Emri الهادي – El Heedii
Emri الهادي – El Heedii – Udhëzuesi, Udhërrëfyesi, përmendet në Kuran në dy vende:
- në suren Haxh: “وَإِنَّ ٱللَّهَ لَهَادِ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓا۟ إِلَىٰ صِرَٰطٍۢ مُّسْتَقِيمٍۢ – “Nuk ka dyshim se Allahu është udhërrëfyesi i rrugës së drejtë i atyre që besojnë.” Ajeti 54.
- në suren Furkan: “وَكَفَىٰ بِرَبِّكَ هَادِيًا وَنَصِيرًۭا – Por ty të mjafton Zoti yt si udhërrëfyes dhe ndihmës!” Ajeti 31.
Kuptimi i emrit الهادي: Ai i Cili i udhëzon, i orienton, i drejton e ua rrëfyen rrugën robërve të Tij drejt asaj në të cilën është lumturia e tyre në të dy botët. Është Ai me udhëzimin e të Cilit janë udhëzuar miqtë e të dashurit e Tij, drejt bindjes, adhurimit dhe kënaqësisë së Tij. Është Ai me udhëzimin e Të Cilit udhëzohen madje dhe kafshët drejt atyre gjërave që u bëjnë dobi dhe ruhen nga ato gjëra që i dëmtojnë ato. Allahu është Ai i Cili i krijoi krijesat dhe pastaj i udhëzoi ato, “që ka krijuar gjithçka dhe e ka përpjesëtuar drejt; që ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën” Ale 2-3. Kështu pra, Allahu është Ai i Cili i udhëzoi krijesat e Tij drejt dobive, me udhëzimin e përgjithshëm, dhe i bëri të përshtatshme të gjitha krijesat për atë që janë krijuar. Po ashtu, Allahu i udhëzoi me udhëzimin e sqarimit, përmes të cilit ua sqaroi njerëzve rrugën e drejtë, për këtë dhe i dërgoi Perjgamberët, i zbriti Librat, ligjësoi ligje e dispozita, tregoi gjërat e ndaluara e të lejuara, sqaroi bazat e degët e fesë. Allahu sqaroi dhe udhëzoi drejt rrugës së drejt e cila dërgon te kënaqësia e shpërblimi i Tij. Gjithashtu, sqaroi rrugët devijuese, që shmangin nga rruga e drejtë, në mënyrë që të kenë kujdes e të ruhen prej tyre. Ai i udhëzoi robërit e Tij besimtarë me udhëzimin e inspirimit, drejt besimit, bindjes e adhurimit ndaj Tij. Ai gjithashtu do t’i udhëzojë këta robër drejt banesave dhe shtëpive të tyre në xhenet, ashtu siç i udhëzoi në këtë botë drejt rrugëve e shkaqeve që çojnë drejt xhenetit.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.