Emrat العَفُوّ, الغَفُور – El Afuww dhe El Gafuur
Allahu thotë: “إِنَّ ٱللَّهَ لَعَفُوٌّ غَفُورٌ – Allahu është Shlyerës i gjynaheve dhe Falës.” Haxh 60.
Dhe: “وَكَانَ ٱللَّهُ عَفُوًّا غَفُورًا – Allahu, me të vërtetë, është Shlyerës dhe Falës i gjynaheve.” Nisa 99.
Kuptimi i emrit العَفُوّ: Allahu është Ai që shlyen gjynahet e të këqijat e njerëzve, ua shlyen e nuk i ndëshkon për to. Në këtë kuptim, ky emër është i përafërt me emrin الغَفُور – El Gafuur – Falësi. Mirëpo, emri العَفُوُّ – El Afuww tregon më fuqishëm për shlyerjen e gjynaheve, ngase el gufran (falja e mëkateve) që vjen prej emrit الغَفُور – El Gafuur, tregon për mbulimin e mëkateve, e pa dyshim se shlyerja është më e fuqishme, ndikon më shumë sesa vetëm mbulimi i gjynaheve. Këto dy kuptime vijnë në shprehje kur këta dy emra vijnë së bashku brenda një konteksti, siç përmendëm ajetet më lartë. Ndërsa, nëse vijnë ndaras në ajete të ndryshme, atëherë secili prej tyre përfshinë dhe kuptimin e tjetrit.
Shlyerja dhe falja e gjynaheve është dy lloje:
- Falje e përgjithshme, për të gjitha krijesat, edhe për kriminelët dhe keqbërësit prej jobesimtarëve dhe të tjerëve. Allahu ua fal atyre mëkatet duke shtyrë apo duke larguar dënimet e ndëshkimet që i meritojnë për shkak se kanë vepruar shkaqet e këtyre dënimeve dhe vazhdon t’u japë të mira të kësaj bote. Kjo nuk duhet të mendohet se Ai i ka harruar e i ka lënë ata, por ua shtyn afatin (e dënimit) për shkak të faljes dhe butësisë së Tij (e pastaj ata që kanë vdekur në mohim do të kenë dënim të ashpër në ahiret).
- Falja e veçantë, për ata që pendohen sinqerisht e kërkojnë falje, nga radhët e atyre që e adhurojnë Allahun, e gjithashtu nga radhët e atyre që janë të sprovuar e durojnë dhe shpresojnë në shpërblim.
Dyert e faljes dhe shlyerjes së mëkateve janë të hapura. Allahu ka qenë, është dhe do të jetë shlyerës i mëkateve dhe mbulues i tyre. Allahu na ka premtuar- e Ai nuk e shkel premtimin e Tij- për falje dhe shlyerje të mëkateve për atë që i vepron shkaqet e kësaj, siç ka thënë: “Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” Ta he, 82.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.