Emrat e Allahut: El Weliij dhe el Meule

Emrat الوَلِيّ, المَوْلَى – El Welijj dhe el Meule

Këta dy emra, الوَلِيّ – El Welijj – Mbrojtësi dhe المَوْلَى – El Meule – Kujdestari, janë përmendur shpesh në Kuran. Prej tyre:

  • në suren Shura: “أَمِ ٱتَّخَذُوا۟ مِن دُونِهِۦٓ أَوْلِيَآءَ ۖ فَٱللَّهُ هُوَ ٱلْوَلِىُّVallë, a mos zgjedhin ata mbrojtës tjetër, përveç Atij?! Sigurisht, vetëm Allahu është Mbrojtësi.” Ajeti 9.
  • në Suren Haxh: “وَٱعْتَصِمُوا۟ بِٱللَّهِ هُوَ مَوْلَىٰكُمْ ۖ فَنِعْمَ ٱلْمَوْلَىٰ -…mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj.” Ajeti 78.
  • në Suren Ali Imran: “بَلِ ٱللَّهُ مَوْلَىٰكُمْ ۖ وَهُوَ خَيْرُ ٱلنَّٰصِرِينَ – Por, Allahu është Mbrojtësi juaj dhe Ai është Ndihmuesi më i mirë.” Ajeti 150.

Mbrojtja dhe kujdesi i Allahut (si cilësi të Tij) mbi robërit e Tij është dy llojesh:

  1. E përgjithshme: Allahu ka marrë përsipër drejtimin dhe rregullimin e çështjeve të krijesave. Allahu është Ai që ka caktuar sipas vullnetit të Tij, për robërit e Tij, të mirën apo të keqen, dëmin apo dobinë. Ky lloj vërteton dhe pohon të gjitha kuptimet e domethëniet e pushtetit dhe të sundimit të Allahut. Ky univers dhe këto krijesa janë nën sundimin dhe pushtetin e Tij. Të gjitha i nënshtrohen dhe i binden asaj që Ai ka caktuar për ta. Krijesat ecin sipas asaj që Allahu cakton për ta dhe sipas drejtimit që ua bën çështjeve të tyre. Askush prej tyre nuk ka mundësi të dalë apo të ikë prej zbatimit të vullnetit të Allahut, fuqisë dhe forcës gjithëpërfshirëse të Tij. E gjithë kjo përfshin besimtarët dhe jobesimtarët, të devotshmit dhe mëkatarët, të mirët dhe të këqijtë, dhe të gjitha krijesat e tjera. “Pastaj të gjithë do të kthehen tek Allahu, Zoti tyre i vërtetë. Vetëm Atij i takon të gjykojë dhe Ai është më i shpejtë në llogari.” Enam 62.
  2. E veçantë: Allahu ka marrë përsipër mbrojtjen dhe kujdesin ndaj disa robërve të Tij në mënyrë të veçantë. Ky është lloji i mbrojtjes që përmendet më shpesh në Kuran dhe sunet (sesa i pari). Kjo është mbrojtja madhështore dhe kujdesi fisnik e bujar që Allahu ua bën disa njerëzve, të cilët janë besimtarët, ata që i binden, i nënshtrohen, që e kanë frikë Atë dhe i ruhen dënimit të Tij. Allahu ka sqaruar në Kuran se ky lloj i mbrojtjes nuk arrihet përveçse me besim të vërtetë dhe frikë ndaj Tij në vetmi dhe në publik, duke u përpjekur për t’u afruar tek Allahu përmes kryerjes së obligimeve dhe përmes shtimit të veprave të mira vullnetare. Allahu thotë: Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën.” Junus 62-64.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Madhësia e tekstit