“e përveç Atij s’ka asnjë të adhuruar tjetër, përndryshe çdo i adhuruar do të merrte atë që ka krijuar dhe…”

Allahu thotë: “…e përveç Atij s’ka asnjë të adhuruar tjetër, përndryshe çdo i adhuruar do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin njëri mbi tjetrin. Qoftë i lartësuar Ai nga shpifjet e tyre!” Surja Muminun.

përveç Atij s’ka asnjë të adhuruar tjetër” – Allahu nuk ka ortak në uluhijen dhe rububijen e Tij, Ai është i Vetmi dhe Unik në Cilësitë e Tij. Allahu është i Vetmi që meriton adhurimin, “përndryshe çdo i adhuruar do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin njëri mbi tjetrin”. Po të kishte të adhuruar tjetër të barabartë e të krahasueshëm me Allahun, atëherë secili do të kishte një sundim-pjesë të universit nën sundimin e vet, dhe në këtë mënyrë do të merrnin pjesën që u takon.

Po të kishte të tjerë përveç Allahut atëherë secili do të krijonte. Në këtë ajet Allahu na sqaron se Ai i cili meriton të adhurohet, është Ai që krijon, dhe përderisa të gjithë janë krijesa të Allahut atëherë nuk e meritojnë adhurimin assesi. Po të kishte të adhuruar të tjerë nuk do të ishte e mundur të bashkëpunonin sa i përket krijimit, ngase nëse do të bashkëpunonin kjo do të thotë se ata nuk do të ishin të aftë për të krijuar. Nëse do të mundeshin të krijonin, atëherë secili do të ishte i veçuar me krijimin e vet dhe do ta pengonin njëri-tjetrin që ta sundonin krijimin e tyre, dhe pastaj “do të ngriheshin njëri mbi tjetrin”, gjë që është e zakonshme te mbretërit e botës. Pastaj, secili krijues do të ishte i fuqishëm dhe nuk do të kishte mundësi asnjëri ta triumfonte njëri-tjetrin, dhe kjo i bie se asnjëri nuk e meriton të jetë i adhuruar ngaqë janë të paaftë të ngadhënjenin mbi njëri-tjetrin (dhe kjo tregon rrjedhimisht se nuk e meritojnë adhurimin).

Ai që meriton të adhurohet është Ai që ka aftësinë e krijimit dhe është mbizotërues e triumfues. Ky univers patjetër duhet të ketë vetëm një të adhuruar i Cili meriton të adhurohet. Nuk ka mundësi të ketë dy të adhuruar a më shumë, sepse nëse do të ishte kështu atëherë ata ose secili do të veçohej me krijimin e sundimin e vet, ose secili do të mundohej të sundonte tjetrin.

Universi na tregon se ka një drejtues, se nëse nuk do të ishte një drejtues atëherë patjetër do të kishte konfrontim dhe ndarje në mes të universit (secila pjesë e tij do të funksiononte e pavarur prej tjetrës). Kështu secili i adhuruar do të ushtronte vullnetin e vet (njëri do të dëshironte që dielli të lindte prej perëndimit e tjetri prej lindjes etj.). Secili do të kishte vullnetin e ndryshëm prej tjetrit (do të kishin mospajtime, e nëse do të ishte e mundur të pajtoheshin ndërmjet veti kjo tregon se pajtimi arrihet kur kanë frikë njëri-tjetrin, dhe duke qenë kështu kjo do të thotë se nuk meritojnë të jenë të adhuruar). Edhe nëse vullneti do të ishte i njëjtë, kjo nuk do të zgjaste për një kohë të gjatë. Secili do ta impononte vullnetin e dëshirën e vet. Shembull: Po të kishte të adhuruar të tjerë, atëherë dielli (i cili lind në mënyrë precize) një ditë do të vonohej të lindte, apo do të lindte më herët, ngase vullneti i njërit të adhuruar do të kërkonte kështu. Mirëpo, në univers ka sistem dhe harmoni të përkryer e të përpiktë, i gjithë ai funksionin si një trup i vetëm, “Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë ceni. Hidhe vështrimin: a sheh ndonjë plasaritje?” Mulk 3. Kjo tregon se Ai i Cili e drejton këtë univers është Një – Allahu. Është  e pamundur të ketë të adhuruar të tjerë përveç apo krahas Allahut. Këtë ajet Allahu e ka sjell të pohojë teuhidin uluhije (dhe teuhidi uluhije e kërkon medoemos teuhidin rububije). Ajeti gjithashtu na sjell provën se është e pamundur të ketë zot e krijues tjetër krahas Allahut.

Qoftë i lartësuar Ai nga shpifjet e tyre!” – Prej çdo gjëje të cilën mohuesit dhe idhujtarët ia veshin, prej të metave e mangësive të cilat nuk i takojnë madhërisë së Tij.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit