Emri البَرّ – El Berr
Emri البَرّ – El Berr – Bamirësi, është përmendur një herë në Kuran:
“إِنَّهُ هُوَ الْبَرُّ الرَّحِيمُ – Ai është vërtet Bamirës dhe Mëshirëplotë.” Tur 28.
Kuptimi i emrit البَرّ: Ai i Cili ka përfshirë të gjitha krijesat me bamirësinë e Tij, me të mirat e Tij e me dhuratat e Tij. Ai vazhdimisht u dhuron atyre prej mirësive të Tij. Ai është i gjerë në dhënie, është bamirës i vazhdueshëm e i përhershëm. Ai ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë i cilësuar me dhënie, me bamirësi, me dhurim të dhuratave, me dhënie të mirësive të Tij. Ai u ka dhënë njerëzve prej të mirave të Tij gjithëpërfshirëse, të jashtme e të brendshme, të dukshme e të padukshme, të njëpasnjëshme, të llojllojshme. Askush nuk mund ta vlerësojë bamirësinë, bujarinë e fisnikërinë e Allahut. Ai e zotëron bujarinë e gjerë, Ai është plotë mirësi, zotëron dhuratat e vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme, e të cilat i mbulojnë të gjitha krijesat e Tij.
Allahu përderisa është البَرّ, i do ata që janë të devotshëm dhe bamirës- që veprojnë vepra të mira në raport me Atë dhe në raport me krijesat. Të tillët, që kanë mirësi në zemra, i afron tek Ai. Allahu është El Berr, dhe i do ata që në zemrat e tyre kanë mirësi. Ai i do veprat e mira; ata që i veprojnë ato i shpërblen me udhëzim, me shpëtim dhe me ngritje në të dy botët. Allahu thotë: “Nuk keni për ta arritur mirësinë e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni.” Ali Imran 92. Katade rahimehullah ka thënë: “Nuk do të arrini mirësinë e Zotit tuaj (nuk do të arrini të keni “birr” në zemrat e juaja) derisa të shpenzoni prej pasurisë suaj atë që më së shumti e doni.”
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.