Si t’i rikthejmë vlerat dhe moralet tona të bukura (islame)?
Ne si pjesëtarë të umetit të Muhamdit salAllahu alejhi ue selem, këtij Pejgamberi të madh, duhet të dimë se nga qëllimet e synimet më të larta me të cilat ka ardhur Sheriati i pavdekshëm të cilin e ka sjellë ai, është përmirësimi dhe gdhendja e moraleve, krahas besimit (akides) dhe veçimit të Allahut me adhurime (teuhidit).
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Jam dërguar që të plotësoj moralet fisnike.” Buhariu
Dhe: “Jam dërguar që të plotësoj dhe përsosë moralet e mira.” Buhariu
Këtë aspekt praktik ai salAllahu alejhi ue selem e ka zbatuar me fjalët e tij, me veprat e tij dhe me thirrjen e tij.
Moralet janë kusht për plotësimin e besimit. Kështu na ka treguar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Besimtari me besimin më të plotë është ai që ka moralin më të mirë.” Tirmidhiu
Rrugët përmes të cilave bëhet ngritja morale:
- Besimi tek Allahu dhe Emrat dhe Cilësitë e Tij. Kur besimtari e adhuron Allahun përmes Emrave dhe Cilësive të Tij, me këtë do të përmirësojë moralet e tij. Shembull: Kur e di se Allahu është es Semi – Gjithdëgjuesi, atëherë kjo na nxit të mos flasim përveçse fjalë të cilat i do Ai. Kur e di se Allahu është el Besir – Gjithshikuesi, atëherë kjo na nxit të kemi kujdes që të mos shkojmë aty ku na ka ndaluar dhe na nxit të jemi aty ku na ka urdhëruar. Kur e dimë se Allahu është el Alim – i Gjithëdijshmi, atëherë do ta kemi parasysh se Ai e di çfarë fshehim në zemrat tona, andaj nuk do të bartim në të urrejtje, zili apo armiqësi ndaj besimtarëve. Kur e dimë se Allahu është err Rrakiib – Mbikëqyrësi, atëherë për çdo lëvizje apo moslëvizje tonë do ta marrim veten në llogari
- Bërja e adhurimeve. Allahu ka ligjësuar adhurime, dhe një arsye e kësaj është pastrimi e nefsit tonë dhe përmirësimi i moraleve tona. Shembull: Namazi largon nga gjërat e shëmtuara dhe mëkatet, zekati pastron nga koprracia, lakmia dhe ego, agjërimi sjell devotshmërinë dhe është mburojë ndaj mëkateve, haxhi është shkollë edukative etj.
- Kundërshtimi i nefsit dhe disiplinimi i tij drejt moraleve të mira. Allahu thotë: “Ata që luftojnë (përpiqen, luftojnë nefsin e tyre) për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” Ankebut 69. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dija arrihet duke mësuar. Vetëpërmbajtja arrihet duke u vetëpërmbajtur. Ai që zgjedh të veprojë të mirën, Allahu ia jep atë. Ai që ruhet prej të keqes, Allahu e ruan atë.” Gazaliu duke folur për moralet ka thënë: “Moralet janë dy lloje: Instiktive dhe të lindura. E nga to ka që arrihen me kohë, kjo duke e trajnuar veten, duke i praktikuar dhe duke u përpjekur. Disa thonë: “Kështu kam lindur dhe nuk mund të ndryshoj karakterin tim.” Mirëpo, nuk është kështu, sepse po të ishte e vërteta që moralet nuk mund të ndryshohen kurrë, atëherë të gjitha porositë dhe këshillat (fetare) do të anuloheshin e nuk do të kishin dobi.” Një nga dijetarët ka thënë: “Moralet e mira kërkojnë përsëritje dhe vazhdimësi, derisa të shihen rezultatet. Kjo vazhdueshmëri kërkon durim. Ai që dëshiron të stolisë veten me ndonjë nga moralet e mira e të virtytshme, duhet që së pari të stoliset me durim. Nëse tregohet i durueshëm dhe i vazhdueshëm në trajnimin e nefsit drejt atij morali të mirë, atëherë edhe nefsi do t’i nënshtrohet dhe do ta pranojë atë (moral të mirë).”
- Marrja për model dhe shembull Muhamedin salAllahu alejhi ue selem. Allahu thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” Ahzab 21. Madje, Allahu e ka urdhëruar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem që të marrë shembull Pejgamberët e mëhershëm. Gjithashtu, marrja për model sahabët – shokët e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në moralet e tyre të larta. Abdullah ibën Abbasi radijAllahu anhu ka thënë: “Kush dëshiron të marrë shembull/model dikë, le të marrë ata që kanë vdekur – ngase të gjallët nuk janë të sigurt nga fitnet- dhe me ta (të vdekurit) kam për qëllim sahabët. Ata kanë qenë më të mirët e më të vlefshmit e këtij umeti, me zemrat më të devotshme dhe me dijen më të thellë dhe të cilët më së paku e kanë tepruar. Allahu i ka zgjedhur ata që të shoqërojnë Pejgamberin e Tij dhe që përmes tyre të ngrehë fenë e Tij. Të dini se çfarë vlere të madhe kanë pasur sahabët! Ndiqni ata në gjurmët e tyre! Sa të keni mundësi, kapuni pas moraleve të tyre dhe mënyrës se si e kanë jetuar jetën, ngase vërtet ata kanë qenë në një udhëzim të drejtë.”
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim


