▪Nuk është zgjidhja e problemeve divorci, siç mendojnë shumë të rinj. Atyre, me problemet e para që dalin në martesë, u shkon mendja te divorci. Kjo është gabim. Allahu nuk e do divorcin (mes burrit e gruas). Ka hadithe që na tregojnë se nga fesadet që shejtani bën është ndarja mes burrit e gruas. Përderisa ky është një qëllim madhor i shejtanit, kjo i bie se Allahu nuk e do atë gjë, por e do shejtani (krijesa më e keqe). Kur muslimani lexon këto tekste duhet të reflektojë se e ka një armik të jashtëm që nuk e sheh, i cili e nxit vazhdimisht për urrejtje, armiqësi, ngatërresa, fjalosje, duke dërguar deri te ndarja. Andaj qëllimi i çiftit duhet të jetë e kundërta, pra ruajtja e martesës me të gjitha mundësitë.
Allahu ka caktuar faza nëpër të cilat duhet të kalohet e pastaj në fund ka vendosur divorcin (kur nuk ka fare zgjidhje). Por, shumë njerëz fillojnë prej fundit pa kaluar nëpër ato faza (nivele të zgjidhjes së problemeve). Ata (burrat) kanë në gjuhë fjalën divorc dhe kjo është në kundërshtim me mësimet e fesë. Së pari, ata duhet të mundohen të pajtohen mes vete, të zgjidhin problemet duke mos i nxjerrë jashtë shtëpisë. Nëse nuk munden dhe faji është te gruaja, atëherë burri përdor metodat e ligjshme, nëse faji është te burri atëherë çështja i parashtrohet familjeve të cilët gjejnë nga një person të mençur për ta trajtuar çështjen dhe që të vijnë deri te pajtimi, “Nëse i druheni ndarjes midis burrit e gruas, atëherë caktoni një ndërmjetës nga ana e burrit dhe një nga ana e gruas. Në qoftë se ata dëshirojnë paqësim, Allahu sjell marrëveshje midis tyre. Allahu, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i di të gjitha qëllimet.” Nisa 35.
Nëse edhe kjo dështon dhe vazhdojnë problemet, dhe burri veçse ka vendosur ta ndajë gruan atëherë këtë duhet ta bëjë në një kohë kur ajo është e pastër (jo me menstruacione) dhe që ende nuk ka bërë marrëdhënie intime (pas kohës së pastërtisë). Kjo që ai të ndalet të mendojë, të mos marrë vendime të shpejta. Kur burri jep divorcin kjo është pasi janë shterur të gjitha mundësitë e pajtimit, pasi është “shoshitur, peshuar” mirë puna.
Divorci shkakton traumë te njeriu. Nuk është një çështje e lehtë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Thyerja e gruas është divorci.” Ajo thyhet shpirtërisht dhe në të gjitha aspektet. Gjithashtu dhe burri përjeton thyerje.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.