Emri i Allahut: El Waasi

Emri الوَاسِع – El Waasi

Emri الوَاسِع – El Waasi – I Gjeri, është përmendur në shumë vende në Kuran.

Kuptimi i emrit الوَاسِع: Ai që është i Gjerë në emrat dhe cilësitë e Tij dhe në të gjitha gjërat që lidhen me to (që vijnë si rezultat i tyre). Ai është i Gjerë saqë robërit e Tij nuk kanë mundësi të përmbledhin dhe të përfshijnë të gjitha lavdërimet ndaj Tij. Ai është meritor që të lavdërohet. Ai është i lavdëruar ashtu siç e ka lavdëruar Vetën e Tij. Allahu është i Gjerë në madhështinë e Tij, në Pushtetin e Tij dhe në Sundimin e Tij. Gjithashtu në mirësitë që ua jep njerëzve, në bamirësinë e Tij dhe në bujarinë dhe në fisnikërinë e Tij. Allahu kur tregon gjerësinë e dijes dhe të mëshirës së Tij, thotë: “(Engjëjt kanë thënë): “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde…” Gafir 7. Kur tregon gjerësinë e furnizimit të Tij ndaj njerëzve, thotë: “Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.” Nur 32. Ndërsa, kur tregon se sa e gjerë është mëshira e Tij, thotë: “…Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është i Gjerë dhe i Gjithëdijshëm.” Bekare 268.

Prej dëshmive që tregojnë për këtë emër është fakti se Allahu ua ka zgjeruar (d.m.th. ua ka lehtësuar) njerëzve fenë e tyre, nuk i ka ngarkuar ata me ligje e dispozita që nuk mund t’i përballojnë, “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka ai (njeriu)…” Bekare 286. Të gjitha ligjet dhe dispozitat që i ka ligjësuar për neve janë të lehta të veprohen. Ai nuk na ka vështirësuar fenë përmes tyre. I Gjithë Lavdi dhe falënderimi i takon Allahut për begatitë e Tij dhe për lehtësimet që na ka bërë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Madhësia e tekstit