Agjëruesit janë në dy nivele

 

Ibn Rexhebi rahimehullah ka thënë: “Agjëruesit janë në dy nivele:

  1. Ai që largohet nga ushqimi, pija dhe epshi (marrëdhëniet intime me bashkëshortin/en) për Allahun duke shpresuar se Ai do t’ia kompensojë këtë sakrificë me xhenet. Ai që vepron kështu ka bërë tregti me Allahun dhe kjo tregti nuk humbet (gjithsesi do ta ketë shpërblimin e Tij). Allahu nuk e humbet shpërblimin e punëmirëve, nuk i zhgënjen ata që bëjnë vepra të mira, që e adhurojnë Atë. Madje, këta kanë arritur shpërblimin (fitimin) më të madh. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë një njeriu: “Vërtetë, sa herë që e braktisë një punë duke pasur frikë ndaj Allahut, Ai do të ta kompensojë e shpërblejë me më të mirë sesa ajo.” Imam Ahmedi. Kështu na ka premtuar Allahu përmes gjuhës së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Agjëruesit i jepet prej shpërblimeve në xhenet aq sa dëshiron Allahu, si: ushqime, pije, gra, ngase këto i ka lënë për Allahun sa ka qenë në këtë dunja (gjatë agjërimit). Allahu thotë: “(Njerëzve të tillë u thuhet:) “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!”[1] Hakka 24. Muxhahidi rahimehullah dhe të tjerë thonë: “Ky ajet ka zbritur për agjëruesit.” Abdurrahman ibn Semure transmeton se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kishte parë një ëndërr (të gjatë), dhe mes të tjerash ai salAllahu alejhi ue selem ka rrëfyer: “Kam parë në ëndërr një person nga umeti jonë i cili e ka nxjerrë gjuhën jashtë nga etja e madhe (në Ditën e Gjykimit). Sa herë që i është afruar burimit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, e kanë përzënë. Atëherë ka ardhur agjërimi i Ramazanit (që e ka bërë) dhe i ka dhënë të pijë derisa është ngopur.”[2] O njerëz, a ka dikush që i drejtohet (me lutje) të Gjithmëshirshmit në këtë muaj? A ka dikush që ka dëshirën e madhe të arrijë atë që Allahu ka përgatitur për adhuruesit e Tij në Xhenet?

Kush e dëshiron mbretërinë në xhenet, le të largojë nga vetja dembelinë!

Le të ngritët në errësirën e natës e të lexojë prej dritës së Kuranit!

Le të vazhdojë agjërimin me agjërim ngase jeta e kësaj bote do të zhduket.

Jeta e vërtetë është ajo në fqinjësi me Allahun, në shtëpinë e sigurisë (në xhenet).

 

  1. Ai që agjëron (largohet) prej kësaj dunjaje, përveçse prej Allahut, ai që e ruan kokën dhe atë që përfshin ajo, e ruan barkun dhe atë që përfshin ai, ai që e kujton vdekjen vazhdimisht, se trupi i tij do të kalbet një ditë dhe se qëllimi i tij është vetëm ahireti. Andaj i braktisë bukuritë dhe stolitë e kësaj jete. Për të tillin festa e (Fitër) bajramit do të jetë në ditën kur ta takojë Zotin e Tij dhe gëzimi i tij (do të realizohet) me shikimin në Fytyrën e Tij. Kush agjëron (largohet) – për hirë të Allahut – prej kënaqësive në jetën e kësaj, do t’i gjejë ato (shpërblimin për to) nesër në Xhenet. Dhe çdokush që agjëron (largohet) nga çdo gjë tjetër përveç Allahut, do të festojë ditën kur ta takojë Atë: “Kush shpreson takimin e Allahut, ta dijë se Dita e caktuar nga Ai do të arrijë. Ai dëgjon dhe di gjithçka.” Ankebut 5.

O ju që jeni kthyer me pendim tek Allahu (sinqerisht), abstenoni e ndalohuni sot prej të gjitha epsheve të nefsit, në mënyrë që të përjetoni Bajramin (festën) nesër kur ta takoni Allahun!”

 

[1] Kur keni qenë në dunja.

[2] Transmeton Taberani, ky hadith e ka zinxhirin të dobët, por Ibn Kajim rahimehullah pasi që sjellë në librin e tij thotë se e ka dëgjuar ibn Tejmije rahimehullah të ketë folur për këtë hadith duke e ngritur shumë lartë çështjen e tij dhe ka thënë: “Bazat e sunetit dëshmojnë për saktësinë e tij dhe ai është prej haditheve më të mira që transmetohen në këtë temë.”

 

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit