Edukata me prindërit
- Ata që janë më meritorët për edukatën tënde janë prindërit. Allahu thotë: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit.” Isra 23. Dhe: “. Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit…” Nisa 36. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në shumë hadithe sqaron meritën që kanë prindërit për mirësjellje. Është pyetur se kush është më meritori për sjellje dhe është përgjigj: “Nëna”, dhe këtë përgjigje e ka dhënë tri herë, e në herën e katërt ka thënë: “Babai”.
- Mirësjellja ndaj prindit nënkupton:
-shërbim në nevojat e tyre,
-fjalë respektuese,
-lutjen për ta.
- Prindi është shkaku kryesor për ardhjen tënde në këtë botë. Kërkohet që të jesh i kujdesshëm dhe i mirësjellshëm me prindërit.
- Mirësjellja ndaj prindit është adhurim ndaj Allahut, është nënshtrim ndaj Tij, sepse është urdhër i Tij, ndërsa mosrespektimi i prindit është mëkat ndaj Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindit dhe hidhërimi i Allahut është në hidhërimin e prindit.”
- E gjithë mirësjellja e besimtarit është adhurim sepse është nënshtrim ndaj urdhrave të Allahut, ngase Ai urdhëron për këtë.
- Çdo besimtar që synon shpërblimin në botën tjetër duhet të ketë parasysh mirësjelljen ndaj prindërve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Është i larguar nga mëshira e Allahut ai njeri që ka nën përkujdesjen e tij prindërit dhe nuk ka arritur përmes tyre të fitojë xhenetin!” Është rast aq i madh që të fitojë xhenetin.
Hoxhë Jeton Bozhlani – Transkriptim.