Imoraliteti – Sëmundja e tetë e zemrës

Imoraliteti – Zinaja

Imoraliteti është sëmundje e rrezikshme e cila nëse e godet zemrën e njeriut, e shkatërron atë dhe i ekspozohet dënimit në këtë botë dhe tjetrën. Do të përmendim disa gjëra që tregojnë për këtë:

Atij i fiket drita e besimit gjatë momenteve të imoralitetit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu nuk është besimtar në momentet kur është duke bërë imoralitet.”

Allahu nuk i përgjigjet lutjes së tij, “Dyert e qiellit hapen në gjysmën e natës dhe një thirrës (engjëll) thërret: “A ka dikush i cili lutet që Allahu t’ia plotësojë lutjen e tij? A ka dikush i cili kërkon që Allahu t’i japë atij? A ka dikush i cili është në vështirësi që Allahu t’ia largojë atë?” Çdo musliman që lutet në atë kohë, Allahu do t’i përgjigjet lutjes së tij, përveç dy personave: një gruaje imorale (që bën kurvëri) dhe atij që vendos taksa në mallin e të tjerëve (që i shesin në treg).”

Ai e ekspozon veten dhe shoqërinë ku jeton para dënimit dhe ndëshkimit të Allahut (në mënyrë kolektive):Umeti im do të jetë në mirëqenie përderisa në mesin e tyre të mos përhapen fëmijët e imoralitetit (jashtëmartesor), e kur të ndodhë kjo atëherë është afër të vijë dënimi i Allahut e t’i përfshijë të gjithë ata.” Dhe: “Kur të përhapet imoraliteti dhe kamata në një vend, veçse e kanë vendosur dënimin e Allahut mbi ta.” Dhe: “Sa herë që përhapen gjërat e pamoralshme në një popull dhe i bëjnë hapur, ata do t’i përfshijë malaria dhe sëmundjet e ndryshme (që shkaktojnë dhimbje e vështirësi) të cilat nuk kanë ekzistuar te paraardhësit e tyre.”

Ai e ekspozon veten para dënimit të Allahut (në mënyrë individuale). Dënimi është dy lloje: a) Trupor (gurëzimi për të martuarin, kamxhikimi 100 herë për beqarin), b) Shpirtëror (demaskimi e turpërimi duke ia bërë dënimin në publik, ndalohet të martohet me besimtarin/en).

Atij nuk i pranohet dëshmia (në gjykatën islame), “Nuk i pranohet dëshmia as tradhtarit as tradhtares, as imoralit as imorales e as atij që ka urrejtje e armiqësi ndaj vëllait të tij.”

Allahu kur i drejtohet grave në përgjithësi dhe grave të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në veçanti, thotë: “O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera. Nëse i frikësoheni Allahut, mos flisni me përkëdheli, që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër epshore, por flisni drejt dhe në mënyrë të ndershme!” Ahzab 32. Qëllimi “që ka zemër epshore – sëmundje të zemrës” është: që ka sëmundje të epshit, epshi i imoralitetit (kontakti intim pa nikah).

Shembuj të përmendur: Një i ri vjen te Pejgamberi salallahu alejhi ue selem dhe i kërkon ta lejojë të bëjë imoralitet. Kur sahabët dëgjojnë këtë kërkesë të tij fillojnë ta qortojnë dhe të flasin fjalë të rënda. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i cili ka qenë mësues dhe edukator i nivelit të lartë i thotë: “A dëshiron që të tjerët të bëjnë imoralitet me nënën tënde?” Ai thotë: “Jo, pasha Allahun dhe Ai më bëftë kurban për ty!” I thotë: “As njerëzit nuk dëshirojnë që ti të bësh imoralitet me nënat e tyre.” E pyet: “A dëshiron që të tjerët të bëjnë imoralitet me vajzën tënde?” Përgjigja e njëjtë dhe i thotë: “As të tjerët nuk dëshirojnë që ti të bësh imoralitet me vajzat e tyre.” – “A dëshiron që të tjerët të bëjnë imoralitet me motrën tënde?” dhe përgjigja e njëjtë, pastaj i thotë: “As të tjerët nuk duan që ti të bësh imoralitet me motrat e tyre.” Pastaj po njëjtë e pyet për hallën dhe tezen dhe përgjigja e njëjtë. Pastaj e vendos dorën e tij në gjoksin e këtij djali dhe i lutet Allahut: “O Allah, falja mëkatet, pastroja zemrën (prej kësaj) dhe ruaje nderin e tij!” Pas kësaj më kurrë zemra e këtij të riu nuk dëshiroi të bëjë diçka prej imoralitetit.

Rasti tjetër i personit i cili kanë qenë duke udhëtuar me dy të tjerë dhe kanë hyrë në një shpellë për ta kaluar natën, por pastaj një gur i madh ngujon hyrjen dhe (duke mos pasur rrugëdalje tjetër) fillojnë të lusin Allahun me veprat e mira të bëra sinqerisht për të. (Nga rasti i tij kuptohet se) Ai ka qenë i sëmurë me sëmundjen e epshit, mirëpo kur i është kujtuar frika ndaj Allahut ka reflektuar dhe e ka braktisur atë (edhe pse ka pasur mundësinë të kryente imoralitetin).

Ajo që përfitohet nga këta dy shembuj, është se ai që ka këtë sëmundje në zemër, ai punon në këtë drejtim dhe kërkon të bie në të. Mirëpo, kur merr ilaçin e duhur do të shërohet prej saj.

Në anën tjetër, ata që kanë zemra të pastra prej kësaj sëmundjeje e refuzojnë atë (sepse është gjë e shëmtuar, e pështirë, e neveritur, të cilën nuk e pranon as feja e as logjika) dhe largohen nga ajo prej frikës që kanë prej Allahut. Allahu thotë: “Dhe mos iu qasni kurvërisë, se ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!” Isra 32.

Shembuj: Jusufi alejhi ue selem, të cilin e ka joshur dhe ftuar gruaja e ministrit të bëjë imoralitet, “Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe tha: “Jam e gatshme për ty!” Kurse ai tha: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë”. Jusuf 23. Kur ajo filloi ta kërcënonte me burgosje nëse nuk i përgjigjet kërkesës së saj, Jusufi tha: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato.”

Shembull tjetër është rasti i një besimtari të mirë prej popullit të Beni Izrailëve, Xhurejxhi, një adhurues i madh, të cilin Allahu e ka pastruar prej shpifjes së imoralitetit me një prostitutë (kishte shpifur se ka mbetur shtatzënë me të). Ai e ka lutur Allahun dhe pastaj i është drejtuar foshnjës që të tregojë se kush është babai i tij (ia ka mundësuar Allahu të flasë duke qenë foshnje) dhe ka treguar se babai i tij është filan bariu i bagëtive.

Njerëzit imoralë nuk mund të përballojnë një jetë të pastër, të dëlirë, me ruajtje të nderit, nuk ndihen të qetë, tregohen mendjemëdhenj dhe nuk dëshirojnë të ketë të atillë që arrijnë të kontrollojnë epshin e tyre. Uthmani radijAllahu anhu ka thënë: “Imoralja dëshiron që të gjitha gratë e tjera të jenë sikurse ajo.”

Sot janë hapur mundësitë përmes mjeteve të ndryshme moderne (TV, internet, rrjetet sociale etj.) që njerëzit të shohin fytyrat e grave imorale, madje disa nuk mjaftohen vetëm me shikim, por thellohen në këtë mëkat më shumë. Prej gjërave prej të cilave muslimani duhet të ketë frikë është ruajtja dhe kujdesi i madh në mosrënien në sprovën e shikimit të gjërave të ndaluara (e të mos flasim për shikimin e imoralitetit, apo veprimin e tij).

۞Ilaçi për sëmundjen e imoralitetit

Shërimi i vetes dhe pastrimi i zemrës prej sëmundjes së imoralitetit arrihet përmes disa hapave:

Ruajtja e shikimit. Shikimi është shkëndija e parë që ndezë epshin e imoralitetit. Kur njerëzit e bënë gjë të lehtë çështjen e shikimit, kjo u bë shkaku kryesor i përhapjes së imoralitetit. Kanë ardhur urdhra të shumtë në Kuran e sunet për uljen e shikimit, prej tyre: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)!” Surja Nur 30.

-Martesa, e nëse nuk ka mundësi atëherë të agjërojë, “O ju të rinj! Kush ka mundësi (fizike dhe materiale) le të martohet, sepse martesa ruan shikimin dhe nderin! E kush nuk ka mundësi atëherë le të agjërojë, sepse agjërimi është mburojë!”

-Përmbajtja prej ndalesave, “Ata që nuk kanë mundësi për martesë, le të përmbajnë veten, derisa Allahu t’i begatojë me dhuntinë e Tij.” Nur 33. Hadithi: “Kush tregohet i përmbajtur (ndaj imoralitetit), Allahu ia mundëson të ruhet e të mbrohet (prej tij).”

-Mopërzierja me gratë e huaja (dhe me burrat e huaj),Kur të kërkoni prej grave të Profetit diçka, kërkojeni prapa perdes!” Jo të përzihen direkt. Hadithi: “Nuk kam lënë sprovë më të dëmshme për burrat sesa gratë.” Dhe: “Ruajuni dunjasë dhe sprovës së grave…”

-Shtimi i frikës ndaj Allahut, “Janë shtatë persona të cilët Allahu do t’i fusë në hijen e Tij Ditën e Gjykimit ku nuk ka hije tjetër…” prej tyre përmendi: “Ai të cilin e fton një grua e bukur e me pozitë që të bëjë imoralitet dhe ai (e refuzon) i thotë: “Unë kam frikë Allahun!” Besimtari duhet të ketë frikë Allahun dhe ndëshkimin e Tij të rëndë që e ka përgatitur për ata që bëjnë imoralitet, “…dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” Furkan 68-70.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit