Emri الديَّان – Ed Dejjaan
Emri الديَّان – Ed Dejjaan – Llogaritësi dhe shpërblyesi, është përmendur në sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, në hadithin që e ka përcjellë Abdullah ibn Unejsi radijAllahu anhu, i cili ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem të thotë:
سمعت رسول الله صلى الله عليه وسلم يقول: يحشر الناس يوم القيامة أو قال: العباد – عراة غرلا بهما، قال: قلنا: وما بهما؟ قال: ليس معهم شيء، ثم يناديهم بصوت يسمعه من بَعُد ما يسمعه من قرب: أنا الملك أنا الديان، ولا ينبغي لأحد من أهل النار أن يدخل النار وله عند أحد من أهل الجنة حقٌّ حتى أُقِصّه منه، ولا ينبغي لحد من أهل الجنة أن يدخل الجنة ولأحد من أهل النار عنده حق حتى أقصه منه، حتى اللطمة، قال: قلنا: كيف وإنما نأتي الله عز وجل عراة غرلا بهما؟ قال: بالحسنات والسيئات.
“Njerëzit do të ngjallen në Ditën e Gjykimit të zhveshur, të pa bërë sunet dhe buhme.” E kanë pyetur sahabët: “Çfarë është buhme?” Ai është përgjigjur: “Nuk kanë asgjë me veti. Pastaj Allahu i thërret ata me një zë të cilin e dëgjojnë të gjithë njëjtë: “Unë jam Mbreti (Sunduesi), Unë jam Ed Dejjaan. Sot nuk do të hyjë në zjarr asnjë prej banorëve të zjarrit pa ia kthyer të drejtën që ka ndaj ndonjë banori të xhenetit! Dhe nuk do të hyjë në xhenet asnjëri prej banorëve të xhenetit pa ia kthyer të drejtën që ka ndaj ndonjë banori të zjarrit! Edhe nëse është fjala për ndonjë shuplakë.” Sahabët kanë pyetur: “Si do të bëhet kjo (kthimi i së drejtës, i hakut), duke qenë se do të dalim para Allahut të zhveshur, të pa bërë sunet dhe pa pasur asgjë me veti?” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Me vepra të mira (duke ia marrë) dhe me mëkate (duke ia dhënë).” Buhariu, Ahmedi etj.
Kuptimi i emrit الديَّان: Ai i Cili i merr robërit e Tij në llogari dhe i shpërblen, në bazë te veprave që kanë vepruar në jetën e kësaj bote. Nëse kanë vepruar mirë, do të gjejnë mirë e nëse kanë vepruar keq, do të gjejnë dënim.
Kur besimtari i mençur e mëson se Allahu është Ed Dejjaan, se Dita e Gjykimit është ditë e llogaridhënies, e shpërblimit dhe e dënimit, se do ta takojë Allahun dhe se do të gjejë para vetes të gjitha veprat që ka bërë, atëherë do ta marrë veten në llogari sa është ende në këtë jetë dhe do të përgatitet me vepra të mira për takimin me Allahun.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.