Dyshimi i pestë: “Ju e mohoni dhe distancoheni nga shefati i të Dërguarit”
Autori thotë: “Nëse të thotë: “A je duke e mohuar dhe duke u distancuar prej shefatit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem?”, thuaj: “Unë nuk e mohoj e as nuk distancohem prej shefatit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Përkundrazi, Muhamedi salAllahu alejhi ue selem është ndërmjetësuesi dhe ai të cilit do t’i pranohet shefati tek Allahu, madje unë shpresoj në ndërmjetësimin e tij. Mirëpo, duhet të dish se i gjithë shefati i takon Allahut, është në dorën e Tij, siç ka thënë: “Ndërmjetësimi është i gjithi në duart e Allahut”. Zumer 44. Dhe se shefati nuk ndodh veçse pasi jep leje Allahu, siç ka thënë: “Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij?” Bekare 255. Madje, edhe i Dërguari salAllahu alejhi ue selem nuk ka mundësi të ndërmjetësojë për dikë përveç atëherë kur Allahu jep leje për këtë, siç ka thënë Allahu (për engjëjt): “ata ndërmjetësojnë vetëm për atë me të cilin Ai është i kënaqur”. Enbija 28. Dhe Allahu është i kënaqur vetëm me atë person që ka vdekur duke e adhuruar Allahun të Vetëm (në teuhid). Ai i lejon engjëjt të ndërmjetësojnë për të, siç ka thënë Allahu: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” Ali Imran 85. Nëse kuptojmë se shefati i takon Allahut, se nuk ndodh përveçse atëherë kur Ai jep leje dhe se as i Dërguari e askush tjetër nuk kanë mundësi të ndërmjetësojnë për dikë përveç atëherë kur Allahu jep leje dhe Ai nuk jep leje përveçse për ithtarët e teuhidit, atëherë do të arrijmë në përfundim se shefati është i gjithi në dorën e Allahut. Prandaj, unë shefatin e kërkoj vetëm prej Allahut dhe them kur lutem: “O Allah, mos më privo prej shefatit të Pejgamberit!”, apo “Bëje atë ndërmjetës për mua!” dhe të tilla.”[1]
Së pari, duhet të dimë se te shefati (ndërmjetësimi) i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem hyjnë disa kategori të ndërmjetësimit. Më i madhi e më i vlefshmi do të jetë ndërmjetësimi për njerëzimin që të fillojë llogaridhënia (pasi njerëzve u afrohet dielli shumë afër kokave të tyre, i kaplon vështirësi e nxehtësi e madhe). Ndërmjetësim tjetër është ai që bëhet për t’i nxjerrë besimtarët të cilët hyjnë në zjarr për shkak të mëkateve (kanë vdekur pa u penduar), apo që të hyjnë në xhenet sa më shpejt ata që e meritojnë atë, apo që të mos hyjnë në zjarr ata besimtarë që kanë vdekur me mëkate të mëdha (pa u penduar prej tyre), apo për xhaxhain e tij Ebu Talibin (i cili ka vdekur jobesimtar) që t’i lehtësohet dënimi në zjarr, apo për ata që i kanë të barabarta në peshore të këqijat e të mirat që të hyjnë në xhenet dhe të tjera. Të gjitha këto shefate Allahu është Ai i Cili i zotëron.
– “A je duke e mohuar dhe duke u distancuar prej shefatit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem?”, qëllimi është se a je duke e mohuar ndërmjetësimin e madh (që përmendëm) dhe llojet e tjera.
-“Muhamedi salAllahu alejhi ue selem është ndërmjetësuesi dhe ai të cilit do t’i pranohet ndërmjetësimi tek Allahu”- pra ndërmjetësimi për atë njeri për të cilin i jepet leje Pejgamberit që të ndërmjetësojë, do të pranohet gjithsesi, sepse atij i pranohet ndërmjetësimi. Për çdokënd që do të lutet ai dhe do të ndërmjetësojë në Ditën e Gjykimit, Allahu do ta pranojë. Edhe ne duhet të shpresojmë që të jemi prej atyre për të cilët Allahu do ta bëjë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem ndërmjetësues dhe duhet ta lusim Allahun për këtë (sepse shefati është në dorën e Tij), e megjithatë duhet të marrim shkaqet e arritjes së këtij ndërmjetësimi. Këto shkaqe janë të shumta, që janë sqaruar në sunet, prej tyre: Thënia La ilahe ilAllah me sinqeritet, lutja që thuhet pas ezanit, dashuria ndaj Medinës dhe dëshira për të vdekur në të dhe të tjera. Ndërmjetësimi i tij salAllahu alelejhi ue selem arrihet vetëm atëherë kur Allahu jep leje, ky është njëri kusht, ndërsa kushti tjetër është që Allahu të jetë i kënaqur me atë për të cilin ndërmjetësohet.
-“…shefati nuk ndodh veçse pasi jep leje Allahu, siç ka thënë: “Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij?”– Leja e Allahut në Kuran në përgjithësi dhe në lidhje me shefatin është dy lloje: 1. Leje e kaderit dhe e krijimit, e paracaktuar më herët, 2. Leja sheriatike, fetare. Shefati nuk mund të ndodhë pa këto dy leje.
Ibën Tejimije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Leja e Allahut është dy lloje: 1. Leja që ka kuptimin e dëshirës dhe vullnetit të Allahut dhe të krijimit, Ai e dëshiron një gjë dhe e lejon të ndodhë, 2. Leja që ka kuptimin e lejimit, Ai e lejon të ndodhë.
~Për të parën: “Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut”, Allahu e lejon të ndodhë me lejimin e kaderit, përndryshe nuk e ka bërë të lejuar magjinë.
~Për të dytën: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut, me lejen e Tij…” Ahzab 45-46. Dhe: “Për çfarëdo peme palme (të armikut) që pretë apo latë në këmbë, keni pasur miratimin e Allahut…” Hashr 5. Kjo tregon se Allahu e ka lejuar atë, e ka bërë të ligjshme, nuk e ka bërë të ndaluar dhe ka larguar gjynahun prej atij që e vepron atë, edhe pse kjo ndodh me dëshirën dhe gjykimin e Tij.
~Ndërsa, fjala e Allahut: “Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij?” përfshin të dy llojet e lejimit.” Mexhmu el fetaua.
Leja e kaderit, e krijimit, do të thotë që askush nuk ka mundësi të ndërmjetësojë pa i dhënë leje Allahu, sado që të ketë pozitë tek Ai. Ndërsa, te njerëzit (në jetën e kësaj bote) dikush mund të shkojë te tjetri që të ndërmjetësojë për dikë pa i dhënë leje (troket dhe thotë se ka ardhur për të ndërmjetësuar për filanin për ndonjë gjë të dunjas, e fillon ndërmjetësimin). Mirëpo, kështu nuk ndodhë në ahiret. Askush nuk ka mundësi që fillimisht të shkojë tek Allahu për të ndërmjetësuar. Por, kjo ndodhë kur Allahu jep leje, me lejen e kaderit. Kuptimi i kësaj është se Allahu e di se filani do të ndërmjetësojë për tjetrin, andaj e lejon ose nuk e lejon. Së pari Allahu jep leje pastaj fillon të ndërmjetësojë. Ai i cili ndërmjetëson nuk e zotëron ndërmjetësimin, kjo nuk është në dorën e tij, mirëpo ai është nevojtar për të filluar ndërmjetësimin ashtu siç është nevojtar ai për të cilin ndërmjetësohet. Allahu është Ai në dorën e të Cilit është ndërmjetësimi. As në dorën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem nuk është ndërmjetësimi, vetë ai shpreson që t’i pranohet ndërmjetësimi.
Në fenë tonë është e ndaluar që besimtari të kërkojë falje për idhujtarin apo për jobesimtarin. Kjo ka kuptimin që ai të ndërmjetësojë tek Allahu me lutje që Ai t’ia falë mëkatet atij (jobesimtarit). Andaj, për të qenë shefati i pranuar së pari duhet të jetë i lejuar sheriatikisht, fetarisht. (Si rrjedhojë) Nëse dikush e kërkon shefat prej Pejgamberit, në jetën e kësaj bote duke qenë ende gjallë, kjo është shirk. Allahu nuk e ka lejuar askund në Kuran e sunet (në sheriat, në fe) që të kërkohet shefati prej Pejgamberit (lutja ndaj tij që të ndërmjetësojë për ty tek Allahu), kjo as tek varri i tij e as pas ringjalljes. Shokët e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, asnjëri nuk ka kërkuar shefat prej tij pasi ka vdekur, e as prej dëshmorëve të Uhudit (edhe pse e dimë se dëshmorët do të ndërmjetësojnë).
Leja sheriatike do të thotë që personi ta ketë të lejuar fetarisht të ndërmjetësojë për dikë dhe po ashtu që personi i cili kërkon shefatin prej tjetrit ta ketë të lejuar fetarisht këtë. Andaj, ithtarët e besimit nuk kërkojnë prej Allahut që Ai t’i falë ithtarët e shirkut, ngase e dinë se kjo nuk lejohet fetarisht, është e ndaluar tek Ai. Pra, kërkimi i ndërmjetësimit për idhujtarët e jobesimtarët është i ndaluar sheriatikisht, fetarisht. Nëse lutja për dikë është e ndaluar Allahu nuk e pranon atë (rasti i Nuhut i cili është lutur për djalin e tij, lutje e cila është refuzuar, sepse ai ka qenë jobesimtar, apo rasti i Ibrahimit për babanë e tij jobesimtar).
“Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij?” – askush nuk mund të ndërmjetësojë pa lejen e Tij sheriatike dhe të kaderit. Kjo sepse Allahu është i Përsosuri absolut, në fuqinë, pushtetin e mbretërinë e Tij, Ai është sunduesi e mbreti i universit, Ai është i përsosur në emrat e cilësitë e Tij. Ndërsa, krijesat janë të mangëta.
-“edhe i Dërguari salAllahu alejhi ue selem nuk ka mundësi të ndërmjetësojë për dikë përveç atëherë kur Allahu i jep leje për këtë” – nuk ka mundësi të ndërmjetësojë për askënd pa i dhënë Allahu leje për të ndërmjetësuar për filanin. Dhe Allahu lejon të ndodhë ndërmjetësimi për dikë nëse është i kënaqur me të. E Allahu nuk është i kënaqur veçse me ithtarët e teuhidit. Ai e lejon Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem të ndërmjetësojë vetëm për ata që kanë vdekur në teuhid (kanë jetuar e kanë vdekur në të). Autori solli argument ajetin: “ata (engjëjt) ndërmjetësojnë vetëm për atë me të cilin Ai është i kënaqur”. Enbija 28. I kënaqur me gjendjen e tij, me veprat e fjalët e tij. Engjëjt nuk kanë mundësi të ndërmjetësojnë për kë të dëshirojnë siç kanë menduar ithtarët e shirkut të cilët i kanë adhuruar engjëjt me bindjen se do të ndërmjetësojnë për ta tek Allahu.
“vetëm për atë me të cilin Ai është i kënaqur” kuptohet që pasi të përmbushet kushti i parë (dhënia leje prej Allahut).
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu më i gëzuar në Ditën e Gjykimit me ndërmjetësimin tim do të jetë ai që thotë “La ilahe ilAllah” sinqerisht prej zemrës e shpirtit të tij.” Buhariu. Ai që e ka realizuar teuhidin me zemër, me gjuhë dhe me vepra.
Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Allahu na ka njoftuar se nuk ka mundësi të ndodhë ndonjë ndërmjetësim në Ditën e Gjykimit, pa qenë Ai i kënaqur me fjalët e veprat e atij për të cilin ndërmjetësohet dhe pa i dhënë leje ndërmjetësuesit për ta filluar ndërmjetësimin. Ndërsa, sa i përket idhujtarit, me të Allahu nuk është i kënaqur dhe as me fjalët e tij, andaj nuk jep leje për të ndërmjetësuar për të…”
Nëse dikush e kërkon shefatin prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe e lut: “Ndërmjetëso për mua!”, atëherë Allahu nuk është i kënaqur me fjalët e veprat e këtij personi (ka bërë shirk me këtë) dhe Ai nuk lejon ndërmjetësimin për të. Allahu e ka ndaluar që ne të kërkojmë ndërmjetimin prej dikujt tjetër përveç Atij. As sahabët gjithashtu nuk e kanë vepruar këtë. Nuk ka transmetim që tregon se ata pas vdekjes së të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem kanë shkuar të kërkojnë shefatin prej tij apo prej dëshmorëve të Uhudit, apo të Bedrit etj. Kjo nuk është e lejuar.
Edhe të kënaqurit (që është kusht i shefatit) ndahet në dy lloje: Allahu të jetë i kënaqur me ndërmjetësuesin dhe me të ndërmjetësuarin. Ata që do të ndërmjetësojnë për të tjerët në Ditën e Gjykimit do të jenë ata me të cilët Allahu është i kënaqur (si: engjëjt, Pejgamberët, i pari prej tyre Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, dijetarët, dëshmorët, besimtarët e devotshëm).
“Allahu është i kënaqur vetëm me atë person që ka vdekur duke e adhuruar Allahun të Vetëm (në teuhid)”- argument për këtë janë fjalët e Allahut: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur”. Ali Imran 85, dhe hadithi që sollëm më lartë. Kjo tregon se Allahu nuk është i kënaqur me ata që nuk kanë teuhid e Islam. Islami është dorëzimi ndaj Allahut me teuhid, bindja ndaj Allahut me adhurim (urdhër e ndalesa) dhe distancimi prej shirkut e ithtarëve të shirkut. Me këtë kanë ardhur të gjithë Pejgamberët. E pas dërgimit të Muhamedit salAllahu alejhi ue selem, përveç kësaj (Islamit të përgjithshëm), Allahu nuk është i kënaqur veçse me pasimin e tij salAllahu alejhi ue selem. Pas ardhjes së të Dërguarit, Allahu nuk pranon veçse prej atij që i bindet dhe e pason atë salAllahu alejhi ue selem. Ai është dërguar me Islamin i cili ka anuluar ligjet që kanë qenë më herët.
-“Nëse kuptojmë se shefati i takon Allahut, se nuk ndodh përveçse atëherë kur Ai jep leje dhe se as i Dërguari e askush tjetër nuk kanë mundësi të ndërmjetësojnë për dikë përveç atëherë kur Allahu jep leje, dhe Ai nuk jep leje përveçse për ithtarët e teuhidit, atëherë do të arrijmë në përfundim se shefati është i gjithi vetëm në dorën e Allahut”- Ai vepron me shefatin si të dëshirojë, thotë “Lejohet të ndërmjetësohet për filanin”, apo “Filani lejohet të ndërmjetësojë për filanin”, Ai e jep lejen për fillimin e ndërmjetësimit e askush nuk ka mundësi të shkojë tek Ai për të kërkuar ndërmjetësimin e të thotë “Unë dua të ndërmjetësoj për filanin!” Ai është zotëruesi e poseduesi i shefatit. Ai e fillon ndërmjetësimin. Ai i thotë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem të ngritët të ndërmjetësojë për filanin e filanin etj. E nuk shkon ai tek Allahu t’i thotë: “Dua të filloj ndërmjetësimin.” Nuk ka mundësi që dikush të shkojë të fillojë ndërmjetësimin tek Allahu kur të dëshirojë ai vetë. Allahu thotë: “Thuaju: “Ndërmjetësimi është i gjithi në duart e Allahut…” Zumer 44. Allahu thotë për të Dërguarin e Tij, që është njeriu më i dashur tek Ai: “Ti nuk ke asgjë në dorë, nëse do t’ua pranojë Ai pendimin apo do t’i dënojë, se ata janë vërtet keqbërës…” Ali Imran 128. Andaj, shefati duhet të kërkohet vetëm prej Allahut dhe prej askujt tjetër përveç Atij.
-“Prandaj, unë shefatin e kërkoj vetëm prej Allahut dhe them kur lutem: “O Allah, mos më privo prej shefatit të Pejgamberit!”, apo “Bëje atë ndërmjetësues për mua!” dhe të tilla”- kështu është mënyra e teuhidit, mënyra e ligjësuar, se si të kërkohet shefati.
Këto fjalë: “A je duke e mohuar dhe duke u distancuar prej shefatit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem?” i thotë idhujtari. Por, pasuesi i teuhidit as nuk e mohon e as nuk distancohet prej shefatit, ai nuk është prej sekteve (që kanë mohuar shefatin) dhe beson se Muhamedi salAllahu alejhi ue selem është ndërmjetësuesi dhe ai të cilit do t’i pranohet ndërmjetësimi, por që ndërmjetësimin e kërkon vetëm prej Atij që e zotëron atë, pra vetëm prej Allahut, jo prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, ngase lutja ndaj tij është shirk dhe nëse personi vdes në këtë gjendje (lut dikë tjetër përveç Allahut) atëherë Allahu nuk lejon ndërmjetësimin e të Dërguarit për të sepse Ai nuk është i kënaqur me idhujtarin.
Në këtë mënyrë i përgjigjemi atij që na kundërshton e na thotë këto fjalë, por që realisht ai i bën shirk Allahut ngase lut dikë tjetër përveç Atij.
[1] Nuk lejohet që shefatin ta kërkosh direkt prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem (duke u lutur): “O i Dërguar i Allahut, ndërmjetëso për mua!”, sepse kjo është shirk, me këtë je duke iu drejtuar me lutje dikujt tjetër përveç Allahut.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Keshfu shubuhat.