Dy Sytë e Allahut – Cilësi e Tij
Allahu thotë: “…duro për gjykimin e Zotit tënd se, me të vërtetë, ti je nën Sytë Tanë” Tur 48.
Këtu përfshihen të tri llojet e durimit (durimi në kryerjen e urdhrave, durim ndaljen nga gjynahet dhe durimi ndaj fatkeqësive), pra edhe durimin ndaj gjykimeve universale dhe ndaj gjykimeve fetare – sheriatike. Durimi është obligativ.
“me të vërtetë, ti je nën Sytë” – Allahu i tregon Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem se ne kujdesemi për ty e të mbrojmë. Nuk ka diçka më të ndershme sesa kur i thua dikujt “Ti je në sytë e mi, në zemrën time!” duke treguar me këtë kujdes të veçantë ndaj tij. Kjo është formë e njohur e të shprehurit në gjuhën arabe që tregon se kujdesi, ruajtja dhe mbrojtja është e plotë, kur i drejtohesh dikujt me këtë fjalë. Pra, Allahu i thotë se je i ruajtur, ke siguri e mbrojtje të plotë prej Tij, Sytë e Mi vazhdimisht do të jenë mbi ty, do të ruaj, do të siguroj, do të mbroj dhe do të përkujdesem për ty, andaj të mos i kushtosh rëndësi lëndimeve e ofendimeve që t’i bëjnë jobesimtarët.
Ibën Kajimi rahimehullah thotë: “Prej këtij ajeti përfitojmë një dobi të madhe: Kush tregohet i durueshëm ndaj gjykimeve dhe vendimeve të Allahut, me të tri llojet e durimit, atëherë Allahu do ta marrë përsipër sigurinë, mbrojtjen dhe ruajtjen e tij, po ashtu ky ajet tregon se Ai do të jetë me të.”
Ky ajet pohon se Cilësi e Allahut janë dhe Sytë e Tij. Ai me dy Sytë e Tij i sheh të gjitha krijesat. Formën se si janë Sytë e Allahut, ne nuk e dimë. Kjo Cilësi e Allahut është e vërtetë, ashtu siç i takon madhështisë dhe madhërisë së Tij. Është Cilësi e Qenies së Allahut, Ai gjithmonë e ka pasur atë dhe vazhdon ta ketë pa fund. Prej argumenteve që tregojnë se Allahu i ka dy Sy si cilësi e tij është hadithi sahih që transmetohet te Buhariu dhe Muslimi: “Dexhali është awar, kurse Zoti juaj (Allahu) nuk është awar.” Fjala awar do të thotë: Kur dikush i ka dy sy por njërin e ka të verbër. Pra, Allahu sheh me sy Sytë e Tij. Sikur Allahu të kishte më shumë se dy Sy, atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem do ta sqaronte këtë gjë në këtë hadith e do të thoshte se Zoti juaj ka shumë Sy, mirëpo ka thënë “nuk është awar”, që do të thotë se Ai sheh me dy Sy, e nuk është si Dexhali i cili njërin sy e ka të verbër.
***
Allahu thotë: “Nuhun e bartëm në një barkë (të ndërtuar) prej dërrasash dhe gozhdësh, e cila lundronte nën Sytë Tanë: si shpërblim për atë (Nuhun) i cili u mohua.” Kamer 13-14.
Populli i Nuhut alejhi ue selem janë tallur me të për ndërtimin e anijes, ngase në vendin e tyre s’ka pasur det e oqean. Ky ajet tregon se ai e ka ndërtuar këtë anije me urdhrin e Allahut dhe nën Shikimin e Tij – dmth nën përkujdesjen e Allahut. Ai vazhdimisht e ka shikuar Nuhun duke ndërtuar këtë anije dhe e ka inspiruar (i ka zbritur shpallje, e ka mësuar se si ta ndërtojë atë).
“nën Sytë Tanë” – ka lundruar e shoqëruar me Shikimin e Allahut.
***
Allahu thotë: “Unë kam hedhur në ty dashurinë Time, që të rritesh nën Syrin (kujdesin) Tim.” Ta he 39.
Allahu thotë për Musain alejhi ue selem: “Unë kam hedhur në ty dashurinë Time…” Ta he 39. Disa dijetarë kanë thënë se për qëllim është se Allahu e ka dashur atë shumë, ndërsa disa të tjerë kanë thënë se është për qëllim se e kanë dashur të tjerët, andaj kushdo që e ka parë Musain e ka dashur atë (të dy kuptimet janë të lidhura me njëra-tjetrën ngase kur Allahu e do dikë, atë do ta duan edhe njerëzit).
Terbija (kujdesi) që Allahu ia bën dikujt nga ana fizike: ushqyerja, furnizimi etj. Terbija e mendjes është: morali etj. Musai i ka pasur të dyja këto. Allahu vazhdimisht është kujdesur për të, në mënyrë që kur të rritet të jetë i përgatitur për të bartë mesazhin me të cilin do të ngarkohet.
“Syrin Tim” – ka ardhur në njëjës, por këtu përfshihet çdo Sy i pohuar për Allahun (e në bazë të argumenteve pohohet se Allahu ka dy Sy).
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Akide Uasitije.