Hadithi i shtatë
أن رجلاً قال للنبي صلى الله عليه وآله وسلم: أوصني، قال لا تغضب فردد مراراً، قال لا تغضب
Erdhi një njeri te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i tha: “Më këshillo!” Ai ia ktheu: “Mos u zemëro!” Ai e përsëriti disa herë kërkesën dhe prapë i tha: “Mos u zemëro!” Buhariu.
Ky hadith tregon për kujdesin dhe lakminë e madhe që kanë pasur sahabët për veprat të cilat u sjellin dobi. Ata gjithmonë kanë dëshiruar të dinë të vërtetën. Ata e kanë mësuar të vërtetën që të punojnë me të (e jo vetëm të pajisen me një informatë). Andaj dhe Allahu i ka ngritur ata më lartë sesa pjesën tjetër të njerëzve.
Ky hadith na mëson edukatën islame.
-“أوصني – Më këshillo (më porosit, më lër amanet)!”- Më trego disa fjalë që përfshijnë mirësi për mua, të veçanta për mua, në të cilat ka mirësi në këtë botë dhe tjetrën.
-“Mos u zemëro!”- Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i është përgjigjur (në këtë formë) në varësi të gjendjes dhe nevojës së pyetësit (ai ka qenë njeri që është zemëruar shumë dhe si i tillë ka pasur nevojë për këtë këshillë).[1]
Zemërimi është një gacë e prushit, që e hedh shejtani në zemrën e njeriut, siç transmetohet në një hadith, dhe kështu zemra vlon. Andaj kur njeriu zemërohet skuqet dhe i fryhen damarët e qafës. Zemërimi është prej tipareve dhe veseve të liga e të nënçmuara. Ai është prej rrugëve që përdor Iblisi për të shkaktuar pasoja e përçarje në mesin e njerëzve, apo për të përhapë të këqija, mëkate e gjëra të ndaluara dhe të shëmtuara në mesin e besimtarëve. Gjithmonë me zemërimin vjen e keqja (si: vrasja, sulmi, dhuna etj.). Shumë njerëz të cilët kanë folur nën zemërim, janë penduar më vonë. Shumë raporte të këqija mes bashkëshortëve, e ndoshta dhe divorci, burimin e kanë pasur te zemërimi. Shumë shkëputje të lidhjeve farefisnore kanë qenë si rezultat i zemërimit. Zemërimi i gjithi është i nënçmuar në Islam.
Dijetarët kanë dhënë shpjegime të ndryshme për fjalën “Mos u zemëro”, si:
–Të mos zemërohesh fare (është fjala për zemërimin i cili është në natyrën e njeriut), të mundohesh të qëndrosh i qetë, i ftohtë, të mos e kesh pjesë tënde zemërimin. Edhe pse kjo gjë është e vështirë, porse mund të arrihet. Allahu kur i përshkruan besimtarët e mirë, thotë: “…e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve”. Ali Imran 134.
–Të mos veprosh me zemërimin, të mos e vësh në praktikë atë që e kërkon zemërimi. Ndalohet veprimi nën zemërim.
–Të mos veprosh shkaqet që të shkaktojnë zemërimin. Nëse ti e di se një gjë (e caktuar) të shtyn të zemërohesh, atëherë mos iu qas asaj gjëje; largohu prej gjërave që ta shkaktojnë zemërim.[2]
Kura për zemërimin
-Marrja abdes. Përmes abdesit ftohet zemërimi, ftohet nxehtësia e tij, ngase ai është gacë prushi dhe atë e ftohë abdesi. Gjatë abdesit besimtari tregon përulje e adhurim ndaj Allahut. Andaj, ai e qetëson zemërimin, dhe kur merr abdes veçse e harron gjendjen në të cilën ishte (i zemëruar) pak më parë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet, zemërimi vjen prej shejtanit dhe ai (shejtani) është krijuar prej zjarrit, ndërsa zjarrin e shuan vetëm uji. Andaj, kur dikush prej jush zemërohet, le të marrë abdes.”
–Ulja nëse je në këmbë, apo shtrirja nëse je ulur. Kjo largon pasojat që mund të dalin prej zemërimit, ngase në këtë mënyrë arrin ta qetësosh vetveten. Është vërtetuar se ndryshimi i gjendjes së jashtme ka efekt në ndryshimin e gjendjes së brendshme. Nëse i zemëruari është në këmbë dhe ulet, atëherë është më larg të hakmerret ndaj tjetrit (si: ta sulmojë etj.), apo nëse shtrihet (pasi ishte në pozitën ulur kur është zemëruar) atëherë nuk mund të veprojë njëjtë sikur të ishte ulur (sepse tani i kufizohen veprimet për hakmarrje). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse dikush prej jush zemërohet dhe është në këmbë, atëherë le të ulet e nëse nuk i kalon, atëherë le të shtrihet.”
–Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu prej shejtanit të mallkuar. Transmetohet se dy burra filluan të fyenin njëri-tjetrin dhe njëri u zemërua aq shumë saqë ju skuq fytyra dhe iu frynë damarët e qafës. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem tha: “Unë e di një fjalë të cilën nëse e thotë do t’i largohet zemërimi që e ka kapluar, ajo është: “Eudhu bilahi minesh-shejtanirr-rraxhim – Kërkoj mbrojtje tek Allahu prej shejtanit të mallkuar!”
– Heshtja. Për çdo gjë që e thotë njeriu gjatë zemërimit apo për shumicën e saj, do të pendohet. Për këtë na ka këshilluar vetë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në një hadith: “Kur ndonjëri zemërohet, le të heshtë!”
–Largimi prej vendit (shtëpisë, dhomës etj.). Aliu radijAllahu anhu një rast është zemëruar me Fatimen radijAllahu anha dhe ka dal prej shtëpisë dhe ka shkuar të flejë në xhami.
Nëse besimtari sprovohet me raste zemërimi dhe e mposhtë atë përmes këtyre metodave që përmendëm, duke zbatuar këtë urdhër “Mos u zemëro”, edhe pse ka mundësi të hakmerret, atëherë ai vërtet është i denjë të shpërblehet me mirësitë e përmendura në hadithe që kanë ardhur për atë që e mposhtë zemërimin. Çdokush që i thotë vetes se është fetar dhe i përmbahet fesë, duhet ta trajnojë vetveten të mos zemërohet (ta mposhtë zemërimin).
Për të arritur mos zemërimin apo braktisjen e zemërimit (mposhtjen e tij) duhet të pajisesh me disa cilësi gjatë përditshmërisë dhe jetës, që ta mundësojnë ta mbash veten. Ato janë durimi, vetëpërmbajtja, vetëkontrolli, maturia, mos nxitimi etj. Ai që është i tillë gjatë përditshmërisë së tij (ka këto cilësi), ai cilësohet se është njeri i urtë.
Kjo këshillë “Mos u zemëro!” duhet të jetë gjithmonë para syve tanë, në raportet tona me familjen, me bashkëshorten, me bashkëshortin, me vëllezërit muslimanë, me të moshuarit, me të rinjtë, me fëmijët etj. Sa më shumë që jemi të durueshëm, të vetëpërmbajtur e të matur, jemi më afër Allahut.
Feja Islame është fe madhështore, ajo ndalon prej veseve të këqija siç është zemërimi. Ndalimi prej tyre nënkupton realisht (nga ana tjetër) urdhërimin e pajisjes me tipare të bukura. Gjithmonë njeriu duhet ta edukojë veten e tij të jetë i vetëpërmbajtur, të mos zemërohet. Pejgambejri salAllahu alejhi ue selem ka qenë i durueshëm dhe ka pasur qëndrime të buta me njerëzit, saqë ka ndodhur që një beduin ta tërheqë për rrobën e tij duke e lënduar në qafën e tij dhe ai është kthyer me buzëqeshje duke e pyetur se çfarë dëshiron. Nëse kjo do t’i ndodhte ndonjërit prej nesh, atëherë më e pakta do të zemërohej (e më keq ndoshta do ta ofendonte, fyente etj.).
[1] Shpjegimi i dytë që e kanë dhënë dijetarët është: Ia ka thënë vetëm një porosi që të mos i shtohen porositë, ka mjaftuar me një këshillë, ngase kështu ka përfituar më shumë, duke i kushtuar rëndësi dhe duke e mbajtur mend e që pastaj ta zbatojë më lehtë.
[2] Andaj, shumë nga selefi e kanë lavdëruar bërjen kinse nuk po i sheh apo nuk po i dëgjon disa gjëra (tegaful). Uthman ibën Zejdi ka thënë: “Mirëqenia është dhjetë pjesë, nëntë prej tyre (vijnë) janë prej tegaful.” Ndërsa imam Ahmedi ka thënë: “Mirëqenia është dhjetë pjesë, të gjitha (vijnë) janë prej tegaful.”
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.