Istiwaja e Allahut – Cilësi e Tij
Allahu thotë: “Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fronin hyjnor (Arsh)…” Araf 54.
Shumë dijetarë thonë se “gjashtë ditë” janë si ditët tona – në ditën e diele ka filluar krijimi dhe është përmbyllur në ditën e xhuma, ku në fundin e saj është krijuar Ademi. Disa dijetarë thonë se qëllimi me këto gjashtë ditë janë për etapat nëpër të cilat ka kaluar krijimi i universit. Allahu e di se sa ka zgjatur secila etapë/periudhë.
Prej këtyre gjashtë ditëve, katër i takojnë krijimit dhe përgatitjes së tokës, ndërsa dy ditë qiellit. Allahu thotë: “Ai krijoi në Tokë male të palëvizshme që ngrihen lart, e bekoi atë dhe përcaktoi në të furnizimin (për banorët) e saj me masë për katër ditë; ky është shpjegimi për të gjithë ata që pyesin. Pastaj Ai iu kthye qiellit, që ishte në gjendje mjegullire e i tha atij dhe Tokës: “Ejani të dy me hir a me pahir!”. Ata u përgjigjën: “Erdhëm me gjithë dëshirë e të bindur!” Ai krijoi shtatë qiej në dy ditë dhe çdo qielli i caktoi detyrat e tij. Qiellin më të afërm Ne e zbukuruam me yje të shkëlqyer dhe i vumë roja.” Fussilet 9-12.
“e pastaj u ngrit mbi Fronin hyjnor” – Besimi i ehli sunetit është se ngritja e Allahut – Istiwaja ka ndodhur pas krijimit të tokës dhe qiellit.
Arshi është kupolë që e mbulon tërë universin dhe kulm i tij. Ai është krijesa më e madhe dhe ka shtylla mbi të cilat bazohet. Atë e bartin engjëjt e Allahut.
Ehli suneti beson se Allahu, siç ka treguar për Veten e Tij (në Kuran e sunet), është lartësuar mbi Arshin e Tij dhe është lart krijesave, me një lartësim e ngritje siç i shkon madhështisë së Tij. Istiwaja e Allahut është e veçantë, i takon madhështisë e madhërisë së Tij. Ajo nuk i shëmbëllen istiwasë së krijesave. Nuk lejohet t’i japim formë e as ta shëmbëllejmë. Realitetin e saj e di vetëm Allahu. Askush nga krijesat nuk ka mundësi të arrijë ta dijë se si është ajo. Është e ndaluar të mendojmë se si janë Cilësitë e Allahut.
Është obligim të besojmë istiwanë e Allahut, sepse argumentet janë të shumta, ndërsa pyetja se si është ajo, kjo është bidat. Ashtu siç askush nuk e di se si është Allahu, po ashtu askush nuk e di se si janë Cilësitë e Tij.
Kuptimi i istiwasë që ia kanë dhënë dijetarët e selefit:
-Lartësim mbi Arsh.
-Ngritje mbi Arsh.
-Ngjitje mbi Arsh.
-Qëndrim mbi Arsh.
Tre të parat kanë kuptimin e njëjtë.
Argumenti: “Kur të hipësh/ngjitesh në barkë ti dhe ata që janë me ty…” Muminun 28. “Ai, që ka krijuar çifte për çdo lloj krijese, që ka bërë anije e kafshë që t’i shaloni e të ngjiteni/hipni/ngriteni fort mbi to…” Zuhruf 12-13.
Ndërsa, ata që i mohojnë dhe i refuzojnë Cilësitë e Allahut thonë (duke keqinterpretuar) se me istiwa është pushtimi apo mbizotërimi i Arshit, pra Allahu e ka pushtuar apo mbizotëruar Arshin.[1] Kundërpërgjigje:
-Ky interpretim nuk ka ardhur prej askujt prej selefit. Duke qenë kështu, refuzohet. Të parët që e kanë sjell këtë interpretim kanë qenë sekti i xhehmive e pas tyre e kanë marrë mutezilitë. Ky interpretim i tyre kundërshton interpretimin e selefit të cilët kanë pajtueshmëri se istiwaja është në kuptimin gjuhësor siç e kuptojnë arabët (pra Allahu është ngritur dhe lartësuar mbi Arsh).
-Ky interpretim e kundërshton kuptimin e dukshëm (të jashtëm) të tekstit të Kuranit apo sunetit. Kur veprimi i foljes “istiwa” kalon përmes pjesëzës “ala – mbi” atëherë gjithmonë ka kuptimin e lartësimit-ngritjes.
-Nga ky keqinterpretim dalin përfundime të kota që nuk lejohet të besohen për Allahun, si:
▪I bie se Allahu para se të krijonte qiejt e tokën nuk e ka mbizotëruar e sunduar Arshin dhe se Arshi i paska takuar dikujt tjetër, porse ky pushtim ka ndodhur pas krijimit të tyre (ngase Arshi ka ekzistuar para krijimit të tyre). Ky është një besim i kotë.
▪Pushtimi e mbizotërimi ndodh kur ka luftë për pushtet, e si mund të mendohet se Allahu ka luftuar me dikë dhe ka arritur t’ia marrë Arshin dhe ta mbizotërojë atë?! Kjo nuk lejohet të besohet.
▪I bie se Allahu ka bërë istiwa mbi tokën, kodrat, malet, lumenjtë etj. Mirëpo në asnjë vend në Kuran nuk përmendet kjo, përveçse mbi Arsh.
***
Allahu thotë: “Vërtet që Zoti juaj është Allahu, i Cili i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron…” Araf 54.
Ajo që është thënë në lidhje me ajetin e parë, thuhet edhe për këtë ajet.
***
Allahu thotë: “Allahu është Ai që qiejt i ka ngritur pa shtylla që mund t’i shihni, dhe më pas është ngritur mbi Fron.” Rad 2.
A kuptohet se qiejt nuk kanë shtylla fare, apo kanë shtylla që ne nuk mund t’i shohim (janë të padukshme për ne)- këto janë dy komentime prej dijetarëve. Mendimi më i vërtetë është se qielli nuk ka shtylla.
***
Allahu thotë: “I Gjithëmëshirshmi mbi Fron u ngrit (si i takon Madhërisë së Tij).” Ta he 5.
Allahu me këtë ajet do të na tregojë se Ai është ngritur dhe lartësuar vetëm mbi Arsh, e në asnjë prej krijesave të tjera.
***
Allahu thotë: “…u ngrit mbi Fron. Ai është i Gjithëmëshirshmi…” Furkan 59.
Pse Allahu kur tregon se është ngritur mbi Arsh sjell emrin Err Rrahman – i Gjithmëshirshmi? Dijetarët thonë se kjo është për të na treguar neve se me gjithë lartësimin e Tij, madhështinë dhe madhërinë e Tij, megjithatë është i cilësuar me Mëshirë. Siç kemi thënë, Arshi është krijesa më e madhe, ndërsa Mëshira e Tij ka përfshirë çdo gjë. Prandaj, Allahu me Cilësinë e Tij, e cila është më e madhja, më e gjera dhe më gjithëpërfshirësja, është ngritur mbi krijesën më të madhe që është Arshi i Tij. Kjo për të na tërhequr vërejtjen të mos e humbasim kurrë shpresën në Mëshirën e Tij.
***
Allahu thotë: “Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe çdo gjë që gjendet midis tyre, për gjashtë ditë, pastaj është ngritur mbi Fron.” Sexhde 4.
“çdo gjë që gjendet midis tyre” – midis qiellit e tokës ka krijesa të mëdha e madhështore, disa i shohim, e shumë prej tyre nuk i shohim.
***
Allahu thotë: “Ai i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron.” Hadid 4.
***
Allahu ka qenë i Lartësuar dhe vazhdon të jetë i Lartësuar mbi krijesat e Tij. Allahu edhe në Pafillim e Pambarim, është e do të jetë i Lartësuar mbi çdo gjë prej krijesave të Tij. Mirëpo, pasi Allahu ka krijuar qiejt e tokën është lartësuar mbi Arsh me një lartësim të veçantë. Ky lartësim nuk e cenon lartësimin e përgjithshëm të Allahut.
***
Istiwaja e Allahut është Cilësi veprore.
Dobi që përfitohen nga ajetet e temës: Në këto ajete kemi argument me të cilin i kundërshtojmë ata që kanë besim të devijuar se Allahu është unifikuar me krijesat e Tij. Allahu nuk është vetë krijesa e as nuk është pjesë e tyre, ngase Krijuesi është tjetër e krijesat tjetër, nuk ka përzierje mes tyre. Krijuesi nuk është futur në mesin e krijesave. Të gjitha këto ajete na tregojnë se Allahu është lartë dhe i ndarë prej krijesave.
[1] Ata e kanë shtrembëruar këtë Cilësi të Allahut që të mos e përngjasojnë Allahun me krijesat. Mirëpo, kuptimi që ia kanë dhënë kësaj Cilësie është përngjasim (sepse pushtimi që ia pohojnë Allahut është e së njëjtës natyrë sikurse pushtimi i krijesave).
Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.