Emrat e Allahut: El Melik dhe el Meliik

Emrat المَلِك, المَلِيك – El Melik dhe el Meliik

Emri المَلِك – El Melik – Sunduesi, është përmendur në Kuran në pesë vende, prej tyre:

هُوَ اللَّهُ الَّذِي لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ الْمَلِكُ

“Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij. Ai është Sunduesi…” Surja Hashr 23.

Kurse, emri المَلِيك – El Meliik – Sunduesi i Plotfuqishëm, është përmendur vetëm një herë në Kuran:

فِي مَقْعَدِ صِدْقٍ عِنْدَ مَلِيكٍ مُقْتَدِرٍ إِنَّ الْمُتَّقِينَ فِي جَنَّاتٍ وَنَهَرٍ

“Vërtet, besimtarët e devotshëm do të jenë në kopshtet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj në kuvendin e së vërtetës (në Xhenet), tek një Sundues i Plotfuqishëm.” Kamer 54-55.

   Kuptimi i këtyre emrave: Këta dy emra tregojnë se Allahu është Sunduesi, Sundimtari dhe Zotëruesi e të gjitha gjërave, Ai vepron me to sipas dëshirës e vullnetit të Tij, askush nuk ka mundësi t’i rezistojë dëshirës dhe vullnetit të Tij.

Allahu është i Vetmi që ka pushtetin dhe sundimin e çdo gjëje në Dorën e Tij, po ashtu Ai është i Vetmi që meriton adhurimin. Ai thotë: “Ky është Allahu, Zoti juaj. Pushteti është i Tij! Kurse ata që ju i adhuroni krahas Tij, nuk zotërojnë as sa cipa e bërthamës së hurmës.” Fatir 13. “E megjithatë ata (idhujtarët) adhurojnë në vend të Tij zota, të cilët nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekjen, as jetën e as që të ringjallin.” Furkan 3. Këtu tregohet se adhurimi ndaj dikujt tjetër përveç Allahut, prej gjërave që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi dhe që nuk janë në gjendje të japin jetën, as vdekjen e as të ringjallin, është humbja më e madhe dhe gjëja më e kotë.

Atij që nuk ka pushtet në këtë univers as sa pesha e një thërrmije, nuk lejohet t’i kushtohet diçka nga adhurimi, ngase adhurimi është e drejtë që i takon Sundimtarit Madhështor, i Cili është Allahu, i Vetmi, Krijuesi i denjë, Zoti i Cili është drejtues dhe rregullues i këtij kozmosi, i Cili nuk ka ortak askënd dhe asgjë në këtë. Qoftë e lavdëruar pozita e Tij, qoftë i madhëruar pushteti i Tij, qoftë e lartësuar madhëria e Tij. Nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Tij.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Madhësia e tekstit