“Allahu i gëzohet më shumë pendimit të robit të Tij kur pendohet tek Ai, sesa…”

 

للَّهُ أَشدُّ فَرَحاً بِتَوْبةِ عَبْدِهِ حِين يتُوبُ إِلْيهِ مِنْ أَحَدِكُمْ كَانَ عَلَى راحِلَتِهِ بِأَرْضٍ فلاةٍ، فانْفلتتْ مِنْهُ وعلَيْها طعامُهُ وشرَابُهُ فأَيِسَ مِنْهَا، فأَتَى شَجَرةً فاضْطَجَعَ في ظِلِّهَا، وقد أَيِسَ مِنْ رَاحِلتِهِ، فَبَيْنما هوَ كَذَلِكَ إِذْ هُوَ بِها قَائِمة عِنْدَهُ، فَأَخذ بِخطامِهَا ثُمَّ قَالَ مِنْ شِدَّةِ الفَرحِ: اللَّهُمَّ أَنت عبْدِي وأَنا ربُّكَ، أَخْطَأَ مِنْ شِدَّةِ الفرح

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu i gëzohet më shumë pendimit të robit të Tij kur pendohet tek Ai, sesa kur ndokush prej jush është duke udhëtuar mbi kafshën e tij, në një tokë të shkretë dhe ajo i humbet bashkë me ushqimin dhe ujin e tij, dhe kështu humbet shpresat se do ta gjejë kafshën e tij, andaj shkon te një pemë dhe shtrihet nën hijen e saj, me shpresa të humbura për ta gjetur atë, dhe (papritur) sheh kafshën duke qëndruar para tij. Nga gëzimi i madh e kapi për litari dhe tha: “O Allah, Ti je robi im e unë jam Zoti yt.” Gaboi nga gëzimi i madh.” Shënon Muslimi

Ky hadith na tregon se sa e madhe është Mëshira e Krijuesit ndaj krijesave të Tij dhe se sa të bukura janë dhuntitë e shpërblimet e shumta që ka përgatitur për ata që pendohen tek Ai.

Ky njeri, me shpresa tashmë të humbura për gjetjen e kafshës së tij, shtrihet nën një pemë për t’u qetësuar dhe për të pritur vdekjen. Ne mund të paramendojmë se çfarë dëshpërimi mund të mbulojë një njeri i cili udhëton në shkretëtirën e nxehtë dhe humbet kafshën, ushqimin e pijen e tij.

Dhe befasisht, fryn era e mirësisë dhe ndriçon dielli i shpresës për këtë njeri. Duke qenë i dëshpëruar, gjen ushqimin e pijen e tij. Gëzimi ia përfshin çdo pjesë të trupit të tij dhe me çdo ndjenjë e madhëron dhe e falënderon Allahun, saqë edhe fjalët fillojnë t’i ngatërrohen në kuptim, mes emocionesh gëzimi. Nga gëzimi i madh gaboi duke thënë: “O Allah, Ti je robi im e unë jam Zoti yt.” Allahu ia fali këtë gabim e lëshim të gjuhës.

Nuk ka gëzim më të madh sesa ky, kur njeriu është i bindur se do të vdesë dhe pastaj i realizohen përsëri shkaqet të jetojë jetën e tij, gëzim që nuk mund të përshkruhet e të krahasohet. E megjithatë ky gëzim nuk është më i madh sesa kthimi i njeriut me pendim tek Allahu dhe pranimi i pendimit të tij, sepse me këtë arrin të realizojë jetën tjetër.

Allahu gëzohet për pendimin e robit të Tij, më shumë sesa ai njeri i cili i gjen prapë elementet përbërëse që i duhen për të jetuar pasi i kishin humbur. Në këtë mënyrë, Allahu e nderoi dhe ia ktheu shpresën tek Ai.

Në këtë krahasim që na shfaq ky hadith, ka shenjë se duhet të çrrënjosim humbjen e shpresës në Mëshirën e Allahut prej zemrave të mëkatarëve. Në këtë krahasim ka udhëzim për njerëzit që të kthehen tek Allahu me pendim të sinqertë, sado që mëkatet të jenë të mëdha. Kjo është si përgjigje ndaj thirrjes hyjnore të Allahut, Mëshirëplotit, i Cili thotë: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” Zumer 53.

Në këtë hadith, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na nxit që të pendohemi tek Allahu dhe të largojmë nga vetja ato gjëra që na pengojnë për t’u penduar. Përmes këtyre fjalëve na hap derën e shpresës dhe na drejton drejt rrugës në të cilën është shpëtimi dhe lumturia në këtë botë dhe tjetrën.

Allahu është i Plotfuqishëm e i pamposhtur dhe nuk ka nevojë për robërit e Tij, e megjithatë është i Mëshirshëm, Falës dhe i Butë, madje Ai edhe i gëzohet pendimit të robit të Tij. A ka nxitje dhe inkurajim më të madh për njeriun sesa kjo, që të pendohet tek Ai?!

Allahu nuk ka nevojë për adhurimet tona e as për pendimin tonë. Ai është i panevojshëm për ne, Ai është i vetëmjaftueshëm, mirëpo për shkak se Allahu e do bujarinë, faljen, fisnikërinë dhe mbulimin e mëkateve tona (këtë e do më shumë sesa ndëshkimin tonë), Ai i gëzohet shumë pendimit tonë. Allahu është Ai i Cili e inspiron njeriun të pendohet, e udhëzon drejt kësaj dhe e ndihmon të pendohet. Allahu i jep sukses njeriut të pendohet dhe ia pranon atë e ia fal mëkatin. Mirësi pas mirësie.

Muslimanët duhet të shpejtojnë në pendim, të japin mundin të realizojnë pendimin e sinqertë dhe të mos i ndahen pendimit deri në vdekje. Allahu e ka kushtëzuar shpëtimin me pendimin tonë, “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” Nur 31.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem përmes këtij hadithi, na nxit dhe na inkurajon të shpejtojmë që të pendohemi tek Allahu.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit