Emri i Allahut: Et Tajjib

Emri الطَّيِّب – Et Tajjib

Emri الطَّيِّب – Et Tajjib – I Pastërti, i Miri, përmendet në hadithin e përcjellë nga Ebu Hurejrja i cila ka treguar se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

“يا أيها الناس إن الله طيبٌ لا يقبل إلا طيب”

“O ju njerëz, Allahu është i Pastër, i Mirë, dhe nuk e pranon përveçse atë që është e pastër, e mirë.” Muslimi.

   Kuptimi i emrit الطَّيِّب: Ai i Cili është i Shenjt, i Pastër, i Lartësuar, nga të gjitha mangësitë, të metat e të këqijat. Allahu ka qenë në pa fillim dhe do të jetë në pambarim i përkryer në Qenien, Cilësitë, Veprimet dhe Fjalët e Tij. Allahu e vepron dhe e thotë vetëm atë që e kërkon përsosmëria e madhështia e Tij. Ai nuk vepron dhe nuk flet fjalë të cilat e kundërshtojnë këtë përsosmëri e madhështi të Tij. Andaj, Allahu është Tajjib – I Pastër, i Mirë, veprat e Tij janë të mira, cilësitë e Tij janë të pastra, emrat e Tij janë më të mirët, më të pastrit. Ky emër tregon se çdo gjë që buron prej Allahut është e mirë, e pastër. Tek Allahu shkon vetëm ajo që është e pastër. Ai nuk e afron përveçse atë që është i mirë, i pastër. Tek Ai ngjiten vetëm fjalët e mira dhe veprat e mira.

Feja jonë islame, e gjitha është e mirë, e pastër, si në çështjet e besimit, në dispozitat e ligjësuara dhe në edukatën të cilën na mëson. Përmes tyre përmirësohet feja e njerëzve, jeta në këtë botë dhe jeta në botën tjetër. Përderisa një besimtar ka qenë i mirë, i pastër, në jetën e kësaj dunjaje, sa i përket çështjeve të besimit, veprave të tij dhe fjalëve të tij, Allahu do ta nderojë në xhenet duke ia mundësuar hyrjen në shtëpinë e të mirëve. E në xhenet nuk mund të hyjë përveçse ai i cili është i pastër, i mirë, “Ndërsa ata që i janë frikësuar Zotit të tyre, do të çohen grupe-grupe në Xhenet. Kur t’i afrohen atij, dyert e tij do të hapen e rojtarët e tij do t’u thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!” Zumer 73. Në këtë ajet, hyrja në xhenet është e ndërlidhur (ka pas nderpreje te audios) me të qenit i mirë. Këtu jepet shenjë se shkaku i hyrjes së tyre në xhenet është se kanë qenë të mirë në besim, vepra e fjalë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset rreth Emrave të Allahut – Transkriptim.

Madhësia e tekstit