Emri i Allahut: Err Rrefiik

Emri الرَّفيق – Err Rrefiik

Emri الرَّفيق – Err Rrefiik – I Buti, është pohuar në sunetin profetik, përcjellë në hadithin prej Aishes e cila ka treguar se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

إن الله رفيقٌ يحبُّ الرفق في الأمر كلِّه

“Vërtet Allahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo gjë.” Buhariu.

Allahu ka cilësi butësinë, dhe kjo në përsosmëri, ashtu siç i shkon madhërisë dhe madhështisë së Tij.

Kjo cilësi nënkupton: butësi, maturi, mosnguti, ndërsa e kundërta e saj është: dhuna, ashpërsia. Allahu është الرَّفيق. Ai u ka shkuar gjërave në mënyrë graduale, me maturi, së pari sa i përket paracaktimit dhe veprave të Tij, po ashtu sa i përket urdhrave, ligjeve dhe fesë që e ka zbritur te njerëzit. Ai e ka krijuar universin gradualisht, në varësi të urtësisë, butësisë e maturisë së Tij. Ai, sa i përket ligjeve e urdhrave të Tij ndaj njerëzve, nuk i ka ngarkuar ata përtej mundësive të tyre, ato i ka lehtësuar, nuk i ka ligjësuar të gjitha dispozitat menjëherë, por gradualisht, rrethanë pas rrethane. Ai nuk shpejton ta dënojë robin e Tij, për mëkatet, por i jep afat, që të pendohet dhe të kthehet në rrugën e drejtë. Ai fenë e Tij e ka bërë të lehtë, të butë, për njerëzit. Ai i ka urdhëruar robërit e Tij që të jenë të butë ndërmjet veti. Të gjitha këto janë prej butësisë (rrifkut) të Tij.

Andaj, muslimani e ka për obligim të jetë i butë, në të gjitha gjendjet, çështjet e rrethanat e tij, qëllimi është pra: të mos jetë i ngutshëm, i nxituar, impulsiv, i pa matur, i pa kontrollë. Allahu është i Butë dhe e do butësinë.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Madhësia e tekstit