Frika dhe shpresa
Prej mënyrave me të cilat më së shumti përmirësohen zemrat tona është të adhurojmë Allahun me frikë dhe shpresë. Frikë do të thotë: të kesh frikë prej dënimit e ndëshkimit të Allahut. Kurse, shpresë do të thotë: të shpresosh mëshirën e faljen e Allahut dhe shpërblimin (xhenetin) e Tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem një ditë hyri te një i ri i cili ishte në momentet e vdekjes dhe e pyeti: “Si është gjendja jote?” I tha: “Shpresoj tek Allahu dhe kam frikë për mëkatet.” Atëherë i tha: “Çdo njeri tek i cili bëhen bashkë këto gjëra (në këto momente) Allahu do t’i japë atë që shpreson dhe do ta sigurojë prej asaj që frikësohet.”
Allahu i ka lavdëruar në Kuran ata që kanë bërë bashkë mes frikës dhe shpresës, “A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarin)?!” Zumer 9.
Besimi (që e shpëton njeriun dhe e fut në xhenet) nuk plotësohet përveçse kur ai ka frikë prej dënimit të Allahut dhe shpreson faljen e shpërblimin e Tij. Shpresa dhe frika janë sikur dy krahët e një shpendi. Nëse i mban drejtë, do të fluturojë drejtë (pa pengesa), e nëse njëri i mungon atëherë nuk do të fluturojë. Kështu është dhe me frikën e shpresën, ato gjithmonë duhet të ecin bashkë (njëkohësisht). Kur njeriu ka vetëm shpresë, kjo e shpie të ndihet i sigurt prej dënimit të Allahut, ndërsa kur ka vetëm frikë, kjo e shpie të humbasë shpresën në mëshirën e Allahut. Këto dy gjendje janë të ndaluara dhe të nënçmuara në Islam. Ajo që lavdërohet është kur bën bashkë mes frikës dhe shpresës.
Shpresa nxit në shpejtimin drejt veprave të mira, ndërsa frika pengon prej mëkateve. Allahu në Librin e Tij përmend se robërit e Tij të devotshëm, prej cilësive më të rëndësishme që kanë, është bërja bashkë mes shpresës dhe frikës. Shumica e njerëzve ndihen të sigurte prej dënimit të Allahut (të papriturat) gjë që i shtyn ata të lëshohen drejt mëkateve, ose ka prej tyre të cilët e humbasin shpresën në mëshirën e Allahut (për shkak të bërjes së mëkateve, thotë se Allahu nuk i fal, dhe kështu shejtani i nxitë të zhyten më shumë në to).
Kur ndihesh i sigurt prej dënimit të Allahut
Allahu thotë: “A janë të sigurt banorët e këtyre qyteteve se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë natën, ndërkohë që flenë?! A janë të sigurt ata se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë ditën, ndërkohë që argëtohen?! A janë të sigurt ata nga të papriturat e Allahut? Vetëm ata që janë të humbur nuk u frikësohen të papriturave të Allahut.” Araf 97-99. Dhe thotë: “O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe!” Haxh 1.
Dhe: “Ne lidhëm besën me ty (o Muhamed) siç bëmë me profetët e tjerë: me Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, të birin e Merjemes. Ne lidhëm me ata një besë solemne, 8. që Allahu të mund t’i pyesë të sinqertët për besnikërinë e tyre. Ndërsa për mohuesit Ai ka përgatitur dënim të dhembshëm.” Ahzab 7-8. Ai që ndihet i sigurt prej dënimit të papritur të Allahut duhet të ndalet e të mendojë rreth këtij ajeti. Nëse Allahu do t’i pyesë të sinqertit për sinqeritetin e tyre, atëherë si është puna me ata që kanë qenë mohues, përgënjeshtrues, mëkatarë, kriminelë?!
Kur ke humbur shpresën në mëshirën e Allahut
Allahu thotë: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” Zumer 53. Kur pendohesh dhe kërkon falje, Allahu t’i falë të gjitha mëkatet.
Dhe Allahu tregon në Kuran për fjalët e Jakubit alejhi ue selem: “…mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve”. Jusuf 87. Dhe thotë: “… mëshira Ime përfshin çdo gjë.” Araf 156. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur Allahu ka përfunduar krijimin e krijesave, ka shkruar në Librin e Tij që është tek Ai mbi Arsh: “Mëshira Ime e mund zemërimin Tim.”
Kur njeriu lidhet vetëm pas argumenteve shpresëdhënëse do të kalojë një gjendje e cila është mëkat ndaj Allahut, e cila është: ndihet i sigurt prej dënimit të papritur të Allahut dhe kurthit të Tij, dhe në këtë mënyrë zemra e tij ngurtësohet dhe prishet. Ngjashëm, kur lidhet vetëm pas argumenteve të frikës, kjo do ta bëjë të humbasë shpresën në mëshirën e Allahut dhe do t’i sjellë si rezultat prishjen e zemrës së tij. Ndërsa, kur lidhet pas të dyjave, atëherë do të përmirësohet zemra e tij dhe do të qëndrojë fort në rrugën e Allahut. Kështu duhet të jetë gjendja e tij gjatë gjithë jetës së tij.
Mirëpo, lejohet (është më mirë) për njeriun që të anojë kah shpresa ose kah frika në disa raste, si:
-kur është i sëmurë (me sëmundje pas të cilës vjen vdekja) të anojë më shumë kah shpresa,
-kur është i ri e me shëndet të anojë më shumë kah frika.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.