo kur falet namazi i Bajramit etj. Kur ezani është thirrur në xhami dhe disa njerëz nuk janë zgjuar për namaz të sabahut, atëherë mjaftohen me ezanin që është thirrur në xhami (ai që falet vetëm e ka të preferuar të thërrasë ezanin). Ezani i përgjithshëm që thirret në qytet apo vend mjafton për heqjen e obligueshmërisë mbi të tjerët për ta thirrur atë. Në këtë rast këta persona e kanë për detyrë thirrjen e ikametit.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.