Emri i Allahut: El Haliim

Emri الحَلِيم – El Haliim

Emri الحَلِيم – El Haliim – I Butë, është përmendur në Kuran në disa vende, prej tyre:

  • në suren Fatir: “إِنَّهُۥ كَانَ حَلِيمًا غَفُورًا – Me të vërtetë, Ai është i Butë dhe Falës i madh (i gjynaheve).” Ajeti 41.
  • në suren Ahzab: “وَكَانَ ٱللَّهُ عَلِيمًا حَلِيمًاAllahu është i Gjithëdijshëm dhe i Butë.” Ajeti 51.

   Kuptimi i emrit الحَلِيم: Ai që nuk e ngut dënimin dhe ndëshkimin ndaj robërve të Tij për mëkatet e tyre. Allahu sheh njerëzit duke e mohuar Atë, duke i bërë ortakëri dhe mëkate, e megjithatë tregohet i Butë ndaj tyre, u jep afat, ua shtyn afatin, ua vonon apo nuk ua shpejton dënimin. Përveç kësaj, vazhdon t’u japë prej të mirave e dhuntive të Tij të njëpasnjëshme. Mëkatarëve nuk ua kthen menjëherë mëkatet, por u jep afat dhe ua shtyn atë, në mënyrë që të pendohen e të kthehen tek Allahu. Nëse do t’i dënonte dhe ndëshkonte ata për mëkatet e tyre të njëpasnjëshme, atëherë nuk do të mbetej asnjë krijesë e gjallë në sipërfaqen e tokës. Allahu thotë: “Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit për shkak të mbrapshtive të tyre, nuk do të linte asgjë të gjallë në Tokë. Por Ai i lë ata deri në një afat të caktuar dhe, kur atyre u vjen afati, ata nuk mund ta shtyjnë atë e as ta shpejtojnë, qoftë edhe për një çast.” Nahl 61. Dhe: “Sikur t’i dënonte ata për çfarë kanë bërë, Ai do t’ua shpejtonte dënimin. Por ata i pret një çast i caktuar, nga i cili kurrë nuk do të shpëtojnë.” Kehf 58.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Madhësia e tekstit