Ethere për falënderimin (nga libri “Esh shukru”)

Ethere për falënderimin (nga libri “Esh shukru”)

~ Sulejman et Tejmi rahimehullah ka thënë: “Allahu i furnizon njerëzit me mirësi në bazë të madhështisë (mundësisë) së Tij, kurse ata i obligon ta falënderojnë në bazë të mundësisë së tyre.” Mundësia e Tij është shumë e madhe, kurse bujaria e Tij është se nuk i ngarkon përveçse aq sa munden.

~ Hasan el Basriu rahimehullah ka thënë: “O Allah, Zoti ynë, Ty të takon falënderimi që na krijove, na furnizove, na udhëzove, na mësove, na shpëtove dhe që na largon brengat. Ty të takon falënderimi për Islamin dhe Kuranin. Ty të takon falënderimi për familjen, pasurinë e shëndetin… Ty të takon falënderimi derisa të jesh i kënaqur me neve dhe Ty të takon falënderimi atëherë kur të jesh i kënaqur me neve.”

~Makhledin ibën Husejn rahimehullah ka thënë: “Falënderim dhe mirënjohje është lënie e gjynaheve.”

~Ebu Hatim rahimehullah ka thënë: “Çdo mirësi që nuk të afron tek Allahu, është fatkeqësi për ty.” Nëse nuk jemi mirënjohës dhe i shfrytëzojmë mirësitë (pasurinë, shëndetin, fuqinë etj.) për të bërë mëkate, kjo është fatkeqësi.

~Bekr Abdilah el Muzeni rahimehullah ka thënë: “Mbi njeriun zbret një fatkeqësi dhe ai i lutet Allahut e Ai ia largon atë (i përgjigjet), mirëpo pastaj i vjen shejtani dhe ia zbeh falënderimin e tij.” Shejtani nuk mundi ta ndalë nga lutja tek Allahu, atëherë e pengoi nga falënderimi. “I thotë: “A e sheh, ka qenë më e lehtë sesa ke menduar?” Kjo është hile e tij. “E pse të mos thotë: “Ka qenë e rëndë, por Allahu ma largoi.” Kjo shton falënderimin ndaj Allahu te njeriu dhe adhurimet e tjera.

~ Umer ibn AbdulAziz (halife) rahimehullah ka thënë: “Lidhni (mbani afër) mirësitë e Allahut me falënderim ndaj Tij.” Madje, kështu ato do të shtohen edhe më tepër.

~ Ebu Hazim rahimehullah ka thënë: “Nëse sheh se Allahu vazhdimisht të dërgon mirësi ndërsa ti bën mëkate, atëherë ruaju nga kjo.” Allahu thotë: “Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm dyert e çdo mirësie. Por, sapo po gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam befasisht dhe atëherë ata u zhytën në dëshpërim.” Enam 44. Shumë njerëz gabimisht mendojnë se kur kanë mirësi të vazhdueshme duke qenë në mëkate, atëherë kjo është rezultat se Allahu është i kënaqur me ta. Njeriu nuk duhet të mashtrohet nga kjo gjendje.

~Një njeri i ka thënë ebu Temimes rahimehullah: “Si u zgjove?” Dhe i është përgjigjur: “U zgjova mes dy mirësive e nuk di cila është më e mirë: mes mëkateve të mbuluara dhe askush nuk mund të më qortojë për to dhe dashurisë të cilën Allahu e ka hedhur në zemrat e njerëzve për mua e që nuk e kam arritur me veprat e mia.” Nëse njerëzit të duan, por që nuk ke vepruar të të duan aq, kjo është mirësi prej Allahut i Cili e ka hedhur atë dashuri në zemrat e tyre, e në anën tjetër t’i ka mbuluar mëkatet, të cilat nëse do t’i dinin nuk do të donin, e ndoshta edhe do të rëndonin me fjalë.

~Imam esh Shabiu rahimehullah ka thënë: “Falënderimi është gjysma e besimit dhe durimi është gjysma tjetër, ndërsa bindja (el jekin) është i gjithë besimi.” Allahu në Kuran thotë: “Sigurisht, në këtë, ka shenja si mësime për çdo të durueshëm dhe falënderues.” Sebe 19 (e po ashtu në suren Ibrahim, Shura, Lukman).

~ Ebu Kilabe rahimehullah ka thënë: “Nuk iu bën dëm dunjaja përderisa jeni falënderues e mirënjohës.” Sado që të të jepet prej dunjas, nuk dëmtohesh nëse je falënderues e mirënjohës. Cili është më i mirë tek Allahu, falënderuesi i pasur apo durimtari i varfër? Këto janë dy gjendje të lavdëruara. Ibën Tejmije rahimehullah ka thënë: “Më i mirë prej tyre është ai që është më i devotshëm. E nëse janë të barabartë në devotshmëri, atëherë janë të barabartë në mirësi.”

~ Hasan el Basriu rahimehullah për ajetin kuranor: “…se njeriu është vërtet mosmirënjohës ndaj Zotit të vet” Adijat 6, ka komentuar: “I numëron fatkeqësitë dhe harron mirësitë.” Nga format e mosmirënjohjes është kur kujton vetëm të këqijat e fatkeqësitë dhe nuk kujton mirësitë. Kjo është shumë aktuale në mesin tonë. Zakonisht në biseda është ankesa, përmendja e vështirësive dhe problemeve. Ndërsa harrohet të përmenden mirësitë e Allahut, që është mirënjohje ndaj Tij. Është thënë: “Numërimi i mirësive është falënderim.” Mirësitë t’i përmendim e t’i numërojmë, ose t’i përmendim më shumë se fatkeqësitë, e fatkeqësitë të përmenden në aspektin e njoftimit apo këshillës dhe mësimit.

~ Mutarrif ibën Abdilah rahimehullah ka thënë: “Për mua më e dashur është të jem në mirëqenie e falënderues sesa në sprovë e durimtar.” Allahu shpërblen shumë për durimin, kjo dihet, por falënderimi ka një pozitë të madhe tek Allahu. Ai ka dashur të vërë në pah rëndësinë e falënderimit.

~ Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka falur namaz nate derisa i janë ënjtur këmbët dhe i kanë thënë: “O i Dërguar i Allahut, pse merr tërë këtë mundim kur Allahu t’i ka falur mëkatet e tua?!” Ndërsa ai ka thënë: “A të mos jem rob falënderues?!” Abdurrezak el Bedr ka thënë: “Prej këtij hadithi mësojmë se nëse njeriu angazhohet me adhurime e punon vepra të mira kjo është falënderim.” Pra, bën adhurim, namaz, i përmbahet urdhrave të Allahut, i bindet Atij, në realitet me këtë është duke shprehur mirënjohje e falënderim ndaj Tij.

~ Refi wel Alie rahimehullah ka thënë: “Shpresoj se njeriu nuk do të shkatërrohet përderisa është mes dy gjendjeve: një mirësie për të cilën e falënderon Allahun dhe një mëkati për të cilin kërkon falje.” Njeriu është në mirësi për të cilën e falënderon e Allahun dhe është e pamundur të mos bëjë mëkate mirëpo kërkon falje për to. Ai duke qenë mirënjohës për mirësitë, pendimtar dhe kërkues i faljes për mëkatet dhe durimtar në fatkeqësi, tek ai janë mbledhur dyert e lumturisë.

~ Muhamed Ibn Hasen ka shkruar: “Të kesh devotshmëri kudo që të jesh. Ki frikë Allahun për çdo mirësi që të është dhënë. Janë dy defekte lidhur me mirësinë: falënderimi i mangët e i paktë dhe mëkatimi me atë mirësi.” Këto dy gjëra mund ta shoqërojnë mirësinë. Nëse njeriu është falënderues i vërtetë, nuk do ta shfrytëzojë atë mirësi në mëkat, por do t’i bindet Allahut me të dhe do ta shfrytëzojë në shërbim të së mirës.

~ Ebu Derda rahimehullah ka thënë: “Kush nuk i njeh mirësitë e Allahut përveçse në ushqimin e pijen e tij, ai ka pak dituri dhe dënimi veçse i është afruar.” Kur nuk e njeh mirësinë nuk do të jesh falënderues për të. Të gjitha mirësitë janë prej Allahut, duhet t’i vlerësojë të gjitha dhe të bindet se ato janë të panumërta. Ibën Kudame rahimehullah ka thënë: “Në shumicën e rasteve njerëzit tregohen të mangët në falënderim për shkak të injorancës dhe neglizhencës.”

~ Enesi radijAllahu anhu ka dëgjuar Umerin radijAllahu anhu i cili i ka thënë njërit: “Si je?” E ai i është përgjigjur: “Falënderoj Allahun.” Dhe i ka thënë: “Këtë desha prej teje.” Pra, të tregohet falënderues, të kujtojë shëndetin e mirëqenien e tij dhe ta shprehë me gjuhë.

~ Muxhahidi rahimehullah ka thënë: për ajetin: “…ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme” Lukman 20, thotë: “Mirësia më e madhe është shehadeti.” Sufjan ibn Ujejne rahimehullah ka thënë: “Nuk ka mirësi më të madhe që u është dhënë robërve sesa njohja e së vërtetës se nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Allahut (La ilahe ilAllah). Në botën tjetër ajo është sikur uji në këtë dunja.” Kjo është mirësia më e madhe që Allahu na ka dhënë e për të cilën duhet të tregohemi shumë mirënjohës.

~ Junus ibn Ubejdit rahimehullah i është ankuar dikush për gjendjen e rëndë dhe i ka thënë: “A do të dëshiroje të jepje shikimin për 100.000 dërhem? Po dorën, këmbën etj.” E ai i thotë: “Jo.” Dhe i thotë: “Unë shoh se ti ke qindra mijëra dërhem vlerë kurse në anën tjetër ankohesh.” Njeriu duke kujtuar këto mirësi ndjen gëzim. Kjo nuk do të thotë që nuk ka nevoja të tjera. Por, që të largojë shprehinë e ankimit. E nëse duam të numërojmë mirësitë ato nuk numërohen, dhe ka mirësi që mund të përmendim në bisedat tona duke u këshilluar e duke u kujtuar më shumë sesa kur përmendim nevojat.

~ Sufjan eth Theuri rahimehullah për ajetin kuranor “…dalëngadalë Ne do t’i shpiem drejt shkatërrimit (jobesimtarët), pa e kuptuar” Araf 182, ka komentuar: “Ne u dhurojmë mirësi dhe i privojmë nga falënderimi.” Të tjerë kanë thënë: “Sa herë kanë bërë një mëkat u ka ardhur një e mirë.” Ibn Daudi: “Allahu u jep mirësi e ata harrojnë të falënderojnë.”

~ Transmetohet se Abdurrahman ibn Kabi ka thënë për Kabin radijAllahu anhu: “Kur i ka ardhur lajmi i gëzueshëm për pranimin e pendimit nga Allahu, ka rënë në sexhde dhe rrobat që ka pasur ia ka dhënë dhuratë atij që ia ka sjellë lajmin.”

~ Sufjan eth Theuri rahimehullah ka thënë: “Nuk i përshkon Allahut që ta begatojë një rob në këtë dunja (me begatinë e besimit, fesë, teuhidit) e ta lërë pas dore në ahiret. Dhuruesi i së mirës (Allahu) e ka për obligim ta plotësojë mirësinë e Tij (ia mundëson të vdesë me teuhid duke dal para Allahut njësues i Tij).” Dhe ka thënë: “Mëkatet janë më të lehta për mua, mirëpo kam frikë se më largohet teuhidi.” D.m.th.: Frika se a jemi duke e falënderuar Allahun sa duhet për teuhidin që na ka dhënë. Ne nuk kemi dyshim që nëse përmbushim falënderimin ndaj Allahut, Ai gjithsesi do të përmbushë mirësinë e Tij, por megjithëkëtë shpresë, kemi edhe frikë se a jemi duke e falënderuar sa duhet që na ka bërë pjesëtarë të kësaj feje e njësues dhe frikë se mos po na merret kjo.

~ Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë Ibn Abbasit radijAllahu anhu: “Bëj shumë lutje për mirëqenie (afije).” E ka pyetur se si dhe i ka thënë: “Kërko mirëqenie në këtë botë dhe në ahiret.” Në këtë dunja, mirëqenia përfshin të gjitha të mirat dhe mbrojtjen nga rreziqet e dëmet, kurse në ahiret mirëqenia është shpëtimi nga xhehenemi dhe futja në xhenet.

~ Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shikoni atë që është më poshtë sesa ju, se kjo ju nxit të mos nënçmoni mirësitë e Allahut mbi ju.” D.m.th.: të mos shikosh ata që kanë kushte më të mira sesa ti dhe mirësitë e njerëzve, sepse kjo të nxitë të nënçmosh të mirat që ke e nuk do t’i vlerësosh, por të shikosh ata që kanë më pak mirësi sesa ti se kjo të nxitë të jesh falënderues për ato të mira që ke.

~ Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush thotë në mëngjes: “O Allah, nuk ka mirësi që e gëzoj unë apo dikush nga krijesat e Tua veçse ajo është prej Teje, i Cili je Një dhe nuk ke ortak! Ty të takon falënderimi dhe mirënjohja”,* ai e ka falënderuar Allahun në atë ditë.” Hadithi përmbledh të gjitha llojet e mirësive. Nga kuptimet që përputhen me kuptimin e këtij hadithi është ajeti kuranor: “Çdo mirësi që keni, është nga Allahu. E, nëse ju godet ndonjë fatkeqësi, prapë nuk keni kujt t’i kërkoni ndihmë përveç Tij.” Nahl 53. Dhe dëshmia e haxhilerëve (telbija). Kështu, kur njeriu e thotë këtë, ia kujton vetes mirësitë e panumërta të Allahut dhe se mirësitë e Tij i përfshijnë të gjithë krijesat.

* اللَّهُمَّ مَا أَصْبَحَ بِي مِنْ نِعْمَةٍ أَوْ بِأَحَدٍ مِنْ خَلْقِكَ فَمِنْكَ وَحْدَكَ لَا شَرِيكَ لَكَ، فَلَكَ الْحَمْدُ وَلَكَ الشُّكْرُ.

~ Ebu Bekër ibën Abdilah rahimehullah është pyetur: “Kur plotësohet mirësia?” Dhe ka thënë: “Kur njërën këmbë e ke në Urën e Siratit dhe tjetrën në xhenet.” Mirësitë e ahiretit nuk mund të krahasohen me ato të kësaj jete. Ne gëzojmë mirësi të shumta në këtë jetë dhe mirësia më e madhe është teuhidi, e cila kurorëzohet e plotësohet kur njeriu të futet në xhenet. Allahu thotë: “…kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese”. Ali Imran 185.

~ Bekër ibën Abdilah el Muzeni rahimehullah ka thënë: “Nëse do të dish mirësinë që të ka dhënë Allahu atëherë mbylli sytë.” Do të na rikujtojë një formë se si vlerësohen mirësitë e Allahut, në këtë rast mirësia e shikimit, andaj mbylli sytë dhe provo të ecësh dhe mendo se si do të ishte jeta jote pa këtë mirësi, qëllimi është t’ia dish vlerën e të jesh mirënjohës e falënderues; pyete veten se si je duke e shfrytëzuar këtë mirësi, në punë të mira apo në kotësi, apo më keq në ndalesa.

~ Abdurrahman ibn Zejd ibn Eslem rahimehullah ka thënë: “Mirënjohja ndaj Allahut përmbledh tërë falënderimin (llojet e tij) nëse i shikon mirësitë në veten tënde e i numëron, trupin, shikimin, dëgjimin, duart, këmbët e të tjera, dhe secila prej tyre sheh se është mirësi në vete, pastaj ia jep të drejtën asaj mirësie duke iu bindur Allahut përmes tyre…” Mendo nëse nuk do t’i gëzoje si do të ishte jeta jote? Nëse ndalesh dhe mediton rreth tyre, do te ishte falënderues më i madh, do t’i vlerësoje më shumë dhe do ta adhuroje Allahun më shumë përmes tyre.

~ Abe ibn Kulejb i ka shkruar ibn Semekut: “Jam duke të shkruar duke qenë i gëzuar dhe i mbuluar. Me të dyja ndihem i mashtruar (pas tyre). Kam mëkat i cili më është mbuluar dhe kështu ndihem në rehati sikur të më ishte falur. Gëzoj të mira sikur ua kam dhënë të drejtën atyre (që u takojnë).” Njeriu ndien komoditet kur Allahu ia mbulon gjynahet, sikur t’i ishin falur ato. Por, nëse Allahu t’i mbulon kjo nuk do të thotë se ato janë të falura. Andaj pendohu e kthehu tek Allahu. I gëzohet mirësive dhe mendon se me këtë sikur ua jep të drejtën atyre. Mirëpo, pikëpyetje, a po ua jep të drejtën (me falënderim) siç duhet dhe a po bën pendim e kërkim falje siç duhet.

Hoxhë Bajram Sefedini – Transkriptim.

Madhësia e tekstit