Hadithi: “O Allah, të kërkojmë dituri të dobishme, furnizim të mirë dhe vepra të pranuara!”
اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ عِلْمًا نَافِعًا، وَرِزْقًا طَيِّبًا، وَعَمَلًا مُتَقَبَّلًا.
~Ummu Selemeh (gruaja e tij) ka treguar se pasi Pejgameberi salAllahu alejhi ue selem falte namazin e sabahut, pas selamit thoshte këtë dua: “O Allah, të kërkojmë dituri të dobishme, furnizim të mirë dhe vepra të pranuara!” Me këtë lutje e çelte mëngjesin.
~ Në këtë lutje na mëson të kërkojmë prej Atij në Dorën e të Cilit është çdo gjë, si vullneti e dëshira jote edhe vullneti e dëshira e të tjerëve, për realizimin e planeve.
~ Në mëngjes Allahu lëshon bereqet dhe begati mbi robërit e Tij. Koha e kërkimit të tyre është mëngjesi. Kur ibn Abbasi ka parë djalin e tij duke fjetur pas sabahu i ka thënë: “Zgjohu, zgjohu, se kjo është koha kur rrizqet e Allahut ndahen!” Arabët e thonë këtë fjalë: “Dita është si deveja. Nëse e kap për litari të kokës, vjen pas teje e nëse nuk e ke arritur këtë, atëherë nuk ke bërë asgjë.” Edhe dita është kështu, nëse mëngjesin e fillon me mbarësi e me punë të mira, me lejen e Allahut edhe dita do të shkojë ashtu.
~Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na mëson në këtë hadith të kërkojmë tri gjëra duke qartësuar synimet e besimtarit: dituria, rrizku dhe veprat e mira. Të tjerat përfshihen te këto të tria. Dijetarët thonë: “Suksesi i njeriut varet prej qëllimeve të tij.” Nëse njeriu ka qëllime të qarta mbi ditën e jetën e vet, atëherë gjysmën e punës e ka kryer e nëse nuk di se çfarë bën apo i ngatërron synimet, atëherë zakonisht nuk do të ketë sukses.
~E ka filluar me diturinë e dobishme, ngase kështu kërkohet nga Islami, pra fillimisht njeriu duhet të dijë e pastaj të veprojë. Nuk ke mundësi të arrish furnizimin e mirë të lejuar e as të bësh vepra të pranuara pa pasur dituri. Pa dituri herë fiton rrizk të lejuar e herë të palejuar, herë bën vepra të qëlluara e herë të gabuara. Andaj dituria i paraprinë të gjithave. Umer ibn AbdulAziz ka thënë “Ai që e adhuron Allahun pa dituri, ka mundësi të bëjë më shumë dëm sesa dobi.” Feja jonë është fe e diturisë. Në këtë hadith sikur na mëson që njeriu çdo ditë duhet të kërkojë dituri, pa u mjaftuar me diturinë e mësuar më herët. Besimtari i cili nuk shton vazhdimisht në dituri nuk i bën dobi as vetes e as të tjerëve.
~ Hadithi përveç që na mëson se me dituri arrihet furnizimi i lejuar dhe punët e pranuara, na mëson se besimtari vazhdimisht duhet të kërkojë dituri dhe ta shtojë atë.
~Gjëja e dytë që na mëson hadithi është kërkimi i furnizimit të mirë të lejuar, i cili është i pastër, i papërzier me haram. Jo çdo gjë që të bie në dorë duhet ta marrësh. Gjithmonë duhet pasur në konsideratë rrizku i lejuar, i pastër, pa dyshime e ndalesa (kamata, ryshfeti, dredhia etj.). Nuk është qëllimi vetëm të kesh pasuri, por qëllimi është të dish se me çfarë po e ushqen veten e familjen, se si po e fiton atë pasuri.
~ Dhe gjëja e tretë është vepra e pranuar, si: namazi, agjërimi, lëmosha, ndihma ndaj të tjerëve, mbajtja e lidhjeve farefisnore etj. Besimtari duhet të ketë synim veprën e mirë, por edhe veprën e pranuar tek Allahu, sepse kjo e dyta ka një nivel më të lartë. Çështja e pranimit të veprës është më e madhe se bërja e saj. Abdullah ibn Umeri ka thënë: “Po ta dija se Allahu ma ka pranuar një vepër, nuk do të kisha dert nëse do ma merrte shpirtin në atë çast ngase e di se Allahu ka thënë: “Allahu i pranon veprat e mira nga të devotshmit”. Vepra e mirë është: vepra e sinqertë vetëm për Allahun (pa syefaqësi, pa interes) dhe të jetë në përputhje me sunetin profetik (të kryhet ashtu siç na ka mësuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem).
Dr. Gazmend Mehmeti – Marrë nga derset.