Emri المُحْسِن – El Muhsin
Emri المُحْسِن – El Muhsin – Bamirësi, nuk përmendet në Kuran në formë të emrit, mirëpo është përmendur si folje. Në Kuran lexojmë:
“وَأَحْسِن كَمَآ أَحْسَنَ ٱللَّهُ إِلَيْكَ – Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu.” Kasas 77.
Dhe: “وَقَدْ أَحْسَنَ بِىٓ إِذْ أَخْرَجَنِى مِنَ ٱلسِّجْنِ – (Fjalët e Jusufit): Mua më bëri mirësi, kur më nxori nga burgu…” Jusuf 100.
Ndërsa, në formën e emrit është përmendur në sunetin profetik:
“فإن الله محسن يحب المحسنين – Allahu është Bamirës dhe i do bamirësit!” Tebaraniu dhe Ebu Neim.
Kuptimi i emrit المُحْسِن kthehet te mirësia, begatia, bujaria, fisnikëria dhe dhuratat e shumta që jep Allahu. Bamirësia është cilësi e Allahut, e pandashme prej Tij. Çdo krijesë që ekziston ka nevojë për bamirësinë e Allahut. Krijesa nuk mund të jetë e panevojshme për këtë bamirësi të Tij qoftë dhe sa lëvizja më e vogël. Ai i ka sjell në ekzistencë krijesat e Tij, pastaj i furnizon në vazhdimësi e i begaton me të mirat e Tij, “…i Cili ka përsosur çdo gjë që ka krijuar. Ai e ka filluar krijimin e njeriut prej baltës.” Sexhde 7. Dhe: “…ju ka dhënë format tuaja dhe jua ka bërë ato të bukura…” Tegabun 3.
Bamirësia më e madhe prej Allahut ndaj robërve të Tij është zgjerimi i zemrave të tyre për bindje e adhurim ndaj Tij, pastaj dhe e forcimi në udhëzim dhe në të vërtetën deri në vdekje, e pastaj e gjithë kjo kurorëzohet me hyrjen në xhenet dhe me shikimin në Allahun.
Allahu është Bamirës dhe i do bamirësit, “por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit” Bekare 195. Prej kësaj bamirësie është të qenit bamirës ndaj njerëzve në përgjithësi, ndaj prindërve në veçanti, gjithashtu prej bamirësisë është mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe plotësimi i të drejtave të të tjerëve që kanë ndaj nesh (apo zbatimi i obligimeve ndaj tyre), ndihma ndaj nevojtarëve, moslëndimi e mosfyrja ndaj të tjerëve me veprime e me fjalë dhe forma të tjera të bamirësisë.
Allahu ka premtuar shpërblim të madh, për bamirësit, në të dy botët, “Dhe Allahu u dhuroi atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin më të mirë të jetës tjetër. Allahu i do bamirësit, punëmirët”. Ali Imran 148.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.