Kënaqësia me caktimin e Allahut është xheneti dhe kënaqësia e kësaj bote

Kënaqësia me caktimin e Allahut është xheneti dhe kënaqësia e kësaj bote

Do të flasim për një adhurim i cili njihet si Xheneti i kësaj bote dhe kënaqësia e saj, e që është kënaqësia me Caktimin e Allahut. Kjo gjë është një adhurim madhështor, moral fisnik dhe është një nga cilësitë e besimtarëve të devotshëm. Njëkohësisht është nga gjërat që patjetër i kërkon besimi i besimtarit dhe bindja që ka në Allahun.

Të jesh i kënaqur me Caktimin e Allahut, është Xheneti i kësaj bote, është vendi ku gjejnë prehje e qetësi ata besimtarët që janë të afërm të Allahut, është niveli më i lartë i atyre që e njohin Allahun dhe është një nga frytet e dashurisë ndaj Tij.

Dhe, çfarë do të thotë të jesh i kënaqur me Caktimin e Allahut? Do të thotë:

-Të ndjesh gëzim në zemër ndaj Caktimit të hidhur,

-Të largosh nga zemra hidhërimin dhe durimin ndaj Caktimit që të ka ndodhur.

Kjo gjë do të realizohet (në zemrën tënde) kur je i bindur (jo vetëm ta dish si informatë) se çdo gjë që ndodh në këtë univers, ndodh me Kaderin dhe Vullnetin e Allahut.

Kështu që, sa më shumë që shton dijen rreth Allahut, aq më shumë do të të shtohet kënaqësia ndaj Caktimit të Tij. Por, sa më e paktë që është kjo dije, atëherë (si pasojë) aq më pak do të kesh pjesë në këtë kënaqësi.

Allahu thotë: “S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë.” Hadid 22-23.

Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Asnjë njeri nuk ka besuar (me besim të plotë) derisa ta besojë bindshëm Caktimin e Allahut dhe derisa të jetë i bindur se ajo që e ka goditur, nuk ka pasur mundësi të mos e godiste, ndërsa ajo që nuk i ka arritur, nuk ka pasur mundësi t’i arrinte (ta posedonte).” Tirmidhiu.

Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo gjë ka një realitet. Dhe njeriu arrin realitetin e besimit atëherë kur e di (është i bindur) se ajo që e ka goditur, nuk ka pasur mundësi të mos e godiste dhe ajo që nuk e ka goditur, nuk ka pasur mundësi ta godiste.” Ahmedi.

Nëse njeriut i ikë një gjë për të cilën ka menduar se ka qenë e dobishme për të, apo sprovohet me një gjë në të cilën ka vështirësi të madhe, ai nuk duhet të pikëllohet, dëshpërohet e të psherëtijë, mirëpo duhet t’i dorëzohet Caktimit të Allahut dhe të jetë i kënaqur me të.

Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kushtoji kujdes gjërave që të bëjnë dobi (vepro shkaqet) dhe kërko ndihmën e Allahut (mbështetu vetëm tek Ai) e mos u trego i dobët (i paaftë). Nëse të godet diçka, mos thuaj: “Sikur të kisha bërë kështu, do të bëhej kështu e ashtu…” Por thuaj: “قَدَرُ اللَّهِ وَمَا شَاءَ فَعَلَ – Këtë e ka caktuar Allahu dhe Ai vepron çfarë të dëshirojë.” Sepse shprehja “sikur” i hap rrugën shejtanit.” Muslimi.

Përcillet se Jahja ibën Muadhi është pyetur: “Kur njeriu arrin nivelin e kënaqësisë me Caktimin e Allahut?” Dhe është përgjigjur: “Njeriu arrin nivelin e kënaqësisë me Caktimin e Allahut kur në raport me Atë, e vendos veten e tij mbi katër baza dhe thotë:

-O Allah, nëse me jep diçka, e pranoj.

-Nëse me privon nga diçka, jam i kënaqur.

-Nëse më lë, prapë të adhuroj.

-Nëse më thërret, të përgjigjem.”

Përcillet se Umeri radijAllahu anhu i ka shkruar Ebu Musa el Eshariut radijAllahu anhu dhe i ka thënë: “Dije se, e gjithë mirësia qëndron në të qenët i kënaqur me Caktimin e Allahut. Nëse ke mundësi, gjithmonë ji i kënaqur me Caktimin e Allahut, përndryshe tregohu i durueshëm.”

Përcillet se Abdullah ibën Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Bindja e plotë arrihet kur njeriu nuk i kënaq njerëzit duke zemëruar Krijuesin, kur nuk shfaq zili ndaj dikujt për shkak të furnizimit që ia ka dhënë Allahu dhe kur nuk qorton askënd për atë që Ai nuk ia ka dhënë, ngase furnizimin nuk e sjell lakmia e lakmitarit dhe pakënaqësia e të pakënaqurit. Allahu me drejtësinë, dijen dhe urtësinë e Tij, ka bërë që lehtësimi e lumturia të arrihet përmes bindjes tek Ai dhe kënaqësisë (ndaj Tij).”

Shkaqet për të arritur kënaqësinë ndaj Caktimit të Allahut

-Të kesh besim të paluhatshëm dhe bindje të sinqertë se Allahu ka shkruar Caktimin e çdo gjëje.

-Të dish dhe të jesh i bindur se kënaqësitë e kësaj bote janë të pakta, se kjo botë është kalimtare dhe ecën drejt shuarjes.

-Të kesh besim se Allahu me Urtësinë e Tij ka bërë që ndërmjet njerëzve të ketë dallime sa i përket furnizimit.

-Të shikosh ata të cilët në gjërat e dunjasë janë më poshtë sesa ti.

-Të dish se varfëria e pasuria janë sprovë e provim për njerëzit.

-Të lexosh biografitë e selefëve.

-Të mos i ndahesh kurrë lutjes tek Allahu.

-Të shtosh adhurimet ndaj Allahut dhe të largohesh nga gjynahet.

Çështje: Ka nga njerëzit të cilëve Allahu u ka dhënë mirësi të shumta, të vazhdueshme, megjithëkëtë ankohen. Mirëpo, nëse do të shikonin njerëzit e tjerë të cilët janë sprovuar me sprova të shumta, do ta falënderonin shumë Allahun për ato mirësi të cilat ua ka dhuruar. Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush zgjohet në mëngjes duke qenë i sigurt në shtëpinë e tij, i shëndosh në trupin e tij dhe posedon ushqimin e asaj dite, është sikur t’i jetë dhënë e gjithë bota.” Tirmidhiu dhe ibën Maxhe.

Nga dobitë madhështore që përfitohen kur ne jemi të kënaqur me Caktimin e Allahut

» Realizimi i ëmbëlsisë së besimit

» Realizimi i vetëmjaftueshmërisë (ndaj njerëzve)

» Arritja e faljes së Allahut

» Arritja e kënaqësisë së Allahut ndaj nesh dhe futja në Xhenet

Lusim Allahun që të na bëjë nga ata të cilët i ka përshkruar në Kuran duke thënë: “….përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” Bekare 155-157. Dhe e lusim Allahun që të na mundësojë të jemi të kënaqur me Caktimin e Tij, nëpër çdo gjendje që kalojmë!

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎬 Transkriptim

Madhësia e tekstit