Dyshimi i gjashtë: “Unë e kërkoj shefatin nga i Dërguari sepse Allahu ia ka dhënë atë”
Nëse të thotë: “Të Dërguarit të Allahut do t’i jepet shefati, andaj unë e kërkoj prej tij atë që Allahu ia ka dhënë (shefatin).” Ti thuaji: “Është e vërtetë se Allahu ia ka dhënë atij shefatin, mirëpo Ai të ka ndaluar që ta kërkosh atë prej tij salAllahu alejhi ue selem. Argument janë fjalët e Allahut: “Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt, krahas dhe së bashku me Allahun!” Xhin 18. Nëse shpreson dhe kërkon nga Allahu që ta bëjë Muhamedin salAllahu alejhi ue selem ndërmjetës për ty, atëherë bindju Atij në këtë ndalesë: “mos iu lut askujt krahas dhe së bashku me Allahun”. Dhe thuaji: “Edhe dikujt tjetër do t’i jepet shefati përveç Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Është saktësuar në hadithe se edhe engjëjt do të ndërmjetësojnë. Është saktësuar gjithashtu se edhe fëmijët që vdesin para moshës madhore do të ndërmjetësojnë për prindërit e tyre. Do ndërmjetësojnë edhe evliatë (miqtë e Allahut). Pas gjithë kësaj, përderisa Allahu do t’ua japë atyre shefatin, a na lejohet t’i lusim e të kërkojmë prej tyre që të ndërmjetësojnë për neve?! Nëse thotë “Jo”, me këtë kuptojmë kotësinë e fjalëve të tyre “përderisa Allahu ia ka dhënë shefatin të Dërguarit mua më lejohet ta kërkoj prej tij”. Nëse e pranon këtë (se lejohet të kërkohet shefati prej tyre), atëherë është kthyer në adhurimin e krijesave të mira, kjo përmendet në Librin e Allahut.”
Shefati në esencë është vetë lutja. Andaj, nëse dikush kërkon prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem duke qenë ai në varr, qoftë te varri i tij apo prej shtëpisë ku është, e thotë: “O Muhamed, o i Dërguar i Allahut, ndërmjetëso për mua!”, apo “Lute Allahun për mua!”, kjo i bie se ai po e lut atë (ngase po kërkon prej tij). Ky është realiteti i kërkimit të shefatit. Të kërkosh shefatin është ta lusësh të vdekurin. Pra te lutja ndaj të vdekurit përfshihet edhe kërkimi i shefatit prej tij.
Nëse shkon te dikush t’i kërkosh që të lutet për ty, duke qenë ai gjallë, kjo lejohet, por fjala është kur e lut dikë që ka vdekur (e lut krahas Allahut, gjë që është e ndaluar).
-“mos iu lutni askujt” – me asnjë lloj të lutjes, si: lutja për ndihmë, për shpëtim, për shi, për ndërmjetësim etj. Dhe as me lutjen e kërkesës e as me lutjen e adhurimit.
-“mos iu lutni askujt” – as engjëjve, as Pejgamberëve, as të Dërguarve, as të devotshmëve, as evliave, as dëshmorëve, akujt. Asnjëherë sahabët nuk kanë shkuar të lusin dëshmorët e Uhudit apo t’i lusin që të ndërmjetësojnë për ta, kjo me njëzëshmëri në mesin e sahabëve. Kjo është e ndaluar.
-“Të Dërguarit të Allahut do t’i jepet shefati, andaj unë kërkoj prej tij atë që Allahu ia ka dhënë (shefatin)”- e vërtetë se të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem do t’i jepet shefati, kjo do të ndodhë në Ditën e Gjykimit, madje Allahu i ka dhënë lloje të ndryshme të ndërmjetësimit në atë Ditë, por njëkohësisht na ka ndaluar që këtë ndërmjetësim ta kërkojmë prej tij duke qenë ai i vdekur, në jetën e varrit. Duke qenë ti i gjallë e ai i vdekur, nuk lejohet të kërkosh prej tij sepse kjo është shirk. Kur shkon të kërkosh prej të vdekurit që të të ndërmjetësojë për ty, realisht e ke lutur atë, ia ke drejtuar një lutje të vdekurit.
-“mos iu lutni askujt krahas dhe së bashku me Allahun” – për diçka që nuk e ka në zotërim e në mundësinë e tij, që është vetëm në mundësinë e forcën e Allahut, që është vetëm nën kompetencën e Tij (prej tyre shefati). Pra, nëse kërkon dhe e lut dikë tjetër për diçka që nuk është në mundësinë e tij, realisht e ke adhuruar dhe e ke lutur krahas Allahut.
-“Është saktësuar në hadithe se edhe engjëjt do të ndërmjetësojnë” – Ka ardhur te Muslimi ku Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se Allahu do të thotë në Ditën e Gjykimit: “Ndërmjetësuan engjëjt (d.m.th. për muslimanët mëkatarë që të nxirren nga xhehenemi e të futen në xhenet), ndërmjetësuan të Dërguarit dhe ndërmjetësuan besimtarët, tash nuk mbeti askush tjetër përveç Atij që është më i Mëshirshmi i të gjithëve (Allahu).” Dhe Allahu në fund i nxjerr besimtarët e fundit nga xhehenemi e i fut në xhenet.
-“Është saktësuar gjithashtu se edhe fëmijët që vdesin para moshës madhore do të ndërmjetësojnë për prindërit e tyre” – Transmetohet te Ahmedi dhe Tirmidhiu se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Atë të cilit i vdesin dy fëmijë para se të arrijnë moshën madhore, prej umetit tim, Allahu do ta fusë në xhenet.” Aisha ka pyetur: “E nëse një?” I thotë: “Edhe nëse i vdes një fëmijë, o ty që Allahu të ka dhënë sukses (për ta bërë këtë pyetje)!” – “E nëse nuk i vdes asnjë?” –“Atëherë unë jam ndërmjetësuesi për të, ngase umeti im nuk është goditur me humbje më të madhe sesa me humbjen (vdekjen) time.” Dhe transmetohet te Nesaiu e Ahmedi se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë një personi të cilit i ka vdekur fëmija: “A nuk ke dëshirë që në Ditën e Gjykimit sa herë t’i afrohesh një dere prej dyerve të xhenetit të gjesh fëmijën tënd duke të të pritur?!” E kanë pyetur se a është kjo e veçantë vetëm për këtë person apo për të gjithë umetin, ka thënë: “Për të gjithë.” Fëmijët nuk do të hyjnë në xhenet pa hyrë edhe prindërit e tyre bashkë me ta, pra ata ndërmjetësojnë për ta.
-“Do ndërmjetësojnë edhe evliatë (miqtë e Allahut)”- Transmeton Muslimi se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, askush prej jush nuk i përgjërohet dikujt më shumë sesa që do t’i përgjërohen Allahut besimtarët në Ditën e Gjykimit për të kërkuar të drejtën e tyre (me këmbëngulje), që është nxjerrja e vëllezërve të tyre prej besimtarëve të cilët janë duke u dënuar në xhehenem. Ata thonë: “O Zoti ynë! Ata kanë agjëruar së bashku me neve, janë falur së bashku me neve, kanë bërë haxh së bashku me neve!” Atëherë u thuhet: “Shkoni në xhehenem që të nxirrni ata që njihni (prej tyre).”
-“…a na lejohet t’i lusim e të kërkojmë prej tyre që të ndërmjetësojnë për neve?!”- Edhe fëmijëve që vdesin në moshën madhore Allahu do t’ua japë shefatin në Ditën e Gjykimit, atëherë a lejohet që të kërkojmë shefat prej tyre? Askush nuk thotë që të kërkohet shefati prej fëmijëve të vegjël.
Allahu na ka ndaluar që të kërkojmë shefatin prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Ndërsa, ata thonë: “Përderisa Allahu ia ka dhënë shefatin, atëherë neve na lejohet ta kërkojmë prej tij atë”. Atëherë së pari ia sjellim argumentin: “…mos iu lutni askujt, krahas dhe së bashku me Allahun!”, nëse nuk e pranon këtë atëherë i pyesim: “A do të ndërmjetësojnë engjëjt njëjtë si Pejgamberi në Ditën e Gjykimit? Nëse thotë: “Jo, nuk kërkohet shefati prej engjëjve”, ai është i mundur (ka humbur) ngase Allahu ka treguar se engjëjt do të ndërmjetësojnë: “ata (engjëjt) ndërmjetësojnë vetëm për atë me të cilin Ai është i kënaqur” Enbija 28, dhe hadithi më lartë: “Ndërmjetësuan engjëjt…” me këtë dhe do të kuptojmë kotësinë e fjalëve kur thonë se na lejohet kërkimi i shefatit prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem përderisa Allahu ia ka dhënë atë, ata bëjnë dallim, thonë prej Pejgamberit lejohet të kërkohet shefati ndërsa prej engjëjve jo sepse kjo është shirk, pra bëjnë dallim (porse as prej engjëjve e as prej Pejgamberit nuk kërkohet shefati, përveçse prej Allahut), duke rënë në kontradiktë me vetveten e tyre. E nëse thotë: “Po, kërkohet shefati prej tyre”, ka rënë në fenë e idhujtarëve të parë. Megjithëkëtë, ata nuk pranojnë për të kërkuar shefatin prej engjëjve dhe pajtohen se kjo është shirk i madh.
-“… kjo përmendet në Librin e Allahut” – Allahu e përmend në Kuran se lutja drejtuar engjëjve është adhurim ndaj tyre, adhurim kushtuar dikujt tjetër përveç Allahut. Për këtë kanë pajtueshmëri të gjithë. Idhujtarët e kohës së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem kanë kërkuar prej engjëjve që të ndërmjetësojnë për ta tek Allahu dhe për këtë u janë afruar me lloje të ndryshme të adhurimeve.
Në këtë mënyrë kuptojmë kotësinë e këtij dyshimi përmes të cilit pretendojnë se u lejohet të kërkojnë shefatin prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset “Keshfu shubuhat”.