Emrat الحَفيظ, الحافِظ – El Hafiidh dhe El Haafidh
Këta dy emra kanë kuptimin: Ruajtësi. Allahu thotë:
“إِنَّ رَبِّى عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍ حَفِيظٌ – Vërtet, Zoti im është Ruajtës i çdo gjëje.” Hud 57.
Dhe: “إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا ٱلذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُۥ لَحَٰفِظُونَ – Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” Hixhr 9.
Këta dy emra madhështorë tregojnë se Allahu është i cilësuar dhe i përshkruar me ruajtje – hifdh. Ruajtja që ua bën robërve të Tij është dy llojesh:
- E përgjithshme: Kjo është kur i ruan duke ua lehtësuar atyre ushqimin, pirjen, thithjen e ajrit, po ashtu kur i udhëzon për në gjëra të dobishme, të nevojshme e të domosdoshme, të cilat i ka caktuar dhe vendosur për ta. Ai i udhëzon robërit e Tij drejt këtyre dhe njëkohësisht i ruan në këto dobi e interesa për ta, “Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar” Ta he 50. Po ashtu Allahu i ruan robërit e Tij duke larguar prej tyre llojet e ndryshme të gjërave të urryera, të këqija e të dëmshme për ta. Në këtë lloj të ruajtjes përfshihen të gjitha krijesat (i devotshmi e mëkatari, besimtari e jobesimtari, gjithashtu kafshët dhe insektet).
- E veçantë: Kjo është ruajtja që ua bën të dashurve të Tij (besimtarëve të mirë e të devotshëm), në besimin e tyre prej dyshimeve, fitneve dëmtuese, epsheve shkatërruese etj. Kjo është shtesë mbi atë që thamë (te lloji i parë). Allahu i ruan dhe i shpëton prej këtyre gjërave. Gjithashtu i ruan prej armiqve, largon prej tyre kurthet e intrigat e tyre, “Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët” Haxh 38. E gjithë kjo në varësi të besimit të njeriut. Sa më i madh besimi i tij, aq më e madhe është ruajtja dhe mbrojtja e Allahut ndaj tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka porositur ibn Abbasin: “Ruaje Allahun, Ai të ruan ty!” Ahmedi, Tirmidhiu. Pra, ruaji urdhrat e Allahut duke i zbatuar ato, ruaji ndalesat e Tij duke u larguar prej tyre dhe ruaji kufijtë e Tij duke mos i shkelur, e atëherë Ai do të të ruajë në vetën tënde, në fenë tënde, në shëndetin e pasurinë tënde, në fëmijët e familjen tënde, në të gjitha që Ai t’i ka dhuruar. E më kryesorja është se Ai ta ruan fenë dhe besimin në momentet e vdekjes.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.