Gjërat që e prishin agjërimin – 6. Vjellja e qëllimshme, 7. Menstruacionet dhe lehonia

 

6. Vjellja e qëllimshme

Nëse agjëruesi vjellë qëllimisht, e nxjerrë ushqimin apo pijen me qëllim, përmes gojës, atëherë kjo gjë ia prishë agjërimin. Pejgamberi salAllahu alehi ue selem ka thënë: “Ai të cilin e mundë e vjella (s’mund ta ndalë, i del pa dëshirën e tij), nuk e ka obligim të bëjë kaza (nuk e ka prish agjërimin e asaj dite), por nëse vjellë qëllimisht, atëherë e ka obligim ta bëjë kaza atë ditë.” Tirmidhiu dhe të tjerë. Si bëhet vjellja e qëllimshme? Kur njeriu e shtrëngon barkun fortë, apo e ngacmon fytin me gishta a me diçka tjetër, apo nuhatë ndonjë erë që nxitë të vjellën, apo shikon diçka që i vjen të vjellë, duke i bërë këto qëllimisht, i prishet agjërimi dhe duhet ta bëjë kaza atë ditë. Mirëpo, nëse e vjella është pa ndonjë shkak të tillë (të qëllimshëm), atëherë kjo nuk e dëmton agjërimin e tij. Nëse ndodh që njeriut t’i përzihet lukthi (ka mundim) dhe i vjen e vjella, atëherë nuk duhet të mundohet ta ndalë atë, por e lë t’i dalë lirshëm, sepse kjo mund t’ia dëmtojë shëndetin, dhe kjo nuk ia prishë agjërimin. Nuk duhet përpjekur që gjithqysh ta ndalë të vjellën. Nëse agjëruesit i del e vjella pa vepruar (pa e ngacmuar), nuk i prishet agjërimi. Në momentin që vepron, i prishet agjërimi.

7. Menstruacionet dhe lehonia

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “A nuk është gruaja ajo, të cilës kur i vijnë menstruacionet, as nuk falet e as nuk agjëron?” Nëse gruaja apo vajza sheh gjakun e menstruacioneve, apo gruaja sheh gjakun e lehonisë, i prishet agjërimi, qoftë nëse kjo i ndodh në fillim apo në mes të ditës, apo pak çaste para perëndimit të diellit. Mirëpo, nëse ndjen se ka filluar t’i lëvizë gjaku brenda trupit, por që nuk e ka parë jashtë veçse pas perëndimit të diellit, kjo nuk ia prishë agjërimin.

I ndalohet agjëruesit t’i veprojë këto gjëra (që ia prishin agjërimin) kur agjërimi i tij është obligativ (farz). Agjërimi obligativ është: agjërimi i Ramazanit, i kefaretit (shpagimit)[1], i zotimit. Përveç nëse ka arsye sheriatike që ia lejon prishjen e agjërimit, siç është udhëtimi, apo sëmundja etj. Kur personi nis ta kryejë një vepër që është obligim ndaj Allahut, ai e ka obligim ta plotësojë atë, nuk i lejohet ta ndërpresë, përveç nëse ka arsye të pranueshme sheriatike. E nëse ndodh të veprojë njërën prej këtyre gjërave që përmendëm më lartë, gjatë ditës së Ramazanit, pa arsye sheriatike, atëherë e ka për obligim të mos hajë e pijë në pjesën e mbetur të ditës. Pra, edhe nëse ka vepruar diçka prej asaj që u përmend deri tash, p.sh.: ka ngrënë apo ka bërë marrëdhënie me gruan, nuk i lejohet që të vazhdojë pastaj t’i bëjë këto në atë ditë, por e ka obligim të ndalet nga këto gjëra deri në perëndim të diellit. E pastaj këtë ditë e bën kaza, apo nëse ka kefaret bën edhe kefaret.

Nëse agjërimi është vullnetar (nafile), lejohet prishja e agjërimit, nuk ka mëkat nëse e prishë qëllimisht apo pa pasur arsye sheriatike, porse më parësore dhe më e preferuar është që ta plotësojë agjërimin e asaj dite.

Në fund themi se ne si muslimanë e kemi për obligim që të ruajmë adhurimet tona nga çdo gjë që i prishë ato, të largohemi nga gjërat e ndaluara e nga mëkatet. T’i përgjërohemi Allahut, Krijuesit të qiejve e tokës, me lutje. Duhet të kthehemi tek Allahu sidomos në muajin Ramazan, në të cilin Allahu dhuron e jep shumë. Duhet ditur se ajo që na ka kaluar prej dunjasë e që do të na bëjë dobi para Allahut, është vetëm ajo që e kemi kaluar në adhurim ndaj Allahut. Andaj, duhet ta shfrytëzojmë kohën duke punuar, që të fitojmë, sa nuk ka ardhur dita e momenti kur nuk na bën dobi më asgjë.

[1] Rastet se kur duhet të bëjë shpagim (kefaret): a) Shpagimi me agjërim për dhihar, kur burri i thotë gruas së tij: “Ti për mua je si shpina e nënës sime” (e njëjta është edhe nëse e krahason me ndonjë grua që ka afërsi (mahremije) me të, si: vajza, motra, gjyshja, halla, tezja etj. Për mënyrën se si shpaguhet ky mëkat lexo versetet 3 dhe 4 të sures El Muxhadile. b) Shpagimi me agjërim për vrasjen e paqëllimshme të tjetrit apo për vrasjen që i ngjason vrasjes së qëllimshme. Për mënyrën se si shpaguhet ky mëkat lexo versetin 92 të sures En Nisa. c) Shpagimi me agjërim për mardhëniet intime me gruan gjatë ditës së Ramazanit, siç u sqarua më lartë. d) Shpagimi me agjërim për thyrjen e betimit. Për mënyrën se si shpaguhet ky mëkat lexo versetin 89 të sures El Maide.

 

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit