Dobësimi i besimit dhe lënia e veprave të mira

  • Dobësimi i besimit dhe lënia e veprave të mira

Duhet shikuar se cila është arsyeja e dobësimit të besimit. Zakonisht arsyeja janë veprimi i mëkateve. Njeriu në fillim të Islamit ka një entuziazëm, dhe kështu shton dhe kryen veprat e mira, por pas një kohe kjo fillon të dobësohet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo gjë ka një entuziazëm (në fillim). Nëse ky entuziazëm nuk drejtohet për në sunet, atëherë njeriu do të humbasë e devijojë.” Për këtë, fillestarët në Islam, entuziazmin e fillimit duhet ta drejtojnë në rrugën e duhur, pra të kërkojnë dije se çfarë është parësore e obligative të veprojnë etj. Nëse ky entuziazëm nuk pajiset me dije të dobishme, ka mundësi që pas një kohe personi të lodhet. Për këtë arsye nëse nuk e ushqen besimin e tij me dije dhe vepra të mira, në fillimin e praktikimit të Islamit, pas një kohe fillon të dobësohet. Andaj shumë prej njerëzve i braktisin ato vepra të mira (që i vepronin) ngase zakonisht ndodhë ta kenë lëshuar veten në mëkate (shikim, dëgjim, përgojim etj.). Nëse njeriu vepron mëkate, kjo bëhet shkak që ta pengojnë prej veprave të mira. Mëkatet janë barrë e peshë e rëndë e cila vendoset mbi supet e tij, andaj ai nuk gjen vullnet të ngritët e të veprojë vepra të mira. Kështu, nëse do të kthehet në rrugën e Allahut dhe veprave të mira, nuk mjafton vetëm dëshira, por duhet marrë hapa konkret. Prej këtyre hapave është:

-bërja e lutjeve sinqerisht tek Allahu për kthim tek Ai, për përmirësim, për largim nga mëkatet.

-pendimi prej mëkateve dhe kërkimfalja (istigfari). Nga pendimi i sinqertë është dhe largimi prej shkaqeve që nxisin rënien në ato mëkate.

Duhet shikuar po ashtu se cila ka qenë arsyeja e lënies së veprave të mira. Nganjëherë arsyeja janë shoqëria. Nganjëherë ndodhë që besimtari të shoqërohet me njerëz që nuk i kushtojnë rëndësi të madhe kryerjes së veprave të mira, por më shumë janë të interesuar për çështjet e kësaj bote e që ia lidhin zemrën me jetën e kësaj bote, dhe në këtë mënyrë zemrat u ngurtësohen, e kur ngurtësohen atëherë nuk e pranojnë të mirën, veprat e mira etj. Këto zemra kanë nevojë të zbuten, të shkrihen, dhe kjo gjë bëhet me adhurime, me përmendje të Allahut, me kujtimin e botës tjetër, me kujtimin e vdekjes etj. Duhet shoqëruar me njerëz që ta kujtojnë Allahun e botën tjetër, që të nxisin të veprosh vepra të mira, ta kujtojnë se jeta e kësaj bote është e shkurtër etj.

Gjithashtu, në disa raste arsyeja mund të jetë lëshimi i shikimit në gjëra të ndaluara (TV, apo në mjetet teknologjike etj.).

Duhet kërkuar dije të dobishme, dije fetare, duke lexuar libra e duke dëgjuar ligjërata. Duhet lexuar Kuran, jo vetëm arabisht por edhe me përkthim e komentim (me meditim) për ata që nuk dinë arabisht, ngase në të është shërimi, “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët…” Isra 82. Kurani është shërim për trupa dhe zemra.

Mësimi i fesë së Allahut ndihmon në përmirësimin dhe shtimin e besimit, e si rrjedhojë kur besimi shtohet atëherë njeriu e dëshiron veprimin e të mirës dhe të adhurimeve.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit