Emri i Allahut: Esh Shaafii

Emri الشَّافِي – Esh Shaafii

Emri الشَّافِي – Esh Shaafii – Shëruesi, është përmendur në sunetin profetik, në hadithin e përcjellë prej Aishes radijAllahu anha e cila ka treguar se kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i bënte rukje familjes së tij, kërkonte mbrojtjeje tek Allahu me lutjen që ua lexonte:

“اللهم رب الناس، أذهب الباس، واشفه وأنت الشافي، لا شفاء إلا شفاؤك، شفاء لا يغادر سقماً”

O Allah, Zoti i njerëzve, largoja dhimbjen (sëmundjen) dhe shëroje, sepse Ti je Shëruesi! Nuk ka shërim përveçse shërimit Tënd. Shëroje me një shërim që nuk lë pas sëmundje!”, pastaj me dorën e tij të djathtë e fërkonte vendin ku kishte dhimbje etj.  Buhariu dhe Muslimi.

Kuptimi i emrit الشَّافِي: Ai prej të Cilit vije shërimi; shërimi në shumë kuptime, si: shërimi i zemrave prej dyshimeve e të metave të saj, shërimi i trupave prej sëmundjeve të ndryshme. Askush nuk ka mundësi që ta shërojë njeriun prej këtyre përveç Allahut. Nuk ka shërim përveç shërimit prej Tij. Nuk ka Shërues përveç Tij, “Cili, kur sëmurem, më shëron” Shuara 80. Allahu veçohet me shërim. Nuk ka ortak e shok në shërim, Ai është Shëruesi i Vetëm.

Është obligim për çdo musliman që të besojë me bindje të plotë se nuk ka shërues tjetër përveç Allahut. Prej rrugëve më të mira përmes të cilave e lusim Allahun dhe kërkojmë afrim tek Allahu për të na shëruar prej sëmundjeve të ndryshme, qoftë fizike po shpirtërore, është veçimi/njësimi i Tij me Rububije- se Ai është Zoti dhe Krijuesi i Vetëm, dhe besimi se shërimi është në Dorën e Tij, vjen vetëm prej Tij. Pra, nuk ka shërim për askënd përveçse me lejen e Allahut. Ai është i Cili i drejton dhe i rregullon çështjet. Nuk ka ndryshim dhe forcë përveçse prej Allahut.

Ky besim kësisoj, nuk ndalon në marrjen e shkaqeve të dobishme, përmes të cilave njeriu mjekohet dhe kurohet. Janë përcjellë hadithe të shumta në të cilat Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na urdhëron të mjekohemi. Ai vetë ka përmendur dhe disa prej ilaçeve të dobishme. Veprimi i shkaqeve nuk kundërshton mbështetjen në Allahun dhe besimin se Ai është Shëruesi i Vetëm. Përmendim dy hadithe: “Nuk ka zbritur Allahu sëmundje në tokë veçse së bashku me të ka zbritur dhe shërimin prej saj.” Buhariu. Dhe: “Allahu nuk ka zbritur ndonjë sëmundje veçse për të ka zbritur dhe shërimin, mirëpo disa arrijnë ta dinë atë (ilaçin) e disa nuk arrijnë ta dinë.” Ahmedi.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Madhësia e tekstit