Emri الحَكِيم – El Hakiim
Emri الحَكِيم – El Hakiim – I Urti, Gjykatësi i Vetëm, është përmendur në Kuran më shumë se njëqind vende, prej tyre:
-në suren Enam: “وَهُوَ ٱلْحَكِيمُ ٱلْخَبِيرُ – Ai është i Urti dhe ka dijeni për gjithçka.” Ajeti 18.
-në suren Bekare: “وَٱللَّهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ – Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” Ajeti 228.
Ky emër tregon për pohimin e dy cilësive të Allahut:
–Përsosmërinë e gjykimit të Tij. Allahu është i Vetmi i Cili gjykon (se çfarë të ndodhë) mes robërve të Tij sipas asaj që dëshiron. Askush nuk ka mundësi ta kundërshtojë apo ta thyejë urdhrin, gjykimin dhe caktimin e Tij, “I gjithë gjykimi i takon vetëm Allahut”, “dhe Ai nuk e ndan me askënd pushtetin e Vet.” Kehf 26. Askush nuk ka mundësi ta korrigjojë në atë që Ai ka gjykuar dhe ligjësuar. Allahu thotë: “Allahu gjykon, dhe askush nuk mund ta thyejë gjykimin e Tij…” Rad 41. Atë që Allahu e gjykon te krijesat e Tij patjetër duhet të zbatohet dhe të ekzekutohet.
–Përsosmërinë e urtësisë së Tij. Allahu ka urtësi në krijimin e Tij, çdo gjë e ka krijuar me urtësi, gjithashtu ka urtësi në urdhrat e Tij dhe në ligjet e Tij. Të gjitha këto i ka vënë në pozitat që u takojnë, dhe kjo është urtësia: vendosja e një gjëje në vendin e duhur. Askush nuk ka mundësi ta kritikojë apo akuzojë Allahun në urtësinë e Tij, sepse në çdo gjë që e ka krijuar, apo e ka urdhëruar, apo e ka ligjësuar, e ka bërë në bazë të urtësisë së Tij absolute.
Cilësia e gjykimit të Allahut përfshin në vete të gjithë emrat dhe atributet e Tij të përkryera, ngase Ai nuk mund të jetë Gjykatësi i Vetëm, i drejt absolut, përveçse duke qenë Dëgjuesi, Shikuesi, i Gjithëdijshmi, i Mirinformuari, Ai që flet, që i rregullon gjërat në këtë univers etj.