Dyshimi i katërt: “Lutja drejtuar njerëzve të mirë…”
Autori thotë: “Nëse të thotë: “Unë nuk adhuroj askënd tjetër përveçse Allahun. Kur kërkoj strehim dhe kur i lus njerëzit e devotshëm, kjo nuk është adhurim (ndaj tyre).” Thuaji: “A e pranon se Allahu ta ka bërë obligim që adhurimin t’ia kushtosh vetëm Atij sinqerisht? Dhe kjo është e drejta e Allahut ndaj teje. Nëse të thotë: “Po, e pranoj.” Atëherë thuaji: “Më sqaro këtë gjë që Allahu ta ka bërë obligim, që është adhurimi i sinqertë ndaj Allahut. Dhe sqaroma këtë adhurim që është e drejta e Allahut mbi ty.” Dhe do të shohësh se ai nuk e di se çfarë është adhurimi, as llojet e tij. Andaj, sqaroja se çfarë është adhurimi dhe llojet e tij. Thuaji se Allahu ka thënë: “Lutjuni Zotit tuaj përulshëm dhe ngadalë! Njëmend, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” Araf 55. Kur ia mëson këtë ajet, thuaji: “Lutja, a është prej adhurimit ndaj Allahut?” Patjetër do të thotë po, lutja është adhurim, është prej adhurimit. Atëherë thuaji: “Nëse pranon se lutja është adhurim dhe e lut Allahun gjatë ditës e natës, me frikë dhe shpresë, pastaj për një nevojë i lutesh një Pejgamberi apo dikujt tjetër, a ia ke shoqëruar dikë tjetër Allahut në këtë adhurim (në lutje)?” Patjetër se do të thotë po. Thuaji: “Allahu i Lartësuar thotë: “Falu për hir të Zotit tënd dhe ther kurban”. Keuther 2. Pastaj pyete: “Nëse i bindesh Allahut në këto urdhra (që përmenden) në ajet, a llogaritet adhurim?” Patjetër se do të thotë po. Thuaji: “Mirëpo, nëse njëkohësisht ther kurban për një Pejgamber, apo xhind, apo dikë tjetër, a i ke bërë shirk Allahut në këtë adhurim (në therjen e kurbanit)? Patjetër se do të thotë po. Thuaji: “Mushrikët tek të cilët ka zbritur Kurani, a i kanë adhuruar engjëjt dhe njerëzit e devotshëm, si: Latin etj.?” Patjetër se do të thotë po. Thuaji: “A i kanë adhuruar me diçka tjetër përveçse me lutje, me therje të Kurbanit, me kërkim strehimi/mbrojtje e të ngjashme? Ata e kanë pranuar se të gjithë janë robër të Allahut dhe se janë nën pushtetin e Tij dhe kanë besuar bindshëm se vetëm Allahu e drejton këtë univers, mirëpo i kanë lutur njerëzit e devotshëm dhe kanë kërkuar strehim tek ta që të ndërmjetësojnë për ta tek Allahu, dhe kjo është shumë e qartë.”
-Pas shtjellimit të tri dyshimeve të mëdha, ata tregohen mendjemëdhenj e arrogantë dhe ta sjellin këtë dyshim duke thënë: “Unë nuk adhuroj askënd tjetër përveçse Allahun. Kur kërkoj strehim dhe kur i lus njerëzit e devotshëm, kjo nuk është adhurim (ndaj tyre).” Sikur thonë: Nuk mundë të na akuzoni se ne po i adhurojmë në vend të Allahut. Këto fjalë mund t’i thotë çdo mushrik, ngase nuk ka mushrik që pranon për veten e tij se ka rënë në shirk, porse vepra e tij është e kundërta. Ai mendon se nëse ia drejton adhurimin apo një pjesë të adhurimeve dikujt tjetër përveç Allahut, nuk ke bërë shirk, ngase mendon se ato gjëra (që ia drejton atyre) nuk janë adhurime. Tek të tillët p.sh.: kur i drejtohesh dikujt me lutje nuk ke bërë shirk, apo kërkon strehë tek evliatë e vdekur për të të larguar një të keqe, apo u lutesh atyre që të ndërmjetësojnë për ty tek Allahu, thonë kjo nuk është adhurim, gjithashtu therja e kurbanit për hir të tyre nuk është adhurim, apo zotimi në emër të tyre nuk është adhurim etj. Çdo formë të shirkut që e veprojnë dhe ti ia argumenton se kanë bërë shirk, thonë se ne e adhurojmë vetëm Allahun dhe se këto gjëra nuk janë adhurim, mirëpo (sipas tyre) janë vetëm vesile – rrugë përmes të cilave afrohemi tek Allahu. Ky është dyshimi që sjellin, dhe është pretendim i paargumentuar. Përkundrazi, mushrikët e të gjitha kohërave, krahas Allahut kanë adhuruar të tjerë. Mendimi se këto gjëra nuk janë adhurime i ka bërë të mendojnë se nuk janë duke adhuruar askënd tjetër përveçse Allahun.
-Atëherë: “Thuaji: “A e pranon se Allahu ta ka bërë obligim që adhurimin t’ia kushtosh vetëm Atij sinqerisht? Dhe kjo është e drejta e Allahut ndaj teje.” Allahu të ka krijuar që të adhurosh Atë dhe ka urdhëruar në Kuran që të adhurosh Atë të vetëm, “…lutjuni Allahut me adhurim të sinqertë për Të, edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët” Gafir 14, “Thuaj: “Vetëm Allahun e adhuroj me besimin tim të plotë e të sinqertë, kurse ju adhuroni kë të doni në vend të Tij!” Gafir 14-15, “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin” Bejjine 5. Allahu na ka urdhëruar për sinqeritet (ikhlas) në adhurimin ndaj Tij. Allahu na ka treguar në Kuran se kush nuk tregohet i sinqertë në adhurimin ndaj Allahut (krahas Allahut ka adhuruar edhe dikë tjetër) është jobesimtar dhe përfundimi i tij është xhehenemi, “…kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” Kehf 110, “…vetë Mesihu ka thënë: “O bijtë e Izraelit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri.” Maide 72.
-“Nëse të thotë: “Po, e pranoj.” Atëherë thuaji: “Më sqaro këtë gjë që Allahu ta ka bërë obligim, që është adhurimi i sinqertë ndaj Allahut. Dhe sqaroma këtë adhurim që është e drejta e Allahut mbi ty.” Dhe do të shohësh se ai nuk e di se çfarë është adhurimi, as llojet e tij. Andaj, sqaroja se çfarë është adhurimi dhe llojet e tij.” Shumica e mushrikëve janë injorantë, nuk e dinë domethënien e adhurimit-ibadetit. Madje nuk e dinë domethënien e ikhlasit-kushtimi i adhurimit me sinqeritet ndaj Allahut. Edhe pse e dinë se Allahu ua ka bërë obligim adhurimin e sinqertë ndaj Tij. Ka raste kur ta sjellin një përgjigje të mangët duke thënë se adhurimi i sinqertë është të bësh namaz sinqerisht për Allahun, apo të japësh zekatin sinqerisht për Atë. Ikhlasin e kufizojnë në disa forma të adhurimit (namaz, zekat, agjërim, haxh). Kurse format e tjera i përjashtojnë dhe nuk i llogarisin adhurim.
Allahu na urdhëron ta adhurojmë të Vetëm. Ai na ka treguar se ai i cili ia drejton një adhurim dikujt tjetër përveç Atij, është jobesimtar, “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju…” Bekare 21. Gjithashtu, kush lut dikë tjetër përveç Allahut është jobesimtar, “Ai që pos Allahut, adhuron dikë tjetër, duke mos pasur kurrfarë prove për këtë, me siguri do të japë llogari vetëm te Zoti i tij. Me të vërtetë, nuk ka shpëtim për mohuesit.” Muminun 117, “Duaja është vetë adhurimi.” Hadith- Imam Ahmedi, Tirmidhiu etj. Kur Allahu urdhëron për diçka, atëherë të urdhëron ta kryesh në formë të adhurimit ndaj Tij. Kështu, ajo gjë me të cilën na ka urdhëruar Allahu është urdhër obligativ, me të cilin e adhurojmë Allahun, e nganjëherë ka mundësi të jetë urdhër i preferuar, e që prapë është adhurim.
Andaj, i japim sqarim me dy lloje të argumenteve: 1. Allahu na urdhëron që adhurimin t’ia drejtojmë sinqerisht vetëm Atij dhe se ikhlasi është vetë adhurim ngase Ai na ka urdhëruar për këtë, e gjithashtu na ka urdhëruar që ta kemi frikë vetëm Atë (andaj frika është adhurim), kështu dhe me shpresën tek Ai, faljen e namazit për Atë, dhënien e zekatit, therjen e kurbanit etj. Pra, ia zgjeron rrethin të cilin e ka ngushtuar duke i kufizuar/llogaritur vetëm disa adhurime se janë adhurime. Ky është argumentim i përgjithshëm. 2. Për çdo çështje që përmendëm, për të treguar se janë adhurime, t’i sillen argumente nga Kurani e suneti. Ky është argumentim i veçantë. Kështu u bëhet e qartë se të gjitha ato që i nxjerrin prej adhurimeve, realisht Allahu dhe i Dërguari i Tij i kanë llogaritur adhurime.
Pastaj autori merr disa shembuj, prej tyre lutjen. Nën lutje hyn shumë lloje të adhurimeve, apo se ajo ka shumë forma (si: lutja, kërkesa, kërkimi i ndihmës, kërkimi i shpëtimit, kërkimi i furnizimit etj.).
-“Sqaroja me fjalët e tua duke sjell fjalët e Allahut: “Lutjuni Zotit tuaj përulshëm dhe ngadalë! Njëmend, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” Araf 55. Kur ia mëson këtë ajet, thuaji: “Lutja, a është prej adhurimit ndaj Allahut?” Patjetër se do të thotë po, lutja është adhurim. Atëherë thuaji: “Nëse pranon se lutja është adhurim dhe e lut Allahun gjatë ditës e natës, me frikë dhe shpresë, pastaj për një nevojë i lutesh një Pejgamberi apo dikujt tjetër, a ia ke shoqëruar dikë tjetër Allahu në këtë adhurim (në lutje)?” Patjetër se do të thotë po.” Allahu (nga ajeti që sollëm më lartë) na urdhëron ta lusim Atë. Çdo vepër me të cilën na ka urdhëruar hyn te adhurimi. Lutja është një gjë e urdhëruar prej Allahut, andaj është adhurim, që duhet t’i kushtohet vetëm Atij.
“apo dikujt tjetër”- një të vdekuri, apo siç thonë pronarit të sekretit, apo pronarit të tyrbes etj.
Bën shirk kur i drejtohesh me lutje (me këtë adhurim) edhe dikujt tjetër përveç Allahut.
Pastaj sjell shembullin tjetër, që është kurbani.
“Thuaji: “Allahu i Lartësuar thotë: “Falu për hir të Zotit tënd dhe ther kurban”. Keuther 2. Pastaj pyete: “Nëse i bindesh Allahut në këta urdhra (që përmenden) në ajet, a llogaritet adhurim?” Patjetër se do të thotë po. Thuaji: “Mirëpo, nëse njëkohësisht ther kurban për një Pejgamber, apo xhind, apo dikë tjetër, a i ke bërë shirk Allahut në këtë adhurim (në therjen e kurbanit)? Patjetër se do të thotë po.” Nëse ther për hir të Allahut një kurban (dele, lopë, deve) duke përmendur emrin e Tij, kjo që të afrohesh tek Allahu, ky është adhurim i madh, që duhet t’i kushtohet vetëm Atij.. Therja e kurbanit në ditën e kurban Bajramit është prej adhurimeve më të mëdha. Andaj, nëse shkon dhe ther një tjetër kurban edhe për një krijesë, me këtë do që të afrohet tek ajo krijesë (qoftë Pejgamber, apo evlija, apo xhind, apo magjistar etj.), dhe që të dy këto forma llogariten adhurime. Andaj të therësh kurban për një krijesë, me këtë i ke shoqëruar Allahut dikë tjetër. Nuk ka mundësi që Allahu të na urdhërojë për diçka e ajo gjë të mos jetë adhurim.
(Aspekti i dytë se si i kundërpërgjigjemi dyshimit).
Vazhdon: “Thuaji: “Mushrikët tek të cilët ka zbritur Kurani, a i kanë adhuruar engjëjt dhe njerëzit e devotshëm, si: Latin etj.?” Patjetër se do të thotë po. Thuaji: “A i kanë adhuruar me diçka tjetër përveçse me lutje, me therje të Kurbanit, me kërkim strehimi/mbrojtje e të ngjashme? Ata e kanë pranuar se të gjithë janë robër të Allahut dhe se janë nën pushtetin e Tij dhe kanë besuar bindshëm se vetëm Allahu e drejton këtë univers, mirëpo i kanë lutur njerëzit e devotshëm dhe kanë kërkuar strehim tek ta që të ndërmjetësojnë për ta tek Allahu, dhe kjo është shumë e qartë.” Adhurimi i atyre që adhuronin në vend të Allahut, pra ka qenë i fokusuar te lutja ndaj tyre, “Ne u lutemi atyre vetëm që të na afrojnë tek Allahu” Zumer 3, tek therja e kurbanit, tek zotimi, te kërkimi i mbrojtjes etj. Nuk i kanë bërë shirk Allahut nga aspekti i namazit, apo zekatit, apo haxhit (ka që kanë bërë shumë dhikët, apo disa kanë marrë gusël etj.). Këto adhurime nuk i kanë bërë për idhujt e tyre, i kanë bërë për Allahun. Shirku i tyre ka qenë nga aspekti i drejtimit të lutjes tek dikush tjetër përveç Allahut, apo nga aspekti i therjes së kurbanit për dikë tjetër, apo nga aspekti i kërkimit të strehës/mbrojtjes te dikush tjetër, dhe idhujt e tyre, apo Pejgamberët, apo evliatë, i kanë marrë si ndërmjetës mes tyre dhe Allahut. Përndryshe, kanë qenë të bindur se janë robër të Allahut, se janë nën pushtetin e Tij, e kanë pranuar bindshëm rububijen e Allahut, kanë besuar se Ai është i Vetmi që e drejton universin, mirëpo u janë lutur engjëjve, Pejgamberëve, njerëzit e devotshëm, duke kërkuar përmes kësaj ndërmjetësimin. Dhe kështu, arrin të kuptosh se si ka qenë gjendja e mushrikëve, cilat kanë qenë veprat e tyre nga të cilat Allahu ka gjykuar se ata kanë bërë shirk dhe se janë jobesimtarë.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.