Emri الجَمِيل – El Xhemiil
Emri الجَمِيل – El Xhemiil – I Bukuri, është përmendur në sunetin profetik, në hadithin e përcjellë prej Abdullah ibn Mesudit i cili ka treguar se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“إن الله جميل يحبُّ الجمال – Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën.” Muslimi.
Allahu është i Bukur, sa i përket emrave të Tij, cilësive të Tij, Qenies së Tij dhe veprave të Tij. Ibn Kajjim e shpjegon këtë emër shumë mirë duke thënë: “Bukuria e Allahut është në katër nivele: bukuria e Qenies së Tij, bukuria e cilësive të Tij, bukuria e veprave të Tij dhe bukuria e emrave të Tij. Të gjithë emrat e Allahut janë më të bukurit, të gjitha cilësitë e Tij tregojnë për përsosmëri, të gjitha veprat e Tij bazohen mbi urtësi, dobi, drejtësi dhe mëshirë. Ndërsa, sa i përket bukurisë së qenies së Allahut, kjo është një çështje që askush nuk mund ta perceptojë dhe të dijë formën e saj… Kjo bukuri është e mbuluar për krijesat (ka perde), me mbulesat (“rrobat”) e madhështisë dhe të madhërisë, siç ka treguar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem (në hadith kudsij) se Allahu ka thënë: “الكبرياء ردائي، والعظمة إزاري… – Madhështia është rroba Ime e Lartë, ndërsa Madhëria është rroba ime e poshtme…” Sa bukuri e madhe është ajo bukuri e cila është e mbuluar me cilësi të përsosmërisë, madhështisë dhe madhërisë!”
Prej dhuntisë madhështore dhe mirësisë së plotë prej Allahut ndaj banorëve të xhenetit, është kur ua mundëson ta shohin Atë, të Adhuruarin e tyre, Zotin e tyre, i Cili është i Bukuri, Madhështori. Atyre nuk u jepet kënaqësi dhe shpërblim më madhështor e më i lartë, sesa ky. Me këtë do t’u përjetojnë kënaqësinë e syve, qetësinë e plotë shpirtërore, lumturinë e zemrave e fytyrat do t’u shkëlqejnë nga kjo kënaqësi. E ky pa dyshim do të jetë nderimi më i madh që ua jep atyre. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të hyjnë banorët e xhenetit në xhenet, Allahu i pyet: “A dëshironi t’ju shtoj diçka më shumë (sesa xheneti dhe shpërblimet për ta)?” Ata thonë: “A nuk na i zbardhe fytyrat tona, na fute në xhenet e na shpëtove nga zjarri (çfarë më shumë)?!” Atëherë Allahu largon perden (e dritës) që ka mes Tij dhe krijesave. Dhe atyre nuk u është dhënë gjë më e dashur, më e bukur, më lumturuese, sesa shikimi në Zotin e tyre të madhëruar.” Muslimi.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.