Dyshimi i tretë: “Unë prej njerëzve të mirë nuk kërkoj asgjë përveçse shefatit…”
Thotë autori: “Nëse pasi ua sjell argumentet kundër dy dyshimeve të para vazhdojnë të polemizojnë e thonë: “Jobesimtarët adhurojnë idhujt e tyre dhe kërkojnë prej tyre (i synojnë në kërkesa e dëshirat që kanë). Kurse unë dëshmoj se Allahu është i Vetmi i Cili është dobiprurësi e dëmprurësi, i Vetmi i Cili e drejton universin. Për qëllim e kam vetëm Allahun (vetëm prej Tij kërkoj). Besoj gjithashtu se njerëzit e devotshëm të cilët i lus, nuk kanë asgjë në dorën e tyre (prej sundimit të universit). Mirëpo, kur i adhuroj ata dhe i lus, me këtë shpresoj dhe kam për qëllim ndërmjetësimin e tyre tek Allahu.” Kundërpërgjigje: Të njëjtat fjalë i thonë edhe jobesimtarët, i kanë thënë edhe mushrikët e Mekës. Nuk ka dallim. Lexojua si argument fjalën e Allahut: “Sa për ata që marrin mbrojtës të tjerë, përveç Tij, duke thënë: “Ne u lutemi atyre vetëm që të na afrojnë tek Allahu”. Zumer 3. Dhe: “Ata adhurojnë në vend të Allahut atë që as nuk u bën dëm, as nuk u sjell dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësit tanë tek Allahu.” Thuaj: “A po i tregoni Allahut për diçka që Ai nuk e di në qiej dhe në Tokë?!” Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” Junus 18. Këto tri dyshime (i pari, i dyti dhe i treti që po sjellim) janë dyshimet më të mëdha që has tek ta, përmes të cilëve mundohen të justifikojnë shirkun e tyre. Andaj, kur të dish se Allahu ato i ka sqaruar mirë në Librin e Tij, duke e ditur këtë në mënyrën më të mirë, pastaj të gjitha dyshimet që pasojnë janë më të lehta.
Ky dyshim ka nevojë për një shpjegim më të gjerë (paraprakisht), ngase mushrikët kanë një besim: thonë se Allahu ka bërë që shkaqet të sjellin rezultate e pasoja (si: ushqimi është shkak për largimin e urisë, uji është shkak për largimin e etjes etj.), e si nga këto shkaqe të kemi dobi ndërsa nga Pejgamberët dhe evliatë pas vdekjes së tyre të mos kemi dobi?! Ata kanë pozitë më të lartë tek Allahu sesa këto shkaqe (në univers). Kështu, ata shefatin dhe tewesulin e ndërlidhin me këndvështrimin ndaj shkaqeve-pasojave. Kundërpërgjigje ndaj kësaj: Me njohuri rreth gjendjes së mushrikëve, si ka qenë gjendja e tyre. Ata kur kanë vepruar shirk, nuk kanë kërkuar prej shkaqeve asgjë përveçse rezultatet e tyre. Ata që i kanë adhuruar i kanë llogaritur si shkaqe, që sjellin dobi e rezultate apo largojnë të këqija (kur i janë drejtuar Isës, Latit, apo varreve, dhe të tjerëve, i janë drejtuar me arsyen se janë shkaqe që sjellin rezultate të dobishme, e jo se kanë besuar se kanë hise në drejtimin e universit). Ky dyshim i tyre i paraprinë dyshimit të shefatit. Andaj, kur e pohojnë këtë kanë qëllim të arrijnë te çështja: përderisa ekziston ky shkaktësim, atëherë lejohet të merren Pejgamberët apo të devotshmit si ndërmjetës mes tyre dhe Allahut.
Shkaqet në sheriat janë dy lloje: 1. Të lejuara, 2. Të ndaluara. Nëse supozojmë se Pejgamberi është shkak edhe pas vdekjes së tij apo njerëzit e devotshëm, për të sjellë të mira, njëkohësisht themi se edhe nuk është e mundshme kjo. Për ta zgjidhur këtë problem, i kthehemi gjendjes së të parëve. A hasim në ajete e hadithe që thonë se u është lejuar muslimanëve (të parë) të përfitojnë nga ky shkak? Bindshëm, nuk ka as ajete e as hadithe dhe as sjellje të sahabëve që kanë vepruar në këtë mënyrë. Ibn Tejmije rahimehullah ka thënë: “Kërkimi i ndihmës prej të vdekurve apo prej atij që nuk është prezent, qoftë Pejgamber, apo velij, kjo nuk është e ligjshme, e as nuk është prej veprave të mira. Sikur të lejohej kjo gjë (nga Allahu dhe i Dërguari i Tij), atëherë së pari këtë do ta dinte vetë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij dhe do të na paraprinin në këtë vepër. Prandaj, nuk është saktësuar prej askujt prej selefit ta ketë vepruar këtë.” Arrijmë në përfundim se ky është një shkak i padobishëm dhe të cilin sheriati e ka ndaluar.
Pastaj, ky shkak është i padobishëm në jetën e kësaj bote. Pejgamberët dhe njerëzit e devotshëm nuk mund të të bëjnë dobi në jetën e kësaj bote pas vdekjes së tyre (nuk zotërojnë as dëm e as dobi, dhe kjo ka ardhur edhe në ajete). Kjo është lidhja për të cilën janë kapur mushrikët nga aspekti i shefatit (ndërmjetësimit). Duke i llogaritur si shkaqe të dobishme i kanë adhuruar në vend të Allahut. Nga kjo, themi se ky shkak nuk lejohet në sheriat dhe është shirku i të gjithë mushrikëve. Ata i janë drejtuar njerëzve të devotshëm dhe idhujve me adhurim për asgjë tjetër veçse që ata të ndërmjetësojnë për ta tek Allahu. I kanë adhuruar duke besuar se janë shkaqe të dobishme, se filan idhulli është shkak i dobishëm, apo se filan shpirti i Pejgamberit apo njeriut të devotshëm është shkak i dobishëm, apo filan gjëja (varri) është shkak i dobishëm, apo xhindi është shkak i dobishëm, dhe Allahu ka sqaruar se e gjithë kjo është shirk dhe i ka llogaritur mushrikë.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.