Format e përvetësimit të pasurisë në mënyrë të pandershme

Format e përvetësimit të pasurisë në mënyrë të pandershme

Ne si muslimanë duhet ta lusim shumë Allahun prej turpërimit dhe poshtërimit në Ditën e Gjykimit. Prej gjërave që sjellin turpërim e poshtërim në atë Ditë është dhe gulul – përvetësimi i pasurisë së të tjerëve padrejtësisht dhe pandershëm. Allahu thotë: “Është e pamundur për ndonjë profet që të përvetësojë në mënyrë të pandershme prenë e luftës. Kushdo që bën një gjë të tillë, do të vijë (i ngarkuar me të) në Ditën e Kiametit…” Ali Imran 161. Do të vijë i ngarkuar me të mbi supet e tij, d.m.th.: në këtë mënyrë do të demaskohet dhe turpërohet në prezencën e të gjitha krijesave atë Ditë.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos ta takoj ndonjërin prej jush në Ditën e Gjykimit duke bartur mbi supe një deve e cila pëllet dhe (ai) më drejtohet e më thotë: “O i Dërguar i Allahut më ndihmo!”, kurse unë do t’i them: “Sot nuk posedoj dhe nuk zotëroj asgjë për ty. Ta kam përcjell mesazhin prej Allahut se kjo gjë ishte e ndaluar.” Pastaj po kështu thotë dhe për një kalë, dele, shpirt (skllav), rrobë, ar dhe argjend apo në përgjithësi pasuri që nuk ka shpirt.

Ai që përvetëson një pasuri të tjerëve padrejtësisht, qofte ajo edhe e paktë dhe e vogël, do të vijë në Ditën Gjykimit duke e bartur mbi supe dhe do të poshtërohet e turpërohet para të gjitha krijesave të Allahut.

Llojet e përvetësimit të pasurive padrejtësisht:

  • Marrja e plaçkës së luftës pa dijeninë e prijësit të ushtrisë.
  • Marrja e zekatit nga grumbulluesit dhe administruesit të zekatit pa dijeninë e udhëheqësit të shtetit.
  • Marrja e dhuratave nga punonjësit shtetëror (që kanë pagë) prej klientëve.
  • Zhvatja e pasurisë nga fondet publike.
  • Uzurpimi i tokave dhe i pasurive të patundshme.

Dhulul është gjë e ndaluar dhe prej mëkateve të mëdha. Dënimi në Ditën e Gjykimit bëhet në dy mënyra:

Mënyra e parë: Dënim shpirtëror dhe psikik: turpërimi e poshtërimi në prezencën e të gjitha krijesave (siç u përmend në hadith).

Mënyra e dytë: Dënim me zjarr.

Ai që ka rënë në këtë mëkat duhet të pendohet tek Allahu. Nuk ka gjendje më të mirë e më të bukur dhe përfundim më të lumtur, sesa kur njeriu pendohet ende sa është në jetën e kësaj bote, para se të kalojë në jetën tjetër.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit