Gjërat që e prishin agjërimin
Allahu thotë: “…ju lejohet bashkimi me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.” Bekare 187. Në këtë ajet Allahu përmend bazat të cilat e prishin agjërimin. Ndërsa, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në sunet ka shtjelluar e plotësuar dhe ka treguar gjërat shtesë që e prishin agjërimin. Janë shtatë gjëra që e prishin agjërimin (edhe pse për disa prej tyre ka mospajtime mes dijetarëve):
- Marrëdhëniet intime (mes bashkëshortëve)- الجماعُ
Kjo është më e madhja (rënda) dhe mëkati më i madh (gjatë agjërimit). Marrëdhënie intime konsiderohet hyrja e organit të mashkullit në organin e femrës, qoftë nëse ejakulon ose jo. Kjo e prish agjërimin, qoftë agjërim farz (Ramazani), qoftë nafile (vullnetare). Nëse dikush e vepron këtë gjë gjatë ditës së agjërimit obligativ, atëherë ka obligim dy gjëra: 1. Kompensimin i asaj dite me agjërim, 2. Të bëjë kefaret:
- Liron një rob (në kohën tonë nuk ka robër),
- Nëse nuk është e mundur e para, atëherë agjërohet dy muaj rresht, duke mos u lejuar ndërprerja e agjërimit përveçse me arsye sheriatike, si: nëse gjatë agjërimit të këtyre dy muajve bie dita e Bajramit, apo ditët e teshrikut (tri ditët pas Kurban Bajramit), të cilat ndalohen të agjërohen, apo sëmuret, apo udhëton, porse jo të udhëtojë me qëllim ndërprerjen e agjërimit të këtyre ditëve, sepse nëse e bën këtë atëherë nuk i lejohet marrja e lehtësimit të mos agjërimit, dhe e ka për obligim të agjërojë (në këtë udhëtim). Nëse e ndërpretë agjërimin e këtyre ditëve, pa arsye, qoftë dhe për një ditë të vetme, atëherë fillon nga fillimi plotësimin e dy muajve rresht.
- E nëse nuk ka mundësi ta bëjë këtë (agjërimin dy muaj rresht), atëherë duhet ushqyer 60 të varfër. Çdo të varfri i jepet ushqim, një racion të caktuar, çdo ditë, me të cilin ngopet; ose i jepet ushqim i papërgatitur, dijetarët kanë caktuar përafërsisht një kilogram e gjysmë miell (1.5 kg), apo diç tjetër në këtë masë nga ushqimet kryesore të vendit ku jeton. Transmetohet në një hadith: “Një njeri ka fjetur (bërë marrëdhënie) në Ramazan (gjatë agjërimit) me gruan e tij. Ka ardhur te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe e ka pyetur për këtë. Atëherë ai salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “A ke mundësi të lirosh një rob?” Ai ka thënë: “Jo.” –“ A ke mundësi të agjërosh dy muaj (në transmetime të tjera thotë: “…dy muaj rresht”)?” –“Jo.” Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë: “Atëherë ushqeji 60 të varfër.” Buhariu dhe Muslimi. Ky hadith është më i gjatë.
•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.? Hoxhë Lulzim Perçuku.