Kënaqësia e Allahut – Cilësi e Tij
Allahu thotë: “Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë.” Maide 119.
Ky ajet na flet për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe për shokët e tij (sahabët) dhe për çdokënd që shkon rrugës së tyre. Ajeti i plotë: Allahu thotë: “Kjo është Dita në të cilën të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshtet, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është fitorja e madhe!” Maide 119. Allahu përmend se ata kanë bërë vepra me sinqeritet dhe sipas sunetit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, andaj si shpërblim për to Ai është i kënaqur me ta. Dhe kënaqësia e Allahut ndaj tyre është shpërblimi më i madh i arritur. Nuk ka shpërblim më madhështor sesa të arrish kënaqësinë e Allahut, “…kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh.” Teube 72.
Ky ajet është prej ajeteve që flasin për Kënaqësinë e Allahut si Cilësi e Tij (ashtu si i takon madhërisë së Tij). Ajo është Cilësi që duhet të pohohet për Allahun dhe qëndron në Qenien e Tij (nuk është e ndarë prej Tij). Është Cilësi reale dhe e ndërlidhur me Vullnetin e Allahut (kur të dëshirojë vepron me të), pra është Cilësi veprore.
Allahu është i kënaqur edhe me veprat e mira të besimtarëve dhe me vetë vepruesin e tyre (siç flet ky ajet). Ai është i kënaqur me besimtarët, me të devotshmit, me të drejtët, me falënderuesit etj. Ai nuk është i kënaqur me ata që janë jobesimtarë, mëkatarë, hipokritë etj. Allahu është i kënaqur me disa njerëz dhe nuk është i kënaqur me disa të tjerë. Ai është i kënaqur me disa vepra dhe nuk është i kënaqur me disa të tjera.
Ky ajet na tregon se shpërblimi është sipas llojit të veprës. Nëse njeriu vepron vepra me të cilat arrihet kënaqësia e Allahut atëherë Ai do të jetë i kënaqur me të. Po ashtu ky ajet tregon për vlerën e madhe kur njeriu është i kënaqur me Allahun. Nëse arrin që Allahu të jetë i kënaqur me ty, edhe ti duhet të jesh i kënaqur me Atë. Kur e di se je i kënaqur me Allahun? Atëherë kur zemra jote është gjen prehje, është e qetë dhe i nënshtrohet vendimeve/gjykimeve dhe kaderit të Allahut, andaj çfarëdo që të ndodh, ti do t’i nënshtrohesh kaderit të Allahut. Disa dijetarë kanë thënë: “Të jesh i kënaqur me Allahun është kur ia dorëzon çështjen plotësisht Allahut dhe ke mendim të mirë për Atë dhe je i kënaqur me shpërblimin që ka përgatitur për ty në ahiret.” Besimtari, përveç që është i kënaqur me Allahun në këtë botë, do të jetë i kënaqur edhe në botën tjetër. Besimtari do të jetë i kënaqur e i lumtur me atë pozitë që Allahu ia ka dhënë në xhenet, saqë mendon se askujt nuk i është dhënë pozitë më e lartë sesa atij.
Ibën Kajim rahimehullah ka thënë: “Kënaqësia ndahet në tri lloje: 1. Të jesh i kënaqur me Allahun (se Ai është Zoti, Krijuesi etj.), 2. Të jesh i kënaqur prej Allahut (me sprovat dhe fatkeqësitë me të cilat goditesh), 3. Të jesh i kënaqur me Kaderin e Tij.”
Nëse një besimtar është në rrugën e drejtë të Allahut dhe qëndron i fortë në adhurimin ndaj Tij dhe i vijnë të mirat prej Allahut, kjo tregon se Ai është i kënaqur me të (për dallim prej jobesimtarëve ndaj të cilëve të mirat e Allahut janë istidraxh – gjendje përshkallëzimi, kurth, mashtrim me të mirat duke u zhytur më shumë në të këqija).
***
Zemërimi i Allahut – Cilësi e Tij
Allahu thotë: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.” Nisa 93.
Allahu këtu e sjell ajetin në formën e fjalisë kushtore: “Kushdo që e vret një besimtar me qëllim”. Ndërsa, “një besimtar” do të thotë: ai që beson Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Te pjesa “me qëllim, me paramendim” nuk hyn ai personi që është nën moshën madhore (i cili e vret dikë), as i çmenduri, as ai që vret pa qëllim (pahiri). Këta nuk hyjnë te kërcënimi i ashpër për të cilin flet ky ajet.
“e ka mallkuar” do të thotë Allahu e ka përzënë dhe e ka përjashtuar prej Mëshirës së Tij.
Në ajet përmenden radhazi pesë ndëshkime për atë që e vret një besimtar me qëllim. Qoftë dhe njëra prej tyre, do të mjaftonte për kërcënim e qortim për personin që të ndalet prej kësaj vepre.
“do të qëndrojë përgjithmonë” – sipas besimit së ehli sunetit në zjarr do të qëndrojnë përgjithmonë vetëm jobesimtarët. Vrasja e tjetrit me qëllim është shkak që njeriu nëse e vepron mund të përfundojë përgjithmonë në zjarr. Mirëpo, nëse vepruesi është besimtar atëherë nuk do të qëndrojë përgjithmonë në xhehenem. Kjo është një vepër e rrezikshme. Një mendim tjetër thotë se qëllimi me këto fjalë është se do të qëndrojë gjatë në xhehenem, e jo përgjithmonë.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Akide uasitije.