Emri الحَيِيّ – El Hajjijj
Turpi, si cilësi e Allahut, është përmendur në Kuran në formën e foljes:
إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَسْتَحْىِۦٓ أَن يَضْرِبَ مَثَلًۭا مَّا بَعُوضَةًۭ فَمَا فَوْقَهَا
“Allahu nuk i vjen turp që të japë shembull mushkonjën ose diçka më të madhe se ajo.” Bekare 26.
Ndërsa, si emër, është përmendur në sunetin profetik në dy hadithe:
إن الله عز وجل حييٌّ ستير يحبُّ الحياء والستر…
“Vërtet Allahu është i turpshëm dhe mbulues i të metave, prandaj e do turpin (te njeriu) dhe mbulimin (e pjesëve të turpshme te njeriu).” Ebu Daudi, Nesaiu.
إن ربكم تبارك وتعالى حيي كريم، يستحي من عبده إذا رفع يديه إليه أن يردهما صفراً.
“Vërtet Zoti juaj është i turpshëm dhe bujar. Atij i vjen turp që t’ia kthejë duart bosh (pa përgjigje) robit të Tij kur ai i ngrit duart me lutje tek Ai.” Ebu Daudi, Ibn Maxheh.
Në këtë emër fisnik, الحَيِيّ – El Hajjijj – I Turpshmi, ka argument se turpi pohohet si cilësi e Allahut ashtu siç i takon madhërisë dhe madhështisë së Tij. Allahu, në cilësitë dhe atributet e Tij, nuk i përngjanë askujt prej krijesave të Tij. Dhe askush prej krijesave nuk i shëmbëllen Atij në to. Allahu thotë: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij.” Shura 11. “A njeh ndokënd të njëjtë (të ngjashëm) me Allahun?!” Merjem 65. Turpi i Allahut nuk është sikurse turpi i krijesave.
Allahu është i turpshëm, e do turpin dhe i do ata që janë të turpshëm. Kanë ardhur tekste të shumta në të cilat Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na nxitë që të pajisemi me turp; ai e ka llogaritur turpin prej degëve të besimit. Në shumë hadithe ka sqaruar për frytet madhështore që lë turpi te besimtari. Gjithashtu ka treguar se i gjithë turpi është mirësi. E pa dyshim, turpi më madhështor dhe të cilin besimtari e ka obligim ta ketë, është ai në raport me Allahun (të ketë turp ndaj Tij e të mos shkel ndalesat e Tij, të mos i bëj mëkat etj.).
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.